Vuçiq merret përsëri me Haradinajn, thotë se në Hagë vetëm ka shijuar hotelet

Lajme

Vuçiq merret përsëri me Haradinajn, thotë se në Hagë vetëm ka shijuar hotelet

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 11:03
Aleksander Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, përsëri sot është marrë me dorëheqjen e Ramush Haradinajt dhe udhëtimin e tij drejt Hagës për t’u intervistuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Në një intervistë për Tv Prva, ka thënë se e ka ditur që Haradinaj do të qëndrojë në Holandë për 24 apo 48 orë dhe do të kthehej më pas në Kosovë duke luajtur figurën e heroit.

“Kam thënë që ata do të qëndrojnë atje për 24 apo 48 orë, për të shikuar se si duken hotelet atje”, ka thënë presidenti serb.

Ndërkohë për kthimin e mbrëmshëm të Haradinajt, Vuçiq thotë se ai e ka pritur qëllimisht natën për t’u dukur si një hero.

“Ai e priti natën, për të bërë një figurë mbreslënëse, për tu dukur si një hero”, ka shtuar ai, shkruan B92.

Përveç tjerash Vuçiq ka folur edhe për vizitën e Eurokomisionerit Johannes Hahn, duke thënë se me të kanë biseduar për vazhdimin e dialogut të Brukselit.

“Është shumë e vështirë. Ne jemi duke pritur që të hiqet taksa”, ka përsëritur Vuçiq.

Ditën e dorëheqjes, Vuçiq kishte thënë se Haradinaj ka bërë një trik politik, për përfitime politike dhe për t’i dominuar kundërshtarët politik në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat