Disa fjalë për librin e Laura Erber

Kultura

Disa fjalë për librin e Laura Erber

Më: 14 maj 2018 Në ora: 17:18
Laura Erber

Nga: Ilire Zajmi

Laura Erber, erdhi në Kosovë me librin “E kthyera” pa e kuptuar fare se po vinte me poezitë e saj në gjuhën shqipe, në një vend ku letërsia braziliane është pak e njohur.“Kthimi” i saj poetik përmes përkthimit të Elvi Sidherit, e shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” në Prishtinë, megjithatë nuk kaloi pavrejtshëm.

S ‘ka sesi. Për shumë arsye. Laura Erber, të magjeps që në rreshtat e parë. Poezitë e saj të fusin natyrshëm në kurth, nga e cili nuk ia del të çlirohesh derisa të mbyll tërë librin.

“E kthyera” të godet me sintagmën e famshme të Silvia Plath “Mund të shkruaj poezië Për ndonjëfarë sëmundje ngjitëseë

Pikërisht “llojet e sëmundjeve ngjitëse” Laura përshkruan te pjesa e parë e librit, për të vazhduar me Qielli i Vesterbro dhe e Kthyera.

Ashtu si te Plath, edhe te Erber hetohen qartë konceptet filozofike. Poezi që qëmtojnë thellësi analize, që kërkojnë të lexohen disa herë për të kuptuar trillin e “sëmundjes ngjithëse” nga e cila “vuan” autorja e të cilat i vizuelizon përmes fjalëve.

Poezitë e saj janë imazhe të fuqishme, që të shpalosin parasyve një lloj metafizike, ku autorja e paraqet veten në një lloj gjendje gjysmë të vdekur. Për të gjithçka është reminishencë,imazh, simbolikë, figuracion. Ajo përherë niset dhe kthehet diku, për ti paraqitur nisje –kthimet e veta në poezi –imazh.

Me një gjuhë të thjeshtë por të fuqishme, me përshkrime groteske të situatave të habitshme në vargje, poezia e Erber, të kthen te kuptimi i vetmisë, jetës dhe vdekjes.

“E kthyera” paraqet një botë të pasur shpirtërore të një shkrimtare, artiste pamore , duke vën në pah gërshetimin fantastik të përvojave jetësore të skalitura në poezi.Si e tillë, kujtoj se përmbledhja me poezi “E kthyera” ia vlen të lexohet dhe përjetohet si urë e re lidhëse me letërsinë braziliane. Laura besoj se është kthyer në shqip, për të mos ikur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat