Vepra artistike si proces i njëmendësimit të kreativitetit artistik - Bota Sot
Vepra artistike si proces i njëmendësimit të kreativitetit artistik

Kultura

E hënë, 22 tetor 2018

Vepra artistike si proces i njëmendësimit të kreativitetit artistik

Nga: Mr Bislim Aliu Më: 18 shtator 2018 Në ora: 14:22
Mr Bislim Aliu

Pa dyshim vepra artistike në shpërfaqjen e saj, duhet ta ketë kreativitetin logjik të njëmendësimit artistik. Gjithsesi, kjo bredhërisje e rezonuar dhe e shtjelluar si duhet, do kohë dhe sakrificë të vazhdueshme, për  realizimin e mirëfilltë të imazhit të preferuar në veprën artistike. Sot për sot, në kreativitetin artistik,  po na lindin shumë dilema në njohjen e imazhit të shtjelluar në veprën artistike.

Gjithsesi  shpërfaqja e veprës artistike, është një proces tejet i  ndërlikuar në kreativitetin artistik të krijuesit. Dhe, sqarimi i thelbit artistik të veprës artistike, si vlerë e pavarur shoqërore e kulturore; gjithnjë ishte në vëmendjen e përhershme të studjuesve dhe artistëve të ndryshëm, e  sidomos në kohën e sotme ku po tregohet interesim i veçantë për të arrirat artistike.

Ndaj, për të analizuar këtë “prodhim intelektual”, u përpunuan shumë metoda të ndryshme, të cilat përmes këndvështrimeve; sociologjike, psikologjike, strukturave semiologjike, ndriqohen anë të rëndsishme të veprës artistike. Për kundër të gjithave, në njohjen e veprës së krijuar, është e domosdoshme, historia e njëmendësimit të veprës dhe procesit kreativ të këtij “prodhimi” artistik. Zatën vepra artistike është produkt (prodhim) i lartë intelektual, dhe për njohjen e saj, kërkohet angazhim  përmbajtësor dhe imençuri, në njohjen e këtij prodhimi artistik.

“Struktura dhe identiteti estetik i çdo vepre – shkruan esteti  A. Uçi – nuk mund të kuptohen jashtë mardhënieve të saj me veprimtarinë krijuese të artistit. Cdo vepër dëshmon për shumë tipare të procesit krijues të saj… zbulimi i “laboratorit të punës krijuese”, që i ka paraprirë ose që ka përcjellë krijimin e tyre, të dhënat rreth “biografisë” së veprave kanë rëndësi të madhe për të shpjeguar shumë anë të tyre”.

Qartësia dhe joqartësia e imazhit të shtjelluar

Pa dyshim, vepra artistike në shpërfaqjen e saj, duhet ta ketë kreativitetin logjik të njëmendësimit artistik. Gjithsesi, kjo bredhërisje e rezonuar dhe e shtjelluar si duhet, do kohë dhe sacrificë të vazhdueshme, për realizimin e mirëfilltë të imazhit të preferuar në veprën artistike. Sot për sot, në kreativitetin artistik, po na lindin shumë dilema në njohjen e imazhit të shtjelluar në veprën artistike.

Gjatë procesit të njëmendësimit të veprës artistike; disa krijues, e kanë të qartë formësimin e imazhit që do të shtjellohet në veprën artistike. Këta krijues, gjatë punës, nuk bëjnë fare korrigjime, meqë e kanë të qartë imazhin për veprën e caktuar. Megjithatë, disa krijues të tjerë, nuk e kanë të qartë imazhin, ose fare pak e kanë të formësuar atë. Andaj, kupohet, këta krijues gjatë punës, imazhi i tyre duhet të përpunohet dhe të qartësohet. Pra, grumbullohen vazhdimisht material që shërbejnë në qartësimin e tij dhe në konkretizimin e imazhit të kërkuar.

Skulptori ynë i madh O. Paskali, për vështirësitë që i dilnin atij gjatë punës së tij krijuese, për t’i realizuar portretet e figurave historike dhe për mënyrën, se si i sendertonte ato, në një bisedë në vitin 1979, sqaronte: “Në tërë rastet një gjë është e përbashkët, të cilën e kam patur gjithnjë parasysh; njohja dhe studimi i personalitetit të figurës, sidomos i asaj ane, për të cilën ai shquhet dhe për të cilin bëhet busti… Po kaq rëndësi i kushtoj edhe ngjashmërisë fizike. Theksoj pak më shumë anët më karakteristike, që vepra të ngjasojë e të jetë sa më realiste”.

Realizimii veprave të mirëfillta kërkon kohë më të gjatë

Dihet mirëfilli, se veprat e mëdha artistike; qofshin kompozime në pikturë, ose ato në skulpturë; realizohen në afate të gjata. Dhe, në kontekst të kësaj, mund t’i përmendi disa vepra të cilat janë krijuar në afate të gjata, si: “Mona Liza” e Leonado Da Vinços, është krijuar  (pikturuar) për katër vjet, ose “Kupola e Sikstinës” e Mikelangjelos, është pikturuar për katër vjet. Pra, kuptohet, veprat e mirëfillta dhe të mëdhe krijohen  në afate të gjata.

Gjithsesi, ky proces i njëmendësimit të imazhit; gjithnjë duke patur parasysh disa çështje të struktuës së veprës artistike, në librin e tij “Gjurmë jete”, O. Paskali, shkruante :  “  Vepra  e artit figurativë mund të krahasohet me një koncert. Pra,  si koncerti, ajo duhet të ketë unitet kompozicional, harmoni , qendër emocionale, dhe përmbajtje ideore. Cdo vepër e arritur, shton ai, i përgjigjet këtyre të dhënave”.

Në kohën e sotme, kur secili krijues është i lirë ta shpërfaq idenë dhe mendimin e vetë lirshëm, kur më tepër po përfillet arti moder dhe apstraksioni, kemi rënë në një pozitë tejet të vështirë që ta dallojmë me të vërtetë domethënien e vërtetë të kreativitetit të imazhit në veprën artistike. Kjo më tepër po ndodh me krijuesit e rinj të cilët po mendojnë ta arrijn piedestalën për një kohë të shkurtër, pa njohuri rezonuese dhe pa kreativitet të gjatë artistik! Pra, po jetojmë në një kohë, kur disa krijues po ekspozojnë çdo gjë, ama çdo gjë, kur veprës i mungon logjika e njëmendësimt artistik, ideja dhe imazhi artistik dhe besa, për këtë, nuk e di vallë, pse në disa ekspozita kolektive apo edhe individuale po lejohet të ekspozohen vepra; pa ndjesim, pa ide, pa fare kreativiteti logjik dhe pa fare domethënie të imazhi artistik ?!..

Pra, na ka rënë të  shohim, këtë “kreativitet” morbid, pa gjak, pa ndjesim artisti  edhe në ekspozita të organizuara nëpër galeritë tona ku ndonjëherë pranohen që të ekspozohen pa ndonjë kriter artistik dhe pa ndonjë lidhjeje të brendshme strukturore, ose besa, edhe pa ndonjë logjikë të mbarshtrimit artistik të cilat  sigurisht na qojnë drejt një  fragmentarizmi ideartistik. Dhe, tani, shih edhe atë absuditetin e madh: ndonjëherë  besa, mu këto vepra tërësisht pa domethënie artistike dhe estetike, edhe janë shpërblyer nga komisioni artistik ?!!!

Sido që të jetë; kreativitetin e mirëfillt artistik, nuk duhet me qëllim ta anashkalojmë dhe me qëllim ndonjëherë edhe t’ia humbim vlerën, e t’ia hapim udhën, antiartit dhe antivlerës. Antivlerën duhet ta largojmë njëherë e përgjithmonë. Kjo antivlerë ka ngritur kokën në të gjitha artet; muzikë, pikturë, në artin dramatik…T’ia hapim udhën artit të mirëfilltë. Vetëm ai na duhet. Ta shpërblejmë, ta stimulojmë  dhe  ta përkrahim atë. Vetëm  kështu do të krijohet arti i mirëfilltë që përherë duhet Kosovës, sot e gjithmonë…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test