Dr. Ibrahim Rugova - personalitet i cili tejkaloi kohërat në të cilat jetoi dhe veproi

Kultura

Dr. Ibrahim Rugova - personalitet i cili tejkaloi kohërat në të cilat jetoi dhe veproi

Nga: Mikel Gojani Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 14:39
Dr. Ibrahim Rugova

I. Personalitet i shkencës dhe i diplomacies që (s’)lind në çdo kohë

Në jetën shoqërore, përgjithësisht ndodh, që njerëz të shquar,  kulturës, shkencës, artit,  e të historisë sonë kombëtare, të veçohen nga të tjerët për aftësi intelektuale, për përkushtim  në çështjet madhore, për veprimtari të devotshme dhe  për pathyeshmëri të vullnetit e të idealit të lartë  që kanë në shpirt. Të tillë njerëz lindin në çdo kohë, janë  të nevojshëm  për jetën, shoqërinë  dhe kombin në përgjithësi dhe, secili në fushën e vet e njëherësh bashkërisht i vënë vulën arsimit, kulturës dhe historisë së një kombi. Brezat që pasojnë, si begati më e çmuar e një kombi, të kaluarën e rimarrin, pikërisht nëpërmjet këtyre njerëzve  të shquar.

Njëra nga ato figura  që ka mbetur në gjurmët e letërsisë dhe të shkencës, padyshim është  edhe ajo e dr. Ibrahim Rugovës, që i takon profilit të personaliteteve të shquara  të shkencës, të artit e të letërsisë, të  cilëve posa t’u zihet ngojetë emri  të kreshpëron në shtat, të drithëron në ndërgjegje, të mbushin me frymëzim dhe, që, me porosinë e veprave të tyre të japin  shumëçka për të kuptuar  brendinë dhe qëllimin e krejt asaj  për të cilën janë përkushtuar; të  mobilizojnë edhe  më shumë për t’iu qasur edhe më me ngulm  studimit të jetës dhe veprës së tyre.

II. Përfaqësuesi më i denjë i epokës

Edhe veprimtaria e gjithanshme e dr. Ibrahim Rugovës, në planin kulturor, shkencor, shoqëror e atë  politik, përputhet plotësisht me kohën kur  kombit tonë po i përgatitej një kataklizmë e tmerrshme nga forcat e errëta serbosllave; fund  e krye  ajo përshkohet  me përpjekjet dhe aspiratat dhe të idealeve të mbarë popullit  shqiptar. Prandaj, duke qenë personalitet më i shquar që iu përgjigj me devotshmëri kërkesave të popullit, që i ripohoi ato me një gjerësi dhe me një cilësi të shkallës më të lartë,  duke ruajtur kontiunitetin e traditës, dr. Ibrahim Rugova konsiderohet  përfaqësuesi më tipik i shkencës dhe i lëvizjes shoqërore-politike të popullit  tonë në këtë kohë, si  njëri  nga përfaqësuesit më të denjë të epokës sonë.

III. Veprat që do t’u shërbejnë gjeneratave

Me opusin e tij letrar, sidomos në fushën e kritikës e të eseistikes, si me veprat “Prekje lirike” 1971,  “Bibliografia e kritikës letrare shqiptare ’44-74” (me Isak Shemën) 1976, “Kah teoria” 1978, “Kritika letrare” (me Sabri Hamitin) 1979, “Strategjia e kuptimit” 1980, “Vepra e Bogdanit 1975-1685” 1982, “Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” 1986, Refuzimi estetik” 1987 etj. Figurën e dr. Rugovës e dëshmojnë  të atij prej një personaliteti  të shquar dhe mjaft produktiv të kritikës dhe eseistikes letrare, me të cilat, këtyre fushave, me lëndët që i është qasur  dhe vënë në sipërfaqe, letërsisë sonë në këto zhanre i ka sjellë novitet, me ç’rast këto vepra të tij do të mbeten  bazë  edhe për gjeneratat e reja, të studiuesve  shkencorë të letërsisë shqipe. Arti i Rugovës paraqet një veçanti në vete dhe që shumë vështirë mund të përsëritet,  dëshmojnë  figurën e spikatësit  dhe të vrojtuesit të denjë  te metodologjisë teorike-letrare dhe  letrare-historike.

IV. Rugova si Bogdani, tejkaluan kohërat në të cilat jetuan 

Dr. Ibrahim Rugova njihet  si pasuesi  më i denjë  i kontinuitetit të traditës. Ai është sikur Bogdani. Atë e lidhin shumëçka me Bogdanin, i cili  po ashtu edhe është frymëzuesi më i denjë i tij. Edhe Bogdanin, edhe Rugovën i lidhin shumëçka  që do t’i rezistojnë kohërave. E kanë cituar edhe shumë studiues të jetës dhe veprës së dr. Ibrahim Rugovës se Bogdani dhe vepra e tij janë frymëzuesit  më denjë  të punës dhe veprimtarisë së tij. Dhe, pikërisht nga  ky frymëzim Rugova  është studiuesi i cili monumentalizoi  veprën e Bogdanit.

Nga ky aspekt për t’i argumentuar  shumë fakte dhe dëshmi  të krejt kësaj çfarë  shtjelluam  mund të tërheqim një  paralele  me këtyre dy figurave të ndritura të letërsisë sonë, të cilat dëshmojnë  koincidencën e konteksteve kohore të  traditës, kohës bogdaniane dhe të epokës  rugoviane. Nga ky fakt, und të konstatojmë  se koha kur jetoi dhe veproi Bogdani ishte një kohë e një tradite të lavdishme, në ato kohëra dhe ato rrethana ishte në rrezik kultura, arti dhe letërsia, ishte në rrezik edhe  vetë qenia e  këtij populli. Edhe në kohën e veprimit  të dr. Rugovës ishte  i njëjta gjendje e popullit shqiptar.  Në ato rrethana dhe kushte të cilat i diktonte  realiteti ishte  vështirë të veprohej, edhe në  epokën e veprimit të Rugovës ishte vështirë të veprohej.

Veprimtaria e botimit të Çetës së profetëve (Cuneus prophetarum) i Bogdanit ka pasur këto qëllime: të  jenë në shërbim të popullit dhe njëkohësisht të jenë ruajtës dhe mbrojtjes nga të huajt. Edhe vepra e Rugovës mbështetet në këto parime dhe ka pasur për qëllim  ruajtjen e kontiunitetit të traditës dhe lidhshmërinë shpirtërore me te. Bogdani i prin popullit  në kohëra të vështira, Rugova, drejt limanit të shpëtimit, i prin po këtij populli në  udhëkryqet më të ndjeshme të historisë, pra në kohërat më të vështira të në rrugën historike të këtij populli. Bogdani besonte se dalëngadalë populli do të bindej e të vinte në atë nivel që të kuptonte, pra, pikërisht, ia dedikonte popullit, p.sh: në bisedë  me kardinalin Barabadigon në Itali, kur  ai i thoshte se “tani  e kreve veprën – rri e pusho – gëzoi frytet e punës e të duarve tua”, (Bogdani) ia ktheu:jo eminencë, se po të ma jepnit mua tërë Padovën e tërë botën, kjo s’është e imja, sepse s’jam i lumtur dhe i qetë në pallatin tuaj, ju falënderoj në mënyrë atërore, sepse fati i popullit tim është fati im”! 

Bogdani, edhe pse fort  mirë e kishte të ditur se në atdhe jetën e kishte në rrezik, ai përkundër asaj u kthye dhe vdiq në atdhe duke i shërbyer popullit të tij. Edhe dr. Rugova për një kohë të caktuar qëndroi në Itali dhe kishte mundësi që në ato pallate të bukura të këtij vendi magjeps t’i “gëzojë” duart e tij për veprat që  i kishte krijuar, mirëpo, prapë se prapë  i lidhur me veprimin  dhe kauzën  u kthe në atdhe dhe vazhdoi punën duke i prirë popullit të tij dhe në shërbim të këtij populli deri në frymën e tij të fundit. Bogdani mbante lidhje të drejtpërdrejta me Vatikanin dhe vendet tjera të perëndimit dhe botë dhe sensibilizonte opinionin e gjerë për gjendjen e popullit shqiptar, edhe Rugova mbante  kontakte të drejtpërdrejta me Vatikanin, përkatësisht më Papa Gjon Palin II dhe në sfondin e mureve të rezidencës së tij  mbante fotografinë e tij, po ashtu edhe  me vendet tjera euro-atlantike e të botës dhe sensibilizonte  opinionin për gjendjen e popullit shqiptar, të cilët u bënë përkrahës  të  vullnetit politik të popullit të Kosovës dhe realizimit të aspiratave të këtij populli që kishte  me shekuj.  Bogdani ishte një figurë vigane dhe profet i vërtetë, edhe dr. Rugova ishte një vizionar  dhe profet i  vërtetë.  Bogdani ishte një njeri i cili me mish dhe me shpirt e donte popullin e tij, por nuk i përkiste vetëm popullit të tij, edhe  Rugova ishte një njeri i cili me mish e me shpirt  e donte popullin e tij dhe përherë qëndronte  pranë popullit të tij, mirëpo, po ashtu, ishte edhe një njeri që nuk i përkiste vetëm popullit të tij. Njerëz të mëdhenj, sikurse Bogdani dhe Rugova maten vetëm me këso virtytesh. Kush është i madh tejkalon kohën në të cilën jeton, vazhdon të jetojë gjatë shekujve; ai tejkalon vendin, qarkun në të cilin jeton. Rugova në këtë aspekt vërtet është i madh, është kuptimi i mirëfilltë i këtij kombi, i cili iku nën dritën e veprës së tij.

Vepra e Tij zë vend në fondin e artë të letërsisë dhe të kulturës shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat