​Drosopulos: Nepotizmi pamundëson luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë

Lajme

​Drosopulos: Nepotizmi pamundëson luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë

Më: 20 shtator 2020 Në ora: 16:59
​Drosopulos: Nepotizmi pamundëson luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë

Forumi Ballkanik në emër të Platformës së Shoqërisë Civile për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ka publikuar raportin hulumtues që është një vështrim mbi progresin e bërë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor drejt zbatimit të zotimeve të tyre që nga Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër dhe Poznan, të zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit, të nisur në vitin 2014.

Ky hulumtim është bërë edhe me pikëpamjet e 20 personave, politikanë, njerëz edhe prej qeverive të vendeve të rajonit, por edhe prej qeverive që e kanë bërë organizimin e procesit të Berlinit, si dhe persona që i kanë përfaqësuar organizatat joqeveritare, por edhe ekspertë.

Hartuesja e projektit “Progresi i Berlinit”, Meri Drosopulos ka thënë se nga ky hulumtim del se procesi i Berlinit ka pasur proces pozitiv në rajon.

Drosopulos: Procesi i Berlinit ka kthyer vëmendjen e BE-së kah Ballkani Perëndimor

“Procesi i Berlinit ka arritur ta kthejë vëmendjen e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, dhe të krijojë një ambient ku në kushte të barabarta liderët e BE-së ose vendeve anëtare, të bisedojnë një platformë të përbashkët. Kjo, po ashtu, ka kthyer ose e ka vendosur rajonin në një pozitë qëndrueshme sa i përket infrastrukturës së Bashkimit Evropian edhe e ka vendosur theksin tek angazhimi qytetar dhe shoqërisë civile, si dhe ka arritur të bashkojë shoqërinë civile kudo që ndodhet në Ballkanin Perëndimor për t’i bërë bashkë rreth ideve dhe qëllimeve të përbashkëta, por edhe të nënvizojë rolin e të rinjve dhe shoqërisë civile, ose publikut në procesin e Berlinit”, ka thënë ajo.

Drosopulos ka thënë se këto gjetje tregojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarre hapa të vegjël sa i përket zotimeve që i kanë dhënë në samite të ndryshme nën kuadër të procesit të Berlinit.

Ajo ka thënë se ka mungesë të të dhënave dhe statistikave, por edhe vlerësimeve se çka ka bërë secili shtet në kuadër të procesit të Berlinit, mirëpo siç thotë ajo, vendet e rajonit kanë bërë progres.

Drosopulos: Vendet e rajonit kanë bërë progres

“Nuk ka qenë e mundur në fakt për dy arsye me u bë shtet-pushtet, se sa kanë mund të përmbushin zotimet. Njëra prej arsyeve është se temat dhe zotimet janë bërë të përbashkëta në mes vendeve të rajonit dhe Ballkanit Perëndimor. E dyta, është se ka mungesë të të dhënave, ka mungesë të vlerësimeve, ka mungesë të raporteve dhe statistikave se çka ka bërë secili shtet në kuadër të procesit të Berlinit. Domethënë këto janë dy gjërat më kryesore që nuk kanë lejuar të bëhet më e thelluar për secilin vend veç e veç, por vendet e rajonit kanë progres”, ka thënë ajo.

E pyetur se çfarë ka bërë Kosova për luftimin e krimit dhe korrupsionit, autorja e këtij raporti, ka thënë se nepotizmi dhe klientelizmi e kanë pamundësuar luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Drosopulos: Nepotizmi ka pamundësuar luftimin të krimit të organizuar dhe korrupsionit

“Në kuptimin e luftimit të korrupsionit, që është një e gjetur kryesore, është që mentaliteti i vjetër dhe mungesa e mekanizmave dhe krijimi i klientelizmit që kanë njerëzit dhe mundohen t’i zgjedhin gjërat në bazë të njohjes dhe nepotizmit, e kanë pamundësuar luftimin efektiv të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Domethënë është pjesë e sistemit, është pjesë e ndërtimit shoqëror, por edhe mentalitetit që e kemi peng në njëfarë forme, edhe duket që është krijuar një sistem i vlerave të tilla që ne mbarojmë punë në bazë të asaj që njohim dhe ndoshta punësohemi në baza të asaj se cilit subjekt politik i takojmë, por përndryshe nuk është ndërtuar një kulturë, as një sistem i mirëfilltë i luftimit të korrupsionit, as në vendin tonë, po as një vend tjetër të rajonit perëndimor”, ka thënë ajo.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Forumit Ballkanit, Astrit Istrefi ka thënë se ky hulumtim është marrë si aktivitet që është ndërmarrë si platformë e shoqërisë civile për demokraci dhe të drejta të njeriut. Ai ka thënë se kjo platformë është themeluar në vitin 2018, pak ditë para Samitit të Londrës në vitin 2018.

Istrefi: Në Samitin e Londrës kemi marrë tri zotime

“Në samitin e Londrës kur e kemi prezantuar platformën kemi marrë zotim për tre gjëra, një që kemi mundur ta vendosim një mekanizëm të monitorimit dhe të vlerësimit për atë se çfarë po ndodh në procesin e Berlinit. Kemi marrë zotim që do ta rrisin llogaridhënien në mes të organizatave joqeveritare, në mënyrë që të kërkohet llogari prej qeverive për zotimet e dhëna dhe sa i kanë mbajtur ato. E treta, ka qenë që të punojmë mes shteteve dhe do të mundohemi të krijojmë ura bashkëpunimi në mes institucioneve dhe sektorëve të ndryshëm”, tha Istrefi.

Istrefi thotë se ky ka qenë zotimi në vitin 2018, pastaj ka vazhduar me hulumtimin në vitin 2019, dhe një prej rezultateve është raporti që sot po publikohet.

Ndryshe, Procesi i Berlinit është një iniciativë që mbështet bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke plotësuar kësisoj politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit u iniciua nga Gjermania me samitin e vitit 2014 në Berlin. Në Procesin e Berlinit marrin pjesë gjashtë partnerë nga Ballkani Perëndimor, që janë tashmë kandidatë (Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria) si dhe kandidatë potencialë (Bosnje-Hercegovina, Kosova) për anëtarësim në BE dhe të përfshira në politikën e zgjerimit të BE-së.

Në këtë proces marrin pjesë gjithashtu disa vende anëtare të BE-së si Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia, Britania e Madhe dhe Italia.

Në punimet e Procesit të Berlinit janë të angazhuara gjithashtu Komisioni Evropian, institucione financiare ndërkombëtare, organizata ndërkombëtare dhe rajonale.

Bashkëpunimi në këtë kuadër i shërben, veç të tjerash, realizimit të projekteve infrastrukturore (veçanërisht në lëmin e energjisë dhe transportit- të tilla si zgjerimi i porteve, ripërtëritja e linjave hekurudhore, apo ndërtimi i interkonjeksioneve të gazit) të përfshira në të ashtuquajturën Cennectivity Agenda.

Shoqëria civile merr pjesë në takimet e organizuara në kontekstin e Samiteve. Një nga arritjet më të spikatura të Procesit të Berlinit është krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor- RYCO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat