Alfred Qose i Sojnikut dhe një mesazh dashurie në kohë…

Kultura

Alfred Qose i Sojnikut dhe një mesazh dashurie në kohë…

Nga: Gezim Loka Më: 25 gusht 2018 Në ora: 12:48
Gezim Loka

Me Alfred Qosen, birin e Sojnikut, që e ka marrë vendlindjen e tij me vete si një gurë lëvizës, herë si gur Sizifi e herë si gur-ogur i mirë, në çdo cep të shqiptarisë, ndodhë që ulemi në ndonjë kafe e flasim gjërë e gjatë për trevën e tij. Në Tiranë koha rrjedh vrullshëm, por kur njeriu flet për atë pjesë të shpirtit të tij ku janë strehuar ëndrrat dhe kujtimet e moshës rinore, koha bëhet ujëvarë dashurie e malli…

Alfredi është i punës dhe i fjalës së mbajtur, intelektual me horizont të gjërë dhe popullor në sjellje, i gjendshëm dhe i komunikueshëm.   

Nën këtë prehër malesh të lartë, ku natyra trillere dhe kapriçoze shkon në harmoni me shpirtin e vrullshëm dhe plot mirësi të banoërve, kam kaluar një pjesë të rinisë sime, kam mbjellë dashuritë dhe ëndrrat për jetën.Kam pjestuar çaste të bukura, të trishtuara, të ëmbëla, të hidhura, me njerëzit e një krahine, që në rrugëtimin e vet historik, në kohë-hapësirën shqiptare, ka pasur më shumë se ditë vepra e bëma atdhetare.

Gramshi është shpirt i ndezur atdhetarie.

Në të gjithë fshatrat e kësaj krahine unike, historia dhe përditshmëria shkrihen në një me natyrën e virgjër e piktorekse, si të pikturuar nga dora e një piktori impresionist. Kjo trevë i ka të shumta ngjarjet dhe datat historikë, i ka të shumtë dëshmorët dhe heronjtë, i ka të shumtë intelektualët, krijuesit, shkrimtarët, poetët, artistët, njerëzit e dijes e kulturologët, ata që e kanë mbartur Sojnikun me vete, kudo që kanë shkuar si një testament malli e dashurie të pashtershme.

Që nga ikonat gramshiote që bënë  emër në panteonin e lavdisë kombëtare, e deri tek luftëtarët e lirisë që në valët e Luftës së Dytë Botërore u hodhën në skalionin e qëndresës për drejtësi shoqërore, janë me dhjetëra emra që duhen nderuar e përkujtuar.

Udhëtimi në Gramsh nuk ka kuptim pa këto emra qëndrese, pa këto pjesë të historisë, që i bashkëngjiten krenarisht historisë gjithëkombëtare.

Kultura e lashtë dhe historia e mbrujtur shqiptare, një dëshmi e njërës nga kulturat më autoktone kombëtare, e bëjnë Gramshin një kështjellë virtyti dhe krenarie legjitime.

Gjurmët që të çojnë drejt Gramshit e gramshiotëve janë gjurmë pune e përkushtimi, krenarie e qëndrese, atdhetarie e vlerash.Janë gjurmë të qindra kuadrove e intelektualëve që kanë ardhur, kanë punuar e jetuar në Gramsh, nga veriu e jugu, nga çdo cep i Shqipërisë.Këtu, midis gramshiotëve, janë ndier mirë, të mikpritur, të nderuar, të rrethuar me dashuri e përkujdesje njerëzore.

Megjithë dyndjet e mëdha të banorëve të zonave rurale drejt qyteteve dhe metropoleve, Sojnikun nuk e kanë braktisur vendlindjen e tyre. Natyrisht që ka pasur dhe ka shpërngulje drejt qyteteve, por shumica kanë mbetur aty, në tokën e tyre, duke kërkuar që t’i kultivojnë rrënjët e një jete më të mirë aty ku kanë varret e gjysh-stërgjyshërve, ku kanë qarë e kënduar për herë të parë në jetë, ku në çdo cep fryjnë erëra lirie e qëndrese kombëtare.

Në çdo cep shqiptarie miku nderohet e respektohet, por jo si në Gramsh. Në Gramsh miku është një kult, aq sa është vërtet privilegj që të jesh mik në Sojnik. Riti i mikpritjes me kohë është kthyer në një kod gjenetik e psikik i sojnikasve, me të cilin ata identifikohen dhe ky kod përcillet në mënyrë të natyrshme nga brezi në brez, nga koha në kohë.

Traditat e Gramshit të ardhura që nga lashtësia e të ruajtura gjer në kohën tonë janë monumente shpirtërore të një treve historike, dalluar për besë e buajri.

Kur shkel në Gramsh, udhëtari gjendet para të papriturave suprizuese, ku krye e papritura është trajtimi si një gjysëm hyjni i mikut. 

Sojniku shtrihet nën këmbët e malit të Licesit, rrethuar nga liqeni i Dushkut dhe përkundruall mali i Tomorrit kryelartë, vendi i Abaz Aliut dhe kulteve të bektashizmit.

Mali i Komjanit është vendi i shenjtë ku ndodhet tylbja e Komjanit, ku çdo vit mbahet ndezur zjarri i festës bektashjane në këtë vis përrallor të besimit bektashian. 

Sojniku, zemra e Gramshit bujar, me histori e përditshmëri të trazuar, më ka ofruar kafenë dhe rakinë, mezenë dhe muhabetin e ëmbël në odat sojanikase, ku njerëzit e kanë në gjak e në limfë mikpritjen dhe bujarinë.  Kam njohur bujq, blegtorë, barinj të dalluar, veteranë, mësues, mjekë, me të cilët kam shkëmbyer përshëndetje e ndërruar duhan, kemi ngrënë e pirë në vatrat bujare sojniakse.

Për Gramshin është folur e shkruar shumë, nga gramshiotë e jo gramshiotë, janë botuar reportazhe, mbresa udhëtimi, libra e gudia turistike nga gazetarë, shkrimtarë, udhëtarë të shquar, njerëz të medias e shkencës, botanistë, mjekë, enciklopedistë etj. Gjithçka në këtë publikim mund të përmblidhet në vlerësimin e natyrës së mrekullueshme, çlodhëse e argëtuese dhe mbi të gjitha të shpirtit të pasur sojnikas, të një historie që ka ardhur gjer në ditët tona me bëma të mëdha dhe protagonistë të mëdhenj. 

Në Sojnik kam hyrë e dalë si në shtëpinë time në shtëpinë e Qoseve, të Nezir Qoses dhe djemve të tij, Alfredit, Petritit dhe Fatosit.Një derë e shkëlqyer mikpritjeje, e çelur kanat më kanat për miqtë, për të njohur e të panjhur, të cilët mund të gjenin në çdo kohë në këtë derë një sofër bujare të shtruar, gotën e rakisë dhe fjalën e ëmbël të mikpritësve.

Një derë jo vetëm bujare, siç janë të gjitha dyert sojnikase, por me njerëz të zgjuar, që jo vetëm dinë të jetojnë e të shijojnë të mirat e punës së tyre, por nuk jetojnë vetëm për veten e tyre, por për hir të shokut, mikut, dashamirit, nevojtarit.

O Derë e Qoseve, o themel qëndrese,

Me burra sojnikë, bijë të fortë bese,

Ku miku ndihet mbret e me fund ngre dolli

E gazmohet pragu, nga themeli në çati…

Me gjurmë në kohë furtunë për liri

Me pushkë e zemër veç për shqiptari…

Me burra pune, që jetë i japin gurit

E bujaria është zemra e vetë burrit…

Dera e Qoseve në shekuj është shquar për besë e qëndresë, për atdhetari e nacionalizëm, ku burrat e saj kanë marrë pjesë në të gjitha luftërat qëndrestare të kohëve furtunë. Ajo ka dhënë dy partizanë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku janë radhitur si luftëtarë të lirisë në të famshmen Brigada e parë, Sulmuese Nezir Qose, babai i Alfredit dhe Skënder Qose, dhe Afëz Guzi dëshmor të Atdheut.

Betejat ndërtimtare të pasçlirimit, bijtë e Qoses i përballuan me punë e dinjitet, me shkollim e dije, me përkshtim e dashuri, për të çuar edhe këtu në prehër të maleve, dhe të jetës, progresin dhe zhvillimin e gjithëkahshëm.       

Më shumë më lidhi fjala e kuvendi por dhe nevoja me Alfred Qosen, mjek farmacist, me të cilin shkëmbenim mendime për librat e rinj që lexonim, për botën e arti, letrave dhe atyre mjekësor, që ishin një oaz përherë gjelbërosh i pasioneve të tij.

Që atëherë në Sojnik dhe ende më shumë sot në Tiranë, ku punon si farmacist, përherë në shërbim të nevojave të njerëzve, me Alfredin kam mbajtur dhe mbaj kontakte të vazhdueshme.Ai është një mik i mirë, një njeri me kulturë dhe vizion, një mjek farmacist i përkushtuar, aq i nevojshëm për mua që tash rreth dyzet vjet vuaj nga probleme të zemrës.

Dhe jo vetëm për mua, por për dhjetëra e qindra pacientë, miq të tij dhe të njohur e të panjohur, që vijnë nga Sojniku, nga Gramshi, nga Mokra, nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria në farmacinë e tij, për të marrë ilaçet e duhura dhe që nuk janë të rralla rastet kur për nevojtarët dhe të pamundurit, Alfredi  i shkruan në defter, ose “i shkruaj në akull”, siç thotë vetë me atë humorin e tij karakteristik.

Kurat e tij, pa dubluar kurrësesi mjekun e familjes dhe specialistin përkatës, janë mjaft efikase për pacientë që vijnë nga ana e anës dhe marrin barnat dhe mjekimet e rekomanduara prej tij.

Klejdi, djali i tij ka marrë rrugën e artit muzikor, ku ka shkëlqyer e shkëlqen çdo ditë jo vetëm në marrjen e dijeve të nevojshme sipas cikleve të shkollimit në këtë fushë, por dhe me projekte të ndryshme artistike, mjaft të suksesëshme. Si kantautor mjaft produktiv dhe pasionant ka marrë disa çmime kombëtare e ndërkombëtare si në Shkodër, Tiranë, Poloni, Turqi etj.

Vajza dhe bashkëshortja e Alfredit janë amvisa të mrekulleshme dhe femra me kërkesa për jetën, të cilat ia bëjnë më të ngrohtë e më të prekshme vatrën  familjare të Alfredit.  

Petrit Qose, i vëllai i Alfredit është një person me lidhje të forta shoqërore e farefisnore, që bën aq shumë për mikun, shokun, ata që e rrethojnë në përditshmërinë e tij.

Vëllai tjetër, Fatosi është një mjeshtër i kopështarisë, ku me punë e pasion krijon bahçe të mrekulueshme, me lule e pemë të gjithëfarëshme, aftësi kjo për të cilën çmohet kudo ku e marrin për të punuar në këtë soj shërbimi.       

Njerëz si Alfred Qose të bëjnë të vlerësosh kultin e miqësisë, shoqërisë, nderit dhe respektin për mikun dhe shokun, ta njohësh më nga afër Gramshin, Sojnikun, traditat më elitare që burojnë nga shpirti i njerëzve të thjeshtë, intelektualëve dhe veprimtarëve shoqërore, që shohin përtej hundës së tyre, përtej rrethit të interesave të ngushta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat