“Gremina e dashunisë”- Një nga fatkeqesitë e Greblleshit…

Kultura

“Gremina e dashunisë”- Një nga fatkeqesitë e Greblleshit…

Më: 27 qershor 2017 Në ora: 06:30
“Gremina e dashunisë”- Një nga fatkeqesitë e Greblleshit…

Libri “Kujtime”, (1939-44), i shkrimtarit të njohur Mustafa Greblleshi, botuar nga SHB “#abej”,  që ka dalë në qarkullim kohët e fundit në Shqipëri dhe Kosovë, më nxiti dhe mua të shkruaj disa kujtime për të, të cilat  po i rendis  më poshtë:

“Kisha kaluar 19 muaj në qelitë e burgut të Tiranës, kisha provuar mbi trupin tim tortura nga më çnjerëzoret; për ditë të tëra duarlidhur, me një zinxhir të ngulur të tavan, pezull e këmbë që nuk më hasnin në dysheme, aq sa një mesditë, kur torturuesit më zgjidhën, u këputa në dyshemenë e ftohtë akull të qelisë dhe mbeta pa ndjenja deri të nesërmen në mëngjez; kisha parë një  politikan të njohur nacionalist, të dergjur në dyshemenë e ftohtë të qelisë  dhe  të përgjakur nga rrahjet, të kërkonte një gotë ujë, që hetuesit e përbindshëm nuk ia kishin dhënë, deri sa kishte dhënë frymën e fundit.…Dhe ja, po lirohesha. I pafajsëm, si disa të burgosur të tjerë që na kishin reshtuar në oborrin e burgut, midis të cilëve edhe miqtë e mi gazetarë në gazetën “Bashkimi”, Petro Marko dhe Andrea Varfi, të burgosur  dhe torturuar,  kinse për faje shumë të rënda që i ngjesheshin   vetëm  Koçi Xoxes, që tashmë ishte   shpallur armik i Partisë dhe i popullit. Pafajësinë na e kumtonte Mehmet Shehu,  ministri  i Brendshëm që u tregua më xhelat se i mësipërmi . Por më pas, një vartës I tij më pati thënë:

“ Sidoqoftë, një faj e ke bërë: kur më 1944 rinia kërkonte të lexonten vepra revolucionare, ti botoje “Greminën   e dashunisë”, roman që rrëmbeu mendjet dhe ndjenjat e të rinjve të asaj kohe”.

Image

Këto më tha Mustafa Greblleshi një ditë vjeshte të  vitit 1980, kur bisedonim në një kafene. Isha njohur me të disa javë më parë të gjatë vizitës që kisha bërë në shtëpinë e gjuhëtarit të madh, Eqrem #abej, i cili  sapo ishte ndarë nga jeta, ku si mik I ngushtë i tij, doemos që ndodhej dhe ai. Isha njohur atë ditë së afërmi,  kur këtë roman e kisha njohur më 1952, atëherë nxënës i vitit të parë në Gjimnazin “ Qemal Stafa të Tiranës. Më kujtohet se atë  ma kishte dhënë fshehurazi një shok i klasës,  dhe se e kisha lexuar  brenda një dite, sepse të nesërmen do ta lexonte dikush tjetër. Nuk arrita të mbaroja së lexuari atë ditë; as dhe në mbrëmje. Kësisoj u zgjova në mëngjes pa aguar, lexova i prekur  kapitujt e fundit, mësova kështu për fatin tragjik të të dy dashuruarve,  dhe në mëngjes ia dorëzova librin shokut  tim.

Por po kthehem te kujtime të tjera për Greblleshin:

“Një nga hetuesit e mi gjatë kohës së burgimit tim, ishte një shok imi i gjimnazit, student I paaftë, egoist dhe smirëzi, që kishte përfunduar në ministrinë e Brendshme. Gjatë bastisjeve në shtëpinë time, ai kishte gjetur letra që kishin më ardhur mua nga lexues, në të cilat më shprehnin mirënjohje  për ”Greminën e dashunisë:” Midis tyre kishte dhe vajza. Ky hetues mizor, duke më torturuar, kërkonte të dinte se mos  kisha pasur lidhje dashurie me ndonjerën prej tyre, kur unë nuk i njihja as për fytyrë ... Ja ku arrinte poshtërsia e tij!”.

Edhepse doli i pafajshëm, Greblleshin  nuk e lejuan të kthehej në gazetën “Bashkimi’. U katandis të bënte punë nga më të ndryshmet, deri sa përfundoi …bojaxhi. Rëndonte mbi të vrasja nga komunistët , krejt pa arsye, e të atit të tij, ish-ushtarak i lartë në vitet 30-të të shekullit të kaluar, pensionist dhe i sëmurë, siç u vranë dhe shumë intelektualë të tjerë në masakrat e tetorit  të vitit 1944 .

“ Një ditë,- siç më tregonte  ai përsëri,-  mua dhe një shokun tim na dërguan të lyenim mjediset e ambasadës polake. Kur po kalonte pranë nesh, ambasadori hokatar seç mërmëriti  një shprehje në frengjishte, së cilës edhe unë, padashur,  iu përgjigja po në atë gjuhë. Ai mbeti I habitur dhe kur gjatë pyetjeve të tij  këmbëngulëse u shtëngova t’ i shpjegoja,  gjithnjë në frengjishte,  se isha shkrimtar,  u ngrys dhe nuk e zgjati. Siç dukej, duke marrë me mend se ç’më kishte  ndodhur… Sigurisht , se një fat të tillë kishin pasur edhe shkrimtarë në vendin e tij komunist”.

Dhe për ironi të fatit, do të vinte viti 1963 që Greblleshi përvojën e tij si bojaxhi ta derdhte në faqet e vëllimit me tregime, të titulluar  “Albumi i një bojaxhiu”. “Pati shokë, -më tha një herë  ai,- që u trëmben nga tituli i këtij vëllimi , sepse dukej sikur u kujtonte lexuesve “nafakën”  e një shkrimtari që nuk nuk vinte nga radhët e… “kllasës punëtore”, por ishte katandisur të bëhej i tillë, për më tepër bojaxhi…Por, për fat të mirë, nuk u dëgjua ndonjë “sirenë alarmi” nga lart”.

Dhe vazhdoi: “Aty nga fundi i viteve ’60-të dorëzova në SHBSH “Naim Frashëri’ një vëllim tjetër me tregime. Por, çuditërisht, nga pakujdesia e pafalshme e një redaktori,  ai humbi. Për më keq, më kishte humbur edhe mua kopja tjetër.Kjo më bëri të vuaj shumë shpirtërisht, sepse e kisha të pamundur që t’i rindërtoja ato tregime nga e para, siç më thanë shokë që i kishin lexuar, nga më të mirat që kisha shkruar ”.

Në një bisedë tjetër më kujtoi plot trishtim  : Viti 1967. Nën shembullin e Revolucionit famëkeq në Kinë , edhe në Shqipëri nis i ashtuquajturi ”revolucionarizim i vendit”… Rifillon lufta e klasave, rishihen dhe…biografitë, sidomos të intelektualëve me kahje perendimore, rishihet dhe biografia ime: babai I pushkatuar, unë  vetë i burgosur…Kështu nga bojaxhi, katandisem të punoj në llaç, madje duke pritur tërë ankth, se mos një ditë të afërt të internohem  me tërë familjen. çuditërisht kjo nuk ndodh…Sigurimi nuk arriti deri aty.

Image

Më pas,  në bisedë bisedë tjetër  me të, ra fjala për konkurset letrare që organizoheshin aso kohe dhe që , siç ndodhte  jo rallë, fituesit e tyre shpalleshin me… taraf. Buzëqeshi dhe zuri të thoshte: ”Më 1944 u organizua një konkurs, për  të shpallur tregimin më të  mirë, ku morën pjesë shkrimtarë  në zë  të asaj kohe. Por, sipas  regullores së jurisë, autori nuk duhej të vinte emrin e tij poshtë tregimit,  i cili   futej në një zarf që i dorëzohej noterit  të emëruar për  këtë punë. Ai vinte mbi zarf numrin e radhës. Pastaj në një listë shënonte titujt e tregimeve, numrat  e tyre  dhe emrat e autorëve  pëërkatës, të cilën e fuste  në një zarf tjetër, të dyllosur.

Kështu anëtarët e jurisë shqyrtuan tregimet, pa ditur se cilët ishin autorët dhe shpallën fitues tregimin me numër 5. Atëherë së bashku me noterin hapën zarfin, ku ishte lista e autorëve të  tregimeve dhe numri  i tyre rendor. Doli se me numrin 5 ishte shënuar tregimi im. Më  përgëzuan të tërë,  aq më tepër që çmimi kishte vlerë të madhe parash për atë kohë, sa habiti dhe gëzoi dhe dhe familiarët e mi. Veçanërisht babën,  ish –officer I lartë , që   mbaruar studimet e larta në Turqi dhe tërhequr  në pension më 1939.

Një ditë  Mustafai më rrëfeu  për përkthimet e tij nga italishtja dhe frengjishtja. Veç  vëllimit me tregime “Jeta lakuriq” të Pirandelos , botuar më 1963, që pati jehonë edhe për nivelin e lartë  të gjuhës së tij, Mustafal  më tregoi se kishte në dorëshkrim vepra të tjera të përkthyera, ndër të cilat vëllimin me përralla të famshme orientale ”Një mijë e një net”dhe romanin me motive vetëjetëshkrimore   “Muzgu i bregut tjetër”. Kjo ndodhi në verë të vitit 1984. E lexova me shumë kurreshjte. Personazh  kryesor ishte një nga studentët  shqiptarë dhe e dashura e tij, bija e një industrialisti të madh Italian në vitet 1943-44. Në kushtet tragjike të Luftës së Dytë Botërore e dashura kërkon që ata të arratisen në Zvicër, por ai vendos të kthehet në Shqipëri. Siç I kishte ndodhur vetë Greblleshit, i cili e kishte urryer fashizmin dhe kishte dalë në demostrata kundër tij, që më 1939. Por ajo vepër, ishte  shkruar larg parimeve  të realizmit socialist, ku asgjëkundi nuk përmendej fjala “komunist”. Ndaj vështirë se mund të botohej. Kësodore,  i bëra disa sugjerime të kësaj natyre. Iu vu punës.

 E çuditshme,  brenda tri javësh ai e ripunoi romanin, pra e ktheu siç e kërkonte… koha. Mirëpo nuk e dërgoi për botim. E shoqja e tij, Rushi, më shpjegoi më pas se atij i vinte rëndë të ma  thoshte mua, që  nuk mund të pajtohej me ato… kërkesa, kështu që më mirë romani të mbetej në sirtar. Dhe kështu u bë.

Në fillim të vitit 1986 Mustafai zuri të të ankohej për dhëmbje trupore. Kur një ditë shkoi në ambulancë, mjekja i tha vrazhdë të vinte të nesërmen,  sepse orari I vizitave kishte mbaruar. Por kur pa atë burrë të gjatë dhe  të fismë  t’i  fliste me butësi, e vizitoi. Dhe kur dëgjoi edhe emrin dhe mbiemrin e tij, briti  tërë gaz: “Gremina e dashunisë”!? Pas më shume se 40 vjetësh nga botimi, kjo vepër, ndonëse erotiko-shoqërore, dëshmi e  fatit tragjik të dy të rinjve që nuk mund të bashkohen, ngjallte dëshirë për t’u lexuar edhe nga breza të tjerë.

 E vizitoja shpesh Mustafain në shtëpi,  por shihja se gjendja e tij shëndetësore po keqësohej. Vuante nga osteoporoza. Dhe ja, papritur erdhi vdekja, më 22 maj të vitit 1986, në moshën 64-vjeçare. Kur takova Rushin, ajo  me lot në sy më tha: “U shua, ulur në divan,  pranë ballkonit, me një libër në dorë. Fjalët e fundi që shqiptoi, ishin: “Sa më ka marrë malli për Eqerem #abejn. Sikur e parandiente që pas 6 vjetësh do të shkonte te miku i tij aq i vyer”.

Pas shëmbjes së komunizmit më 1994, botova romanin “Kukuvajkat e mesnatës”, që ishin sigurimësat, të cilët  me burgime në orët e vona të mbrëmjeve  na kishin terrorizuar. Personazhi kryesor është Ylber Gerbi, (pra Greblleshi), mishëruar  sipas disa ngjarjeve  të jetës së tij, duke përfshirë edhe burgimin dhe vuajtjet e mëpastajme,  të cilat  i përfshiva në këto kujtime.

Edhe sot e ndjej veten krenar se kam përjetësuar në një vepër letrare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat