Djegia e ambasadës së ShBA-së në Beograd, policët në gjyq pas 12 vitesh

Lajme

Djegia e ambasadës së ShBA-së në Beograd, policët në gjyq pas 12 vitesh

Nga: D.G. Më: 17 shtator 2020 Në ora: 11:02
Djegia e ambasadës së ShBA-së

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qeveria serbe e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Vojislav Koshtunica më 21 shkurt 2008 organizoi tubimin "Kosova është Serbi"

Në Gjykatën e lartë në Beograd të enjten e të premten (më 17 e 18 shtator) vazhdon gjykimi i pesë krerëve të lartë të policisë, të cilët para më shumë se 12 vitesh, në kohën e mitingut kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë komanduar me forcat policore në rrugët e Beogradit. Atë kohë në trazira huliganët kanë ndezur ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qendër të Beogradit, ndërsa kanë hedhur gurë mbi ambasadën e Gjermanisë dhe të Kroacisë.

Prokuroria beson se të akuzuarit nuk i dhanë ​​urdhra policisë për të parandaluar sulmin e huliganëve në ambasada pas një tubimi në qendër të Beogradit, ku qeveria serbe e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Vojislav Koshtunica më 21 shkurt 2008 organizoi tubimin "Kosova është Serbi" kundër pavarësisë së Kosovës.

Të pesë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm në seancat përgatitore.

Evropa e Lirë e ka parë aktakuzën e Prokurorisë së lartë publike në Beograd kundër oficerëve të lartë të policisë, e cila nuk e shqyrton ndikimin e mundshëm politik në gabimet e sigurisë që çuan në djegien e ambasadës dhe sulmin shkatërrues në rrugë, por merret me përgjegjësinë komanduese të të akuzuarve, transmeton Bota Sot.

Rasti i djegies së ambasadës, së bashku me çështjen ende të pazgjidhur të vrasjes së shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare, vëllezërit Bytyçi nga korriku 1999, konsiderohet si një pengesë serioze për përmirësimin dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat