Gjyshi i fshatit tonë

Kultura

Gjyshi i fshatit tonë

Nga: Emine S.Hoti Më: 24 maj 2022 Në ora: 09:03
Emine S.Hoti

Gjyshi im na qëndronte pranë kudo,

Edhe në jetë edhe në lojëra,

E dinte që djemtë donim futboll,

Ndaj u gatiste fushën me dy porta.

 

E dinte se ne vajzat i donim shumë lulet,

Ndaj përgatiste kopshtin me lule të bukura,

Na ndiqte me vështrim kur shëtisnim në lëndina,

Kur vraponim, qeshnim dhe vallëzonim si flutura.

 

Në mbrëmje na afronte te zjarri vajza dhe djem,

Na rrëfente histori për trima dhe trimëresha,

Na thoshte se dikur dhe ata ishin të vegjël si ne,

Mes tyre dhe Teuta,Skënderbeu dhe Nënë Tereza.

 

E donim të gjithë në fshat gjyshin e ditur,

E kërkonim. Ai pranë nesh ishte gjithmonë,

I qeshur, i ëmbël, më i dashuri për ne fëmijët,

Ndaj t`gjithë i thërrisnim:“gjyshi i fshatit tonë”.

Edhe unë si gjyshi

Kujtoj lojërat e fëmijërisë sime,

Kujtoj të paharruarin gjyshin tim,

Kujtoj çdo gur të Çikatovës sime,

Kujtoj gjithçka që më jepte gëzim.

 

Si gjyshi dikur, edhe unë sot,

Luaj me fëmijët dhe nipat e mi,

Lojën e argëtimet i duan fort,

Ashtu si edhe ne në fëmijëri.

 

Edhe unë si gjyshi i dua fëmijët,

Edhe ata më duan mua përherë,

E bukur,n`paqe qoftë jeta e tyre,

Të lirë dhe të drejtë, kurdoherë!

Kur jeton me nder

Jeta është e bukur,

Jeta është plot vlerë,

Kur jeton me nder.

Ta jetojmë jetën

Jetë është pranvera e bukur,

Por dhe dimri me borë është jetë,

Edhe vjeshta me gjethet e verdha,

Edhe vera kur lahemi në det.

 

Jeta duhet jetuar,sido që të vijë,

Kur ruan ekuilibret,është e pafund kaltërsi,

Jeta është plot vlerë, është rreze e universit,

Jeta është e shtrenjtë për mua dhe për ty.

 

Jeta ka variacion ka stinët e shumëvlefshme,

Ka pranverë,verë,vjeshtë dhe dimrin tekanjoz,

Ka ajër dhe ujë plot, ajo na jep mundësi jete,

E përshëndesim, bijë të jetës jemi edhe ne sot.

Një breshkë

Pashë një breshkë një ditë,

Mbledhur brenda në zhguall,

Ajo më shihte me kureshtje,

Dhe ecte ngadalë – ngadalë.

 

E mora në dorë dhe u çudita,

Me mbulesën e saj me katrore,

Dukej si fusha e hapur e shaut,

E shihja me çudi fëmijërore.

 

Vëzhgoja veprimet e breshkës,

Jetën e të voglave siguronte,

Vente edhe vinte në fole,

Ushqim breshkëzave u çonte.

 

Më lindi dëshira ta ndihmoja,

Me ushqimet që preferonte,

Perime, mish edhe fruta,

Shumë i dëshironte.

 

Breshka e ndiente mirësinë,

Kërkonte nga unë ndihmë,

Afrohej përherë tek unë,

Donte edhe shoqërinë.

 

S`e hiqja nga mendja breshkën,

E vizitoja shpesh në lëndinë,

Duket se tek ajo kisha fituar,

Respektin dhe miqësinë.

Fëmijët, ne dhe natyra

Në sytë e mi natyra është vet jeta

Fëmijët që luajnë,qeshin me gëzim,

Shqipet, pëllumbat, dallëndyshet...,

Detet, malet dhe fushat me blerim.

 

Fëmijët janë si zogjtë më të bukur,

Duan të mësojnë dhe të argëtohen,

Përfshihen në aventura tërheqëse,

Veç nga stuhitë duhet të mbrohen.

 

Fëmijët duan çerdhe,kopshte,shkolla,

Të mësojnë, të përgatiten për jetën,

Të njohin vështirësitë e kësaj bote,

Të dallojnë të drejtën e të vërtetën.

 

I duam fëmijët tanë të rriten të lirë,

Si dallëndyshet e zogjtë shtegtarë,

Duam të jenë si shqiponja n`male,

Që na kanë dhënë emrin shqiptar.

Një këshillë

Një këshillë për ju brezat e rinj:

Mos lakmoni shumë në pasuri,

Pasuri e vërtetë është të jesh njeri,

Të keni mes jush sinqeritet e dashuri.

 

Brezat ta duan njëri-tjetrin në jetë,

Pasuria shkon e vjen, andej-këndej,

Atdheun nuk e gjejmë si një monedhë,

Ai është trashëgimi më i vyer, i shenjtë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat