Gazmend Çitaku vjen me librin e ri “Busulla e artë”

Kultura

Gazmend Çitaku vjen me librin e ri “Busulla e artë”

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 31 mars 2022 Në ora: 11:33
Pamje nga promovimi i librit

Në Ulqin është prezantuar libri me titull “Busulla e artë” me autor studiuesin, fotografin dhe koleksionistin Gazmend Çitaku, në një aktivitet me pjesëmarrjen e adhuruesve të librit dhe miqve të tij. Ky libër vjen pas librit “Udhëtime nëpër kështjellat ilire në Mal të Zi” si plotësim i udhëtimeve të mëhershme, por duke vënë në vend të kaluarën e lavdishme të Ulqinit dhe rrethinës së tij. Në këtë botim autori sjell copëza nga kultura, historia dhe trashëgimia kulturore dhe natyrore të Ulqinit, që kanë vlerë jo vetëm për këtë qytet bregdetar , por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi.

i përshëndetur të pranishmit Ardita Rama tha se autori në këtë libër sjell shkrime me karakter hulumtues, studiues , por edhe përshkrues , të cilat merren me pasqyrimin e trashëgimisë kulturore, bukurive natyrore dhe atyre gjërave që na rrethojnë e të cilat ne i shohim çdo ditë, por që Çitaku i ka parë dhe i ka vlerësuar me një sy krejt tjetër.

Redaktori i librit Ali Gjeçbritaj vlerësoi lartë këtë botim si nga përmbajtja ashtu edhe nga cilësia dhe mesazhi që përcjell. Recensenti Qani Osmani u shpreh se libri “Busulla e artë” e shkruar jo në tavolinën e tij të punës, por në ecje e sipër anekënd fshatrave të Ulqinit dhe në brendësinë e qytetit hedh dritë për shumë objekte nga trashëgimia e jonë historike dhe kombëtare. “Edhe pse e kaluara jonë shumë herë është kontestuar nga armiqtë tanë duke tentuar që ta përvetësojnë historinë tonë dhe figurat më markante kombëtare, puna hulumtuese mbetet arma më e fortë në dorën e intelektualëve dhe hulumtuesve shqiptarë, armë të cilën autori Gazmend Çitaku e ka përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Osmani.

Image
Kopertina e librit

Poeti Jaho Kollari ndër të tjera ka shënuar: “Autori i këtij libri mbase është detari më i thyer i Anijes, meqë ai ndjek kohën, sikundër edhe hapësirën ku lundron ajo, duke e drejtuar atë ashtu si duhej. Kështu, kësaj radhe, na shpiu në një të kaluar të largët prej nga na u kthye me këto pamje mrekulluese dhe këta udhëpërshkrime mbresëlënëse që sonte i keni para vetes”.

Në fund të këtij aktiviteti , i konceptuar në dy pjesë, autori foli për punën e tij në përgatitjen e librit i cili, siç pohoi ai, në vend të parë ka të kaluarën e lavdishme të Ulqinit dhe rrethinës së tij dhe falënderoi publikun e pranishëm. Çitaku pjesëmarrësve në këtë mbrëmje u dhuroi nga një libër, ndërsa bibliotekës së Ulqinit i dhuroi 3o tituj librash të tij. Financimi i këtij libri është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat