Qerim Kryeziu dhe shqiptarët e Suedisë

Kultura

Qerim Kryeziu dhe shqiptarët e Suedisë

Nga: Baki Ymeri Më: 16 gusht 2022 Në ora: 06:14
Foto ilustrim

Nga publicisti Qerim Kryeziu me banim në Suedi kuptojmë më sa vijon: “Pasardhësit e Skënderbeut” (Skanderbegs ättlingar) në sytë e shkrimtarit suedez Thomas Nydahl. Kohë më parë doli në suedisht edhe një vepër tjetër e rëndësishme për shqiptarët. Është fjala për veprën “Skanderbegs ättlingar” (Pasardhësit e Skënderbeut”) të autorit Thomas Nydahl. Me këtë botim, Nydahl e vazhdon traditën studimore suedeze mbi çështjen shqiptare. Kujtojmë me këtë rast konsideratën që kishte akademiku Johann Erich Thunmann dyqind e tridhjetë vjet më parë për gjuhën shqipe dhe autoktoninë e shqiptarëve në Gadishullin Ilirik. Atëbotë Thunman ligjëronte në Universitetin e Hallesë në Gjermani dhe aty mbronte me bindje rezultatet e punës së vet studimore. Shumë suedezë tjerë kanë mësuar shqipen dhe e kanë praktikuar atë, qoftë në ligjërimet e veta publike, qoftë në botimet e veta autoriale.

“Skanderbegs ättlingar” është një kronikë e shkruar me dashuri për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Suedi. Kjo kronikë e suedezit kureshtar lexohet me lehtësi, përmbajtja e kësaj kronike përjetohet me kënaqësi. Habitesh kur kupton arsyet që shtynë një suedez njëzet vjeçar të dashurojë me aq pasion një Shqipëri të vogël në perëndim të Europës Juglindore. Leximi i kësaj vepre të sqaron pse ky djalosh nordik, e pa dikur komunizmin e Shqipërisë si një alternativë të mundshme. Si ndodhi më pas që pikërisht ky model shtetëror, e kjo kastë partiake ta zhgënjejë aq shumë, sa ta detyrojë të harrojë përgjithmonë edhe Partinë e Punës edhe komunizmin e saj?

Thomas Nydahl – veprimtaria

Nydahl është lindur në Malmö më 27 qershor të vitit 1952. Është i njohur në

letërsinë suedeze si prozator, eseist, poet dhe gazetar. Ka shkruar rreth 40 vepra gjinishë të ndryshme. Në veprat e tij letrare motiv dominues është liria, shoqëruar me tema politike e filozofike. Në rininë e hershme ishte majtist, politikisht i lidhur shumë me Shqipërinë. Më vonë në një periudhë të krijimtarisë së tij është ndikuar mjaftë nga Lisbona-Portugalia. Sepse atje zhvillohej një stil muzikor popullor i njohur edhe në përmasa ndërkombëtare

me emrin Fado. Fado, si orientim muzikor ishte i influencuar nga kënga popullore portugeze me motive deti e me përzierje stilesh të këngëve braziliane e afrikane. Këto krijime muzikore (Nydahl u magjeps nga ato) karakterizohen me mallin për atdhe, nostalgjinë, dhimbjen, lumturinë, fatin e dashurinë. Këndoheshin nga një burrë apo një grua dhe përcilleshin me kitarën tradicionale portugeze me tela të dyfishtë.

Nydahl ka botuar mbi pesëmbëdhjetë përmbledhje me poezi, pesë romane, gjashtë libra me ese, ditarë, disa udhëpërshkrime dhe shumë studime. Nga fundi i viteve shtatëdhjetë ka filluar të shkruajë shumë për shqiptarët-çështjen shqiptare që kishte filluar atëbotë të influenconte edhe në shtypin ndërkombëtar. Nga viti 2016 drejtoi blogun “Inre exil”. Shumë tema të blogut të tij të njohur në Suedi i rreken problematikës së ideologjisë totalitare, ekstremizmit fetar e nacional. Shqipëria ishte në orbitën time të interesimit që nga viti 1970, kur isha njëzet vjeçar-shkruan Nydahl. Brenda viteve 70-të bënë disa vizita atje, ndërkohë që në verën e vitit 1978 Shqipëria që e deshi shumë e shpalli nongrata. Atëbotë, i dëshpëruar por jo i dorëzuar, fillon të interesohet për pjesën tjetër të

shqiptarëve në Kosovë që aso kohe ishte nën Jugosllavi. Gjatë viteve 80 - 90 -të

ishte shumë aktiv me shkrime e fjalime në mbështetje të lirisë e pavarësisë së

Kosovës. Nydahl njeh mirë komunitetin shqiptar në Suedi. Shqiptarët e Suedisë

e njohin dhe e donë, e vlerësojnë dhe e konsiderojnë burrë të pashoq në gjithë

Skandinavinë.

Sot Thomas Nydahl jeton në Kristianstad të regjionit të Skånës. Vepra “Skanderbegs ättlingar” , Occident förlag 2020. Kjo vepër me nëntitullin Një kronikë për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Suedi fillon me përkushtimin e autorit drejtuar personaliteteve që inkurajuan të shkruajë. Fillon me Ullmar Qvickun që për më shumë se dyzet vjet i mësoi shumë për shqiptarët; Daniarit bashkudhëtarit të rrugëtimeve të tij; Betimit nga Kristianstadi tash me banim në Tiranë; Alisa Velajt poetes vlonjate; Per Helge për fotot dhe Astridit - bashkëshortes. Libri vazhdon me parathënien. Këtu, Nydahl shpjegon arsyen e shkrimit të veprës dhe të interesimit të tij për shqiptarët. Interesimi im për Shqipërinë e Kosovën- thotë Nydahl, ishte i gjerë dhe i thellë. Ishte në te vërtetë një interesim kulturor me një përqendrim të theksuar në historinë e shqiptarëve

dhe politikën e asaj kohe të shtetit të tyre.

Nydahl, prej kohesh ka shfaqur interesime për kombet e popujt e vegjël, siç qe rasti me izraelitët. Duke shfletuar historinë e vuajtjeve izraelite, ai zbulon se vetëm në Shqipëri ata patën një mbrojtje të veçantë gjatë periudhës naziste. Për ta përgjithësuar miqësinë shqiptaro - izraelite të asaj kohe, Nydahl merr në shërbim thënien tonë të moçme “Miku është hije e zotit në tokë”. Me të njëjtin aforizëm shpjegon bukur edhe miqësinë e Fatos Arapit me poetin suedez Per Helge. Në parathënie shpjegon gjithashtu se në vitet 70-të Nydahl kishte vizituar Shqipërinë komuniste disa herë. Shqipëria në këtë kohë, (në atë kohë ishim të rinj dhe naiv-thotë Nydahl) ishte alternativë e vetme, përballë bllokut komunist të udhëhequr nga Moska. Ne fotot e udhëheqësve të kohës (shkruan Nydahl)

dallonim ndryshimet që shfaqte figura e Titos me uniformë gjenerali dhe figura

e Enver Hoxhës me kostume intelektuali. Për herë të fundit Nydahl e viziton

Shqipërinë në verën e vitit 1978. Hija, në këtë rast jo e zotit por hija e rëndë e

diktaturës shqiptare pushon në veprën e Nydahlit- siç e thotë edhe vet autori.

Hija e rëndë e diktaturës kishte vyshkur gjithçka në botën shqiptare, rrjedhimisht edhe interesimin politik të Nydahlit të ri për Shqipërinë. Ishte koha kur mbaronte edhe stina e “vëllazërisë” me Kinën. Zbehja kishte shlyer kontratën e interesimit politik të Nydahlit për Partinë e Punës por kishte qartësuar mirë kontratën e bashkëpunimit jetëgjatë me letërsinë e kulturën shqiptare. Struktura e veprës “Pasardhësit e Skënderbeut” Për të shkruar këtë vepër pata dy burime inspirurese- thotë Nydahl. Dy burimet kishin për atdhe sakrificat e shqiptarëve për liri. Atdheu i parë ishte Shqipëria-sakrifica e shqiptarëve të Shqipërisë për Lirinë e cenuar ashpër nga diktatura e Hoxhës me shokë. Atdheu i dytë ishte Kosova- sakrifica e shqiptarëve të Kosovës për lirinë e mohuar nga Tito e Millosheviq.

Katër njësi strukturore përbëjnë ndarjen e veprës. Ndarjet ndjekin kronologjitë kohore duke qëmtuar ngjarjet kryesore. Epoka e për të cilën rrëfen autori shtrihet në kufijtë e një gjysmë shekulli. Fillon në vitet 70-të të shekullit të kaluar dhe mbaron në kohën tonë. Në kohën kur sakrificat e shqiptarëve të

Kosovës përfundojnë me pavarësinë e Kosovës. Reflektimet historike e paralelizmat politik kapin kohë edhe më të hershme, shkojnë deri në përfundim

të luftës së Dytë Botërore. Një album i vogël me foto të shkrepura në kohë të

ndryshme e kompleton botimin edhe me komponentin vizual. Vepra me këtë

strukturë përmbajtjesore ka 200 faqe.

Pjesa e parë (1981 – 2007) fillon me përshkrimin e revoltës studentore të

Prishtinës në vitin 1981, si ngjarje vendimtare e historisë së Kosovës. Në këtë

pjesë rilexojmë tekstet e Nydahlit të publikuara në vitet 2001 -2007 në gazetën

e përditshme “Tempus” të themeluar nga redaktori i sektorit të jashtëm në

“Sydsvenska” . Në këtë gazetë Nydahl ka botuar të gjitha shkrimet për Kosovën

dhe Shqipërinë në atë kohë. Nga shtatë shkrimet, dy kanë për tematikë

Shqipërinë kurse pesë tjera trajtojnë problemet e Kosovës. Në shkrimin “Lëreni

Kosovën të bëhet e pavarur” potencon rolin e skandinavëve në prezantimin e

në institucionet ndërkombëtare. Fillon me administratorin danez SØren Jessen Petersen; vazhdon me shefin e Policisë Ndërkombëtare në Kosovë, danezin Kai Vitrup; me norvegjezin Kai Eide (ishte ambasador i Norvegjisë në Nato-Bruksel) që përpunonte vendimet e Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe finlandezin Martti Ahtisaari si kryenegociator për statutin final të Kosovës.

Sipas Nydahlit, ishin skandinavët ata që kishin drejtësinë në zemër e fuqinë në dorë për të përcaktuar fatin e Kosovës në shekullin 21. Në të gjitha

shkrimet e pjesës së parë heton njohuritë e përpikta që kishte Nydahl për situatën politike, shoqërore e historike të Kosovës në atë kohë. Ndërkaq diskursin shkrimor gazetaresk të kësaj ndarjeje e pasuron me refleksionet personale për vlerat e letërsisë së Kadaresë dhe kontributin politik e filozofik të

Ibrahim Rugovës. Në vazhdim të kësaj pjese shfletojmë një album të vogël fotografish. Fotot e shkrepura fiksojnë kohë e hapësira të ndryshme në Shqipëri, Kalabri e Suedi. Në njërën nga ato duket vet Thomas Nydal duke folur në demonstratën e njohur të Malmös në mbështetje të lirisë së Kosovës në vitin 1989.

Pjesa e dytë 1999 – 2019. Për takimin e parë me refugjatë shqiptarë të ardhur nga Kosova në Suedi në vitin 1999, shkruan në pjesën e dytë të kësaj vepre. Për habinë e këndshme të autorit, kontaktet me refugjatët shqiptarë në Markaryd të Suedisë ishin shumë të lehta, ndonëse sytë e shpirtrat e tyre shprehnin halle të rënda. Nydahl fascinohet me asnjanësinë e shqiptarëve në raport me përkatësitë fetare të tyre. Lidhja e zbehtë e tyre me fenë (në kuptimin e një lidhjeje jo fanatike, jo ekstreme) ngjasonte me lidhjen edhe më të zbehtë të vet Nydahlit me krishterimin. Unë e di se shumica e shqiptarëve e konsideronin religjionin si një çështje të panevojshme për t´u diskutuar- thotë autori. Shqipëria dhe Kosova, pa pohuar edhe rolin e Portugalisë këtu, ishin dy vendet që ndikuan shumë në formimin e qëndrimit të Nydahlit për kulturën e veçantë të Europës Juglindore. Madje, ai vet thotë se sa herë e kam shprehur këtë qëndrim, jam kërcënuar nga qarqet tjera dhe jam etiketuar me pa të drejtë si aleat i mafias shqiptare.

Në këtë pjesë, çështjen shqiptare e analizon edhe nga perspektiva e ngjarjeve madhore historike, si bie fjala Lidhja e Prizrenit apo edhe nga botëkuptimet e autorëve tjerë të huaj që kanë shkruar për shqiptarët. Për komunitetin shqiptar në Suedi flet me shumë realizëm. Ai beson se shqiptarët janë mirë të integruar, se janë komunitet dy e tre gjuhësor dhe se mbajtjen e vetës në Suedi e sigurojnë me punën e dijen e vet. Të rëndësishme në këtë pjesë libri janë edhe këto prezantime: për romanin “Kriget” (Lufta) të djalit shqiptar të lindur në Suedi Durim Bekteshit; për veprën e Nusret Pllanës të promovuar në Suedi (mbi terrorin e gjenocidin serb në Kosovë); për literaturën suedeze e norvegjeze mbi komunizmin në Shqipëri; për albanologun suedez Ullmar Qvick; për poezinë e poetit me fat tragjik Faslli Haliti (poezinë “Si atëherë”); për antologjinë “Tre poetë shqiptarë në suedisht”; për letërsinë e Ismail Kadaresë, Alisa velajt dhe të Riza Sheqirit. Poezinë e Sheqirit të përkthyer në suedisht, Nydahl e ka lexuar dhe e ka shoqëruar me disa vështrime kritike.

Pjesa e tretë përmban 39 tekste mbi çështje të ndryshme të analizuara nga një perspektivë suedeze dhe shqiptare. Janë tekste të shkurtra me konotacione të gjera kuptimore, të shkruara nën ndikimin e bukurive që pa në kohën kur vizitonte Shqipërinë. Pjesa tjetër është e shkruar nën ndikimin e anomalive të vendit. Ashtu të shkurtra, ato janë plot emocion, shpesh të mbushura me gjallëri e më rrallë të stisura nga nervat. Ato kanë bukurinë e të papriturës, fatkeqësinë e të ngjarës, humorin e shëndetshëm e sarkazmin e hidhur. Në pjesëzën 27 shtron pyetjen: a mund t´ju dërgoje miqve shqiptarë, fjala vjen disqe të Beatles-ve në kohën e Partisë e të shokut Enver Hoxha? Po, dikush provoi- shkruan Nydahl. Kutia e disqeve vajti tek marrësi por, jo edhe disqet! Pjesëzat e Nydahlit, të para herë me sy suedez e herë me sy shqiptar, lexohen me endje, gati si proza poetike dhe të bëjnë të qeshësh me zemër e të qash me lot. Sepse realiteti që ato pasqyrojnë i tillë ishte. Atë që Thomas Nydahl e pa tek shqiptarët, e përjetoi, e analizoi dhe e përjetësoi në veprën e tij.

Pjesa e katër ka dy appendixa (shtesa) që treten lehtas në përmbajtjen e veprës. Appendixi i parë është një shkrim në anglisht i albanologut Ullmar Qvick për një vepër historike të shkruar në shqip. Është fjala për veprën “Kryqtari i fundit” të ambasadorit shqiptar në Suedi Virgjil Kule. “Kryqtari i fundit” është një botim signum i paraqitjes ndryshe të jetës e veprës së krye heroit tonë Gjergj Kastrioti. Appendixi i dytë është një lloj reminishence për gjysmë shekullin e kaluar me shkrime e botime të autorit Nydahl. Në këtë auto reminishencë lexuesit shohin Thomasin e ri, plot entuziazëm, interesimet e tij të majta politike, kontaktet me autoritet kulturore të kohës në Suedi (Hägglund, Pettersson, Myrdal, Lars-Åke Augustssons) që dinin e shkruanin për Shqipërinë. Këtu kujton edhe kohën kur ishte kryetar i shoqatës Suedeze-Shqiptare dhe kur shoqëronte delegacionet nordike në Shqipëri.

Appendixi i fundit vije edhe si një lloj katarsisi shpirtëror për autorin, duke kujtuar idolatrinë revolucionare të një kohe. Atë idolatri që ishte aktive dikur por, inekzistente sot. Ndërgjegjja ime- thotë Nydahl, me bëri që të shkruajë për shumë vite në shtyp për atë që po ndodhte në Kosovë. Ky libër edhe mund të konsiderohet si një përmbledhje e asaj pune fisnike, ndonëse jo të gjitha shkrimet e tij përfshihen këtu. Titulli i veprës “Pasardhësit e Skënderbeut” është shumë i qëlluar. Ndjesia e suedezit Nydahl për përkatësinë tonë gjenetike me Skënderbeun, na nderon. Është jo vetëm titull por, edhe besim e vlerësim suprem. Është prekje në neuronin e kuintesencës sonë europiane. Pasardhës të Skënderbeut ishim, jemi e do të mbetemi përgjithmonë. Nydahl, e dinte këtë, e konfirmoi edhe me vepër. Vepra e Thomas Nydahl-it “Skanderbegs ättlingar” është një krestomaci për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Suedi. (Helsingborg, 10 qershor 2021)

Fëmijëria, lufta dhe kujtesa në autobiografinë e Dafina Buçincës

Dafina Buçinca ka diplomuar për gazetari dhe ka punuar për ca kohë për një televizion shqiptar në Kosovë. Në letërsi është shfaqur papritur, me llojin më sovran të saj, romanin autobiografik. Shfaqja e saj në letërsi, përveçse si gjakim i ëndërruar që në fëmijëri, vije edhe si thirrje e brendshme shpirtërore për të rrëfyer për një kohë. Për atë kohë të jetuar keq, duke ia vuajtur robërinë e duke ia shpresuar lirinë. Kohë që për bindjene saj fëmijërore duhej të vinte e lulëzuar. E për habinë saj fëmijërore i erdhie robëruar. E papritur e padëshiruar, siç mund të vije stuhia në një ditë të ngrohtë vere. Lufta nuk ishte në itinerarin e saj, as që imagjinohej në racion e vajzës dhjetë-dymbëdhjetë vjeçare. Dafina Buçinca, në këtë moshë ishte e veçantë, për të mos thënë e jashtëzakonshme. Si pesë vjeçare ajo shkruante dhe lexonte, kishte krijuar miqësi me librat aq sa ato i konsideronte thesare. Mbi kapakun e romanit “Zonja Bovari” nuk e shihte emrin e Floberit por emrin e vet. Lufta, i prishi bukurinë e ëndrrave, rrjedhën e planeve të projektuara. Atëherë kur një vranësirë distopike rritej e rritej pa pushim duke errësuar qiellin utopik të saje të sa e sa moshatarëve tjerëtë asaj kohe. AutorjaBuçinca sot jeton e punon në Suedi.

Fëmijëria. Romani “Fëmijë në luftë” është konceptuar dhe është shkruar si retrospektivë autobiografike për një periudhë të caktuar të fëmijërisë. Autorja Buçinca është vet personazhe kryesore në vepër. Në shtjellën e romanit, autorja është fëmijë, në momentin e shkrimit është nënë me dy fëmijë. Realitetet fëmijërore (i Dafinës dikurnë Kosovë dhe i Noarit-djalit sot në Suedi) janë diametralisht të kundërta. Paralelizmat as që mund të imagjinohen. Ndërkohë që si koncept,fëmijëria është absolutisht e bukur, e ëmbël, e shtrenjtë njësojpër të dytë. Por vetëm në një kuptim, brenda determinizmit konceptual. Jashtë këtij perceptimi, fëmijëria e Dafinës si personazhe e autobiografisë ishte skëterre. Skëterrë në përmasat e evoluimeve shkak-pasojë të ngjarjeve: largimet masive të shqiptarëve nga puna- varfëria maksimale e familjeve tona; mbyllja mediatike- errësirë informimi në Kosovë; shkolla të ndaluara-analfabetizëm i shtuar; represion edhe më i rëndë-cenim edhe më keq i lirisë sonë; luftë e hapur- shkatërrim i vendite deportimmasiv i popullsisë. Në këto kondita, fëmijëria e autores dhe e të gjithë fëmijëve të Kosovës vidhet hapur nga lufta, e humb kuptimin e vet. Lojërat e fëmijërisë treten në humbëtirat e tymit e flakëve, këputen si trëndafila nga goditjet e plumbave. Kujtimi,pas dy dekadave të kaluara, i kësaj fëmijërie dhe i kësaj kohe peshon rëndë. Përshkrimi i ngjarjeve vështirësohet e sfidohet nga qindra detaje e imazhe të padëshiruara. Është njësoj sikur të rinisësh një betejë të paparashikuar. Si t´i futesh sërish ankthit, njëherë të përjetuar e mezi të kaluar.

Lufta. Në mbretërinë e të këqijave, lufta është e keqja më e madhe për fëmijët. Fatkeqësisht, fakt ky fatal,i provuar mizorisht mbi qenien më të pafajshme të popullit tonë-fëmijët gjatë luftës në Kosovë. Sa fëmijë u vranë, u gjymtuan, u shkatërruan emocionalisht, u privuan nga të drejtat e tyre për t´u rritur, zhvilluar e shkolluar në Kosovë?! Luftërat gjithmonë janë parë nga fëmijët si “lojëra” të pakuptimta.Ata shpesh janë gjetur skaj lufte, në mesin e saj, apo të rrethuar nga ajo. Kështu ka ndodhur edhe me fëmijët e romanit “Fëmijë në luftë”. Në një fshat të Kosovës, fshatarët rrethohen nga milicia, paramilitarët e ushtria. Fshatin e ndante përgjysmë rruga automobilistike që të shpinte në thellësi të Drenicës. Rruga gjëmonte nga autoblindat, tanket e makinat tjera që transportonin armë e vrastarë për në Prekaz, ku kishte filluar lufta. Nga rruga,ktheheshinenkas milicët serbë dhe futeshin nëpër shtëpitë e fshatarëve, idemolonin, i tmerronin e vrisnin njerëzit e pambrojtur.

Dafina ballafaqohet vet me fytyrat e çartura milicore e ushtarake. Njëherë, derisa po shkonte në dyqanin e fshatit për të blerë diçka, një tank serb ndalon, tytën e rëndë e të gjatë të tankut ia drejton vajzës së shastisur. Para grykëstmerruese, ajo humb edhe ndjesinë e frikës. Një tringëllimë habie mbi atë çmenduri armikue shkundullon edhe më shumë.Deri ku arrin mizoria dhe “fuqia” e një serpenti, përballë vogëlsisë së një fëmije!Prandaj, autorja provont´ia shpjegon të birit luftën, me fjalët më të kapshme për diçka më të pakuptueshme për mendjen e vogëlushit. Lufta e kishte goditur mjaftë Dafinën. E kishte lënë pa Baba, pa fëmijëri, pa shoqëri, pa shkollë e pa liri. Edhe kur zë ta kujtojë atë mijëra kilometra larg vendndodhjes, e përfytyron ashtu siç qe: e keqe, e rëndë, e pamëshirshme. Një hije tjetër e pështirosur e luftës që pasqyrohet në vepër është dhuna seksuale. Dhuna që lëndonte dhjetëfishtë që kryhej në Kosovë me qëllim poshtërimi, shkatërrimi emocional e nënshtrimi shpirtëror. Akt shpërfytyrimi njerëzor që shfaqet para syve të anëtarëve tjerë, në shtëpinë e saj.Dhuna seksuale ishtetragjedi e llojit të vet në luftën e Kosovës.

Autorja inkuadron në roman, me pak fjalë e me pak detajeedhe motivin e dashurisë së vërtetë njerëzore. Atëherë kur përshkruan “kroin e dashurisë”, që ndodhej diku nëafërsi të maleve të Berishës. Atje, kryqëzonin shikimet të rinjtë e fiksonin në kokëpamjet e ëndërruara për njëri tjetrin. Ky detaj i autobiografisë e freskon veprën, e largon nga atmosfera e rëndë e luftës dhe nga shija neveritëse e dhunës së shumëllojshme.Në roman lexon edhe për ngjarjet historike të kohës sifjala vjen: krismat e uruara të armëve UÇK-së, luftën në Prekaz, masakrën nëReçak, betejën në Grykën e Llapushnikutqë ia shtojnë vlerat dokumentare veprës. Në “Fëmijë në luftë” spikat mjeshtëria e autores në rrëfimin e ngjarjeve, ndërkohë që të godet vërtetësia eashpër e jetës së saj të përjetuar në kushte lufte.

Kujtesa. Njëzet vjet pas mbarimit të luftës në Kosovë, D. Buçinca i kthehet kohës së luftës me kujtesë. E kujtimet, janë për ´të agjentet më funksional të mbamendjes që e bëjnë të ndjehet edhe mirë edhe keq. Romanin e fillon me shënime nate, me gjumë të prishur nga ankthi, me pyetjet kureshtare të Noarit të vogël për ato që e ëma shkruante në fushën e bardhë të “MacBook”-ut. Kujtesa që ia kishte arkivuar ngjarjet një nga një në kokë e obligon të shkruajë, tëevidentojë gjithçka me datë e me vit, me natë e me ditë. Vendin që do ta kujtojë quhejZabeli i Ultë, vendlindje e saj që shtrihet në mes të Kosovës. Njerëzit që do të kujtojë me dashuri janë prindërit, vëllezërit, motrat dhe farefisi. Figurat për të cilat do të shpreh urrejtje janë armiqtë që kishin ndezur luftën. Edhe njerëzit, edhe Zabelin e Ultë sikur i kishte harruar edhe vet zoti.

Kështu të harruar nga të gjithë, ata detyrohen të kujtohen për vetën e vet, të qëndrojnë e të mbijetojnë. Dafina, atëherë e vogël e sot shkrimtare, nuk harron asgjë,të gjitha ndodhitë e asaj golgote i bënë të njohura përmes prozës autobiografike. Personalitetin e Babës e kujton përherë. Edhe sot i bëhet sikur i ndjen aromën , ënde e pret ndonëse vet ishte pjesëmarrëse e rivarrimit të eshtrave të tij. Figurën e Babës e analizon nganjëherë nga hijet e gabimeve të tij të mundshme për të stigmatizuar në këtë mënyrë pakujdesitë e baballarëve tanë. Dashuria e Dafinës për Babën, e përshkruar në romanin autobiografik të saj është model, një kod i lidhjes së fuqishme prindërore me brezat. Nana-shkruan Dafina në roman, me ka mësuar se “bukuria e njeriut gjendet brenda tij”. Një perceptim ky etik/moral i të Bukurës dhe një dëshmi e lidhjeve me të ngushta e më konkrete nënë-bijë. Në portretimin e prindërve nuk ka asgjë të sajuar, janë të kujtuar e të formësuar ashtu siç ishin në të vërtetë.

“Fëmijë në luftë” është prozë e kujtesës mbi fëmijërinë që autoren e paralajmëron si shkrimtare të mirë. Shkrimtare që rrëfen totalin e një kohe të shkurtër por shumë të pasur me ngjarje. Dafina “rrëfen qartë, rrjedhshëm dhe brutalisht”, siç thotë redaktori i botimit të veprës Gëzim Aliu. Shkrimtarja në studion e Televizionit AlbSe, Dafina erdhi në studio me sigurinë e një gazetareje televizive dhe me algoritmin paksa të ndrojtur të shkrimtares për atë që do të thotë lidhur me veprën e sapo botuar. Teksa bëheshim gati për xhirim, unë imagjinoja Dafinën si personazhe. Atë personazhe të vogël që i frikësohej luftës, milicëve serb, armëve që kur gjëmonin natën flaka e verdhë u mbërrinte edhe mbi majat e kreshtave të Goleshit. Atë Dafinë të vogël që fshihej nën krevat, kur u hynin armiqtë në shtëpi për të shastisur familjen e pambrojtur. Dhe, sikur nuk u besoja syve kur analizoja shpejtazi realitetet. Të Dafinës vogëlushe në luftë dhe të Dafina Buçincës shkrimtare në liri. Fatmirësi që ka shpëtuar nga ajo zezonë, mrekulli që ka shkruar dhe botuar kujtimet për atëzezonë. Për të çliruar vetën nga një ngarkesë dhe për t´i dëshmuar gjithë botës katrahurën tonë kolektive në fund shekulli. (Qerim Kryeziu)

Poezia suedeze në një antologji shqipe

Në prill të këtij viti doli nga shtypi në Prishtinë kjo antologji e çmuar, me poezi suedeze, e përkthyer në shqip nga poeti mërgimtar Qerim Raqi. E quaj të çmuar sepse është hera e parë që në këtë përmasë, poezia suedeze të vijë në shqip e përfaqësuar nga 100 poetë e me mbi 600 faqe poezi. Po, para se të shpreh mendimin tim për antologjinë do me lejoni të them dy fjalë si Q.K. për Qerim Raqi si autor. Raqi ka studiuar Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Pas shtegtimit, në Halmstad të Suedisë vazhdoi studimet në programin Kultura dhe Komunikimi,me përqendrim në Letërsinë komparative. Ka botuar librat me poezi: ”Gjak në mallin tim”, në Prishtinë me 2010, pastaj “The Orpheus Broken Lyre”- në Tiranë 2011 dhe “Antologjinë e poezisë suedeze” në Prishtinë më 2019.

Ka filluar të shkruajë në rininë e hershme, e botimine parë e nxori në kohën kur poezinë në Prishtinë e redaktonte edhe Emin Kabashi (që sot fatmirësisht e kemi prezent këtu). Poezia e Raqit është moderne, në poetikë, kompozicion, stil e në figuracion. Prandaj në mallin e tij rrjedh gjak , në Lyrën e thyer të Orfeut nuk kurdisen telat, në simfonitë e shpirtit trazohen keq notat. Kohë pas kohe shfaqet në faqet e shtypit shqiptar me poezi të realizuara. Disa herë mori pjesë në festivalin e poezisë së Malmös duke lënë përshtypje të mirë e duke fituar çmime të rëndësishme.

Qerim Raqi shkruan rrallë e përmallë sepse poezinë e respekton, e do shumë. Me dashuri e ka nisur dhe me sukses e ka përfunduar përkthimin e gjithë atyre poezive suedeze në gjuhën shqipe. Përkthimi i mori kohë, gati dhjetë vjet punë intensive, duke shkruar e shlyer, diku rishkruar e ruajtur poezinë e poetëve eminentë suedezë. Për komunitetin shqiptar në Suedi, emri i Qerim Raqit të kujton menjëherë djalin poet, poetin fin që me veprën e fundit ia konfirmoi vetës edhe dhuntinë e përkthimit. Ky botim, na jep guximin kulturor t´ju themi miqve suedezë, se tashmë mund të njohim shpirtin tuaj poetik, duke lexuar në shqip perlat e poezisë, të shfaqura në letërsinë tuaj këtu e treqind vjet më parë.

Poetët dhe tipologjitë përfaqësuese në antologjinë e Qerim Raqit

Antologjia fillon me poeten Hedvig Charlotta Nordenflycht e cila në letërsinë suedeze respektohet si poetja e parë që arriti të botojë përmbledhje poetike që në vitin 1743. Përmbledhje e poetes Nordenflycht, ishte në të vërtetë, një urnë e lotëve, një gurrë e pikëllimit që shpërfaqte vuajtjet e gruas 23 vjeçare të mbetur vejushë. Tetë autorët e parë ( Nordenflycht, Bellman, Kellgren, Lenngren, Leopold, Thorild e Widström ) janë poetë të Iluminizmit suedez që me veprat e tyre përgjithësojnë tipologjinë e këtij formacioni.

Disa nga këta autorë ishin edhe studentë të Universitetit të Uppsalës, autorë që mendonin e shkruanin me moton e krijuar nga ata “Të mendosh i lirë është e madhe, të mendosh drejtë madhështore”. Carl Michael Bellmani i kësaj periudhe, edhe mund të mos jetë pëlqyer atëherë, ngase ishte trubadur, hedonist, qejfli e alkoolist i madh- bëri një thes para rrush e kumbulla nëpër lokalet e shoqëritë atëhershme të Stockholmit por, s´kishte suedezë atëherë, e as sot, që të mos e ketë pëlqyer poezinë e tij. Kujto: Të periudhës së romantizmit janë këta poetë që ka përzgjedhur përkthyesi Raqi për antologjinë e tij: Tagner, Geijer, Atterbom, Stagnelius dhe Almqvist (me një pjesë të krijimtarisë). Te këta autorë ka lindur “Skandinavizmi” si tipar patriotik i romantizmit suedez. Erik Johan Stagnelius ishte liriku më i madh romantik që shkroi shumë për dashurinë, ashtu siç shkruanin edhe lirikët tjerë në kuadër të romantizmit europian. Kujtojmë Naim Frashërin në letërsinë tonë me poemën “Bukuria”. ( kurse për ju të nderuar miq ju lexojmë një pjesë të poezisë së Stagneliusit “Amanda”).

Nga periudha e realizmit autori ka veçuar këta shkrimtarë: Rydberg (ishte kritiku më i madh i shoqërisë së kohës) dhe Josef Julius Wecksell. Rreth vitit 1850 në letërsinë suedeze fillon modernizmi me August Strindbergun-si përfaqësuesin më të spikatur të kësaj epoke letrare. Modernistë tjerë në letërsinë suedeze janë edhe Heidenstam (lirik i shkëlqyer, shkroi edhe vjershën “Sverige” që u bë himn kombëtar, zakonisht këndohej në Skansa në mbrëmjen e fund vitit) pastaj Selma Lagerlöf, Gustaf Fröding (Fröding është po aq i dashur për popullin suedez sa është Naim Frashëri për popullin shqiptar) si dhe Erik Axel Karlfeld. Karlfeld sa ishte gjallë braktisi çmimin Nobel, ia dhanë postmortum për shkak të vlerave magjike që kishte poezia e tij. Postmodernist është Bo Bergman kurse Vilhelm Ekelund, njeri nga simbolistët më të mëdhenj suedez, të dytë të përfaqësuar në antologji.

Lirika moderne në Suedi pas vitit 1900 arrin kulmin e vet artistik me poetët si Bertil Malmberg –i ndikuar fort nga gjermani Rainer Maria Rilke; Evert Taube – kompozitor, piktor e këngëtar shumë i pëlqyer në popull; Për Lagerkvist – lirik ekspresionist i ndikuar fort nga kubizmi e Pikasso; Karin Boye- frojdiste e psikoanaliste që trajtoi edhe homoseksualizmin në poezinë e vet; Nils Ferrlini - që për dashurinë thoshte “askush s´mund t´i zbulojë ligjet e saj”; Harry Martinsson – me epin shumë të njohur “Aniara”; Artur Lundkvist – surrealist i formatit francez në poezinë suedeze; Gynnar Ekelöf – orientalist, surrealist e abstraksionist i madh që mbeti për shumë kohë model për poetët e rinj në letërsinë suedeze. Pas vitit 1900, letërsia suedeze shkëlqeu brenda e jashtë kufijve të vet. Autorët më të rëndësishëm të këtij shekulli letrar, tashmë i kemi edhe në shqip.

Nga poezia më e re veçojmë Tomas Tranströmer- nobelist të vitit 2011. Akademia suedeze kur i dha Nobelin e motivoi kështu vendimin e vet: “përmes imazhesh të dendësuar e të tejdritshme jep një qasje të re ndaj realitetit”. Ndërsa vet Tranströmer thoshte se “Poezia është ëndërr të cilën unë e bëj tek jam zgjuar.” Në këtë antologji, ndërkaq, janë përfshirë edhe krijimet e disa poeteve që sipas shijes dhe vlerësimit të përkthyesit, paraqesin vlera antologjike si bie fjala Ann Smith apo Rut Hillarp, poezitë e të cilave- thotë autori të rrëmbejnë me forcën e ndjeshmërisë dhe literaritetit, në trajtimin e poezisë erotike. Poezitë e përkthyera e të prezantuara këtu (550 sosh) nuk nënkuptojnë hierarkinë e vlerave në poezinë suedeze, por potencën e kënaqësisë estetike që i kanë shkaktuar këto poezi shqiptarit Qerim Raqi, së pari gjatë aktit të leximit, e më vonë gjatë përkthimit (rikrijimit). Padyshim këtu janë prezantuar majat e letërsisë suedeze me gjashtë nobelistë nga gjithsejtë tetë sa ka letërsia suedeze. Antologjia e poezisë suedeze pasuron fondin e letërsisë shqiptare të përkthyer dhe hap dyert e dritaret e letërsie suedeze për lexuesit e interesuar shqiptarë. (Qerim Kryeziu, Malmö, 16 maj 2019)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat