Sa e hijshme, Katedralja...

Kultura

Sa e hijshme, Katedralja...

Nga: Bajram Sefaj Më: 30 qershor 2022 Në ora: 12:56
Katedralja

Me një grusht rrezesh, (të dhënash paraprake, praktike, telegrafike...), me të cilat na furnizoi imzot Don Lush Gjergji, në emër të lexuesve të gazetës, me ashensor të shpejtë, si raketë të ishte, i turremi lartësisë diellore të Katedrales së kësaj shtëpie të re të Zotit, në Prishtinë. Pikës saj më të lartë!

Kambanorja është e lartë gjashtëdhjetë e pesë metra, deri aty ku arrihet me ashensor, ndërsa, gjithsej kulmi dhe kryqi, mbërrijnë lartësi shtatëdhjetë e tri deri në shtatëdhjetë e pesë metër. Kapaciteti i ashensorit është dymbëdhjetë persona përnjëherë. Lartë ngjitët dy herë në ditë. Para dhe pas dite. Sipas orarit të përkohshëm, para ditë prej orës dhjetë deri në drekë (12), kurse pas dite, prej orës pesëmbëdhjetë deri në shtatëmbëdhjetë (15-17). Për një kohë, ngjitja do të jetë falas, ndërsa me vonë, me ndonjë pagesë simbolike, aq sa të mbulohen shpenzimet e mirëmbajtjes, të pastërtisë dhe të higjienës, si dhe të paguhet personi që kujdeset për vizitorët. Prej punëve të mëdha, që nuk janë krye ende, është kambanorja e dytë, tashmë në ndërtim, fasada apo veshja me gurë stolisje e Katedrales nga jashtë, veshja e shtyllave të brendshme, vitrazhet apo mozaikët në qelq. Afati i paraparë për kryerjen e këtyre punëve përfundimtare, është viti dymijë e pesëmbëdhjetë. Po ashtu, duhet rregulluar edhe Qendra Kulture “Imzot Pjetër Bogdani”, në përdheses e Katedrales.

Derisa të përfundojnë këto punë, me shpresë që ato të kryhen sa më shpejtë dhe me sukses sa më të madh, ngjituni lartë të kambanorja dhe nga ajo lartësi e madhe, nga ajo perspektivë shpendi krahjetë a zogu të artë, kënaquni duke soditur Prishtinën. Do ta shihni ashtu sikurse nuk e keni parë asnjë herë me parë në jetë. Nga ajo lartësi hyjnore, mund të identifikoni krejt çfarë të doni, shtëpinë tuaj në periferi, qoftë edhe godinën e apartamentit tuaj!

Uratë e perëndisë: dita të jetë e mirë, e qetë, e bardhë, me qiell të kthjelltë e, me rreze dielli shumë, siç ishte sot!

Tash zbresim në tokë dhe nga goja dhe shkrimi i zotëri, Don Lush Gjergji, përkujtojmë edhe një herë historikun e shkurtër të ngritjes dhe të rritës se këtij monumentit të gjallë, të kulturës, të artit dhe të kultit...

Vizitorit nuk i mbetët tjetër, pos të blej edhe ndonjë libër, ndonjë shenj, a suvenir kryesisht të shenjtë, të bëj kryq, pse jo, (nëse di e do), dhe të merr shteg të ri, me mbresat më të thella nga ky fluturim gjer në “gjithësi” dhe anasjelltas!

Historik i shkurtër i ndërtimit...

Pas lejimit të truallit nga ana e Komunës së Prishtinës, përpunimi i projektit u bë nga ana e arkitektit Livio Sterlicchio dhe grupit të tij, nga Roma. Gurthemeli është bekuar më 26 gusht të vitit 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi (1938-2006), në praninë e të ndjerit Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (1944-2006), me pjesëmarrje të Kard. amerikan Theodor McCarrick, Mons. Zef Gashi, Mons. Dodë Gjergji, meshtarëve, rregulltarëve dhe, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore, të shumë besimtarëve dhe të qytetarëve.

Mjerisht ikja e papritur, nga kjo botë, e ipeshkvit Imzot Mark Sopi, më 11 janar 2006 dhe e presidentit Rugova, vetëm disa ditë më vonë, saktësisht më 21 janar 2006, shkaktoi prolongim (domosdoshmërisht) të procesit të ndërtimit.

Me emërimin dhe ardhjen e ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë Gjergjit, procesi ndërtimit të godinës së Katedrales, ishte premtuar, që më 2010 të kremtohej 100-vjetori i lindjes së të Lumes Nënës Tereze, së paku, nën çatinë e kësaj katedrale, ndërtimi mori ritëm të ri.

Punët e ndërtimit filluan më 5 shtator 2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze, thotë nikoqiri ynë, i nderuari Don Lush Gjergji, dhe shton: “Deri me sot është punuar shpejt dhe mirë struktura bazë, dhe, ajo që është për ne edhe më e rëndësishme, më domethënëse, se ndërtimi bëhet, kryesisht nga kontributet e besimtarëve tanë nga Kosova, diaspora euro-amerikane, nga disa institucione të krishtera, si dhe nga donatorë dhe bamirës, të njohur dhe anonimë”.

“Synimi ynë kryesor”, vazhdon vikari Don Lush Gjergji - “tash qëllimi ynë ishte që, përurimi dhe bekimi i Katedrales dhe Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë, të realizohej më 5 shtator 2013, pikërisht, me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos dhe të Vitit të Fesë, që njëkohësisht është edhe Viti i Konstatinit të Madh. Duhet shtuar, me këtë rast se, sipas para llogaritjeve të ekspertëve tonë dhe ndërkombëtarë, për përfundimin dhe rregullimin e brendshëm të këtij objekti madhështor të kultit fetar, duhen edhe 5 milionë dollarë USA. Besojmë në Provaninë e Zotit dhe në mirësinë dhe zemërgjerësinë e bujarinë e donatorëve tanë, në mënyrë që, më vrull akoma më të shpejtuar, të vazhdojnë punët në rregullimi, e brendshëm, duke u lutur gjithnjë për bamirësitë tanë”.

Ndërkaq, mbi rëndësinë dhe domethënien e madhe dhe të shumëfishtë, që Katedralja “Nëna Tereze” në Prishtinë, ka për kombin tonë, në përgjithësi, pa përjashtim përkatësie fetare e besimi, Don Lush Gjergji, shtoi edhe dy-tri fjalë, shpjeguese, sqaruese, mund të thuhet. “Katedralja “Nëna Tereze” në Prishtinë, tha ai, është edhe Shenjtërorja e saj e parë në Kosovë, e cila ka dy qëllime dhe synime thelbësore: pos kthimit apo mishërimit e saj në mendjet dhe zemrat tona, Katedralja është edhe Seli e Ipeshkisë së Kosovës, në kryeqytetin e Shtetit të ri të Kosovës. Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, siç lirisht mund të pagëzohet ajo edhe ndryshe, ne do ta mësojmë dhe mishërojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte që Nëna Tereze i mori me meritë dhe, me ndër i dëshmoi dhe barti në botën mbarë”.

(E Lumja Nëna Tereze kur është shembull, frymëzim, dëshmi e dashurisë së dyfishtë: për Zotin–Dashuri dhe Vëllanë-Njeri. Jeta dhe vepra e saj madhore tregon lidhshmërinë, harmoninë dhe pandashmërinë mes Zotit dhe Njeriut, fesë dhe dashurisë, pasqyron atë dhe na fton të gjithëve që ta ndjekim dhe imitojmë. Nga se Ajo është përmbledhja më e bukur e dashurisë vepruese, flijuese dhe dhuruese në të mirë dhe në dobi të të gjithëve, duke na mësuar dhe frymëzuar që ta njohim artin e jetës, dashurinë, nëpërmjet dialogut ekumenik dhe ndërfetar, pa dallime dhe përjashtime, në krijimin e mozaikut të bashkimit në dallime. Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, u bë motra Tereze e Loretos, për t’u shndërruar pastaj, prej viteve 1950 e tutje, në Nënën Tereze, Misionare e Dashurisë, Nobeliste e Paqes, në vitin 1979, në të Lumen Nënën Tereze, në vitin 2003. Vazhdimisht dhe fuqimisht, Ajo ndërmjetëson për ne të Zoti, si dhe na përfaqëson në botë si “Ambasadore” e Paqes dhe e Dashurisë, vlerat dhe virtytet tona historike dhe aktuale).Morëm dhe shënuam këtë mendim, të Don Lush Gjergjit, kur lirisht mund të quhet se është zëri i tij, i zëshëm dhe i zakonshëm, sa herë që zënët në gojë emri i madhërishëm Nënës Tereze, jetës, humanitetit dhe veprimtarisë kolosale të së cilës zotësi Don Lush Gjergji, ia kushtoi shumë vepra të shkëlqyera, jo vetëm në gjuhen shqipe por edhe në gjuhë të tjera të botës, madje. Në kroatisht dhe në italishte, sidomos. Ditë më parë, kolonës veprave të tij, ky autor i mirë, studiues i hollë dhe i vëmendshëm, ia shtoi edhe një publikim tejet të spikatur, atë më titull “Dashuria që nuk vdes” ,me nëntitull domethënës (të mëdhenjtë e shekullit XX). Natyrisht se në mesin atyre njëzet e gjatë personaliteteve të shquara që, shënuan shekullin tashmë të kaluar, të XX-tin pra, vend të merituar, dhe si të pashmangshëm, zë edhe Nëna (jonë) Tereze, kur autori i këtij libri të rëndësisë së shumëfishtë, është njohësi më i mirë i saj. Këtë libër monumental, njëherazi luksoz, që është më shumë së monografi, e botoi “Drita” e Prizrenit, më rastin e njëmijë e shtatëqind vjetorit të Ediktit të Milanos, Vitit të Fesë, dyzet vjetorit tonë dhe të Meshës së Parë. (Nga gjuha kroate, në gjuhën shqipe, tekstin e përktheu, Marjan Sebaj – Sopi).

---------------------

Legjenda

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat