Gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL të UÇK-së vazhdon të hënën

Lajme

Gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL të UÇK-së vazhdon të hënën

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 07:39
Nasim Haradinaj, Hyseni Gucati

(E plotësuar 15:03) -  Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Zenka Pumper është dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokuronit të Specializuar dhe është dëgjuar sot për ditën e katërt me radhë. Dëshmia e saj nuk ka përfunduar dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën, më 25 tetor.

Në shtator 2020, hetueses së ZPS-së, Zenka Pumper i ishte kërkuar që të shqyrtojë dokumentet që pretendohen të jenë sekuestruar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilat pastaj ajo i ka ndarë në paketa 1, 2 dhe 3.

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së rreth paketës 3 në të cilën ka dokumente të klasifikuara si konfidenciale, për çka ajo ka thënë se nuk e di kush i ka klasifikuar ato si konfidenciale.

Avokati Rees: Në paragrafin 29, ju thoni se paketa 3 përbëhet nga dy kopje të paplota që përbëhen nga 244 dhe 245 faqe, përkatësisht të njëjtit dokument, në veçanti thoni ju se paketa 3 përfshin kopje jo të plota të një dokumenti konfidencial të ZPS-së që përbëhet nga 261 faqe që kanë të bëjnë me hetime dhe procedura zyrtare të ZPS-së, të cilat përbëjnë punë të brendshme, produkt të brendshëm pune. E keni fjalën që është dokument konfidencial apo diçka tjetër keni dashur të thoni me këtë?

Dëshmitarja Pumpr: Ka shkruar se është dokument konfidencial, sepse kishte të përcaktuar indicie konfidenciale.

Avokati Rees: Pra, opinion i juaj ishte se ishte dokument konfidencial sepse patë indicie në konfidencialitet?

Dëshmitarja Pumper: Kishte indicie në dokument, andaj edhe e kam përmendur si dokument konfidencial shprehimisht përmendej si konfidencial, andaj unë e kam përmendur si konfidencial.

Avokati Rees: Pra, ju nuk e dini se kush e ka klasifikuar si konfidencial?

Dëshmitarja Pumper: Jo.

Avokati Rees: E dini nëse e kanë pasur autoritetin që ta përcaktojnë si konfidencial?

Dëshmitarja Pumper: Jo.

Avokati Rees: Pra, nuk do të thoshit që paketa 3 është shkruar në gjuhën angleze dhe që paraqet bazën për analizë të provave, dhe të bazës ligjore lidhur me pesë të dyshuar të ZPS-së. Me këta emra a mund të kalojmë në seancë private?

Një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur.

Dëshmia e Zenka Pumper ka nisur më 18 tetor 2021 ku ka vazhduar për katër ditë me radhë.

Ajo është koordinatore e hetimeve në ZPS dhe ka deklaruar që është përfshirë në çështjen OVL-UÇK nga 25 shtatori i vitit 2020 dhe i është kërkuar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Avokati mbrojtës i Gucatit dhe Haradinajt: ZPS s’po thërret personat që thuhet të jenë përgjegjës për koordinimin e hetimit

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, avokati i këtij të fundit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokuronit të Specializuar me personin, targat e veturës të të cilit ishin parë pranë zyrës së organizatës në kohën e dorëzimit të dokumenteve.

Ai ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së, hetuesen Zenka Pumper nëse i është kërkuar të bëjë ndonjë hetim rreth kredibilitetit të personit në fjalë, por e njëjta e ka mohuar një gjë tillë.

Pjesa e leximit të transkriptit:

Avokati Rees: Në atë pjesë të transkriptit ku ai sapo ka konfirmuar se është pronari i automjetit kur e pyet sa kohë ke që e ka këtë automjet, përgjigjet: Nga mesi i shkurtit të vitit 2020. Pyetje: Ky automjet ka pasur të njëjtën apo ka ndryshuar targën ndonjëherë? Përgjigja: Ka ndryshuar kur e bleva. Pyetje: A jeni ju i vetmi pronar i automjetit apo e përdorin edhe të tjerë? Përgjigja: 90% të kohës e përdor unë, shumë rrallë e përdorë bashkëshortja ose babai Dhe pastaj kjo vazhdon kur flasin nëse punon nga shtëpia ose nga zyra, e konfirmon se është kthyer në zyrën në qershor”, ka thënë avokati Rees derisa ka lexuar transkriptin e intervistës.

Ai ka vazhduar me transkriptin duke lexuar pjesën kur ZPS pyet personin nëse ka ndonjë lidhje me OVL-UÇK.

Avokati Rees: Ndihmës prokurori thotë: A e dini çfarë është OVL UÇK ju lutem? Përgjigje: Jo. A keni qenë ndonjëherë në zyrat OVL UÇK? Përgjigje: jo. Për t’ua treguar më mirë, prokuroi u jep adresën e OVL UÇK në Prishtinë dhe e pyet a njeh këtë adresë, ai thotë jo. Pyetje: A keni dëgjuar ndonjë gjë, apo në lajme sa u takon dokumenteve që u janë dërguar OVL UÇK-së dhe pastaj nga kjo organizatë janë bërë publike? Përgjigje: Kam dëgjuar në lajme, por nuk di asgjë për këtë. Pyetje: Pra, nuk keni informacion se kush i ka dhënë këto dokumente ose kush mund të jetë përfshirë në këtë incident mbase rastësisht? Përgjigje: Jo. Pyetje: A ju kujtohet mbase ja keni dhënë dikujt borxh atë ditë automjetin rreth datës 16 shtator? Përgjigje: Jo nuk ja kam dhënë askujt. Pyetje: A e njeh dikë që punon ose ka lidhje me OVL UÇK? Përgjigje: Jo. Pyetje: A e njeh, a ke folur ndonjëherë me Nasim Haradinaj, Hysni Gucatin, Faton Klinakun. Përgjigje: Jo. Nuk kemi pyetje të tjera për ju sot”, përfundon avokati leximin e transkriptit.

Pas kësaj, dëshmitarja Pumper ka thënë nuk e ka parë asnjëherë në intervistë dhe nuk i është kërkuar të hetojë lidhur rreth kësaj çështjeje.

Pumper ka thënë se koordinimi i hetimit është bërë nga prokurori i specializuar dhe zëvendësprokurori i specializuar.

Ndërsa prokurorja Valeria Bolici ka thënë se klasifikimi i këtij dokumenti është konfidencial.

Dëshmia e Zenka Pumper ka nisur më 18 tetor 2021 ku ka vazhduar për katër ditë me radhë.

Ajo është koordinatore e hetimeve në ZPS dhe ka deklaruar që është përfshirë në çështjen OVL-UÇK nga 25 shtatori 2020 dhe i është kërkuar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. 

--

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, avokati i këtij të fundit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar me personin, targat e veturës të të cilit ishin parë pranë zyrës së organizatës në kohën e dorëzimit të dokumenteve.

Ai ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së, hetuesen Zenka Pumper nëse i është kërkuar të bëjë hetime rreth kredibilitetit të personit në fjalë, por e njëjta e ka mohuar një gjë tillë.

Pumper po i përgjigjet pyetjeve të avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

Avokati Rees: Zonja Pumper, kush është në dijeni brenda ZPS-së dhe është përgjegjës për të sjellë në vëmendje prokurorit të specializuar materialet që mund të sugjerojnë pafajësinë apo zbutjen e fajësisë së të akuzuarve, ose cenojnë kredibilitetin dhe besueshmërinë e provave të prokurorit të specializuar?

Dëshmitarja Pumper: Do t’ju referoj te zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar.

Avokati Rees: Zonja Pumper, sado të talentuar e punëtorë që janë zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar, dhe nuk kam dyshim për këtë, ata nuk janë përgjegjës, apo jo, për hetimin e çështjeve që në fillim.

Pyetjet e avokatit Rees janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici duke thënë se janë të përsëritura dhe se dëshmitarja po pyetet rreth një intervistë pjesë e së cilës nuk ka qenë.

Rees: ZPS nuk po thërret në gjykim personat, të cilët thuhet se janë përgjegjës për koordinimin e hetimit të çështjes OVL-UÇK.

Ajo është një hetuese me përvojë prej 20 vjetësh, ajo ka luajtur një rol në këtë hetim për çka të kufizuar siç thotë ajo, dhe nuk kemi mënyra të tjera si t’i qasemi këtij materiali, sepse ZPS nuk po thërret personat të cilët thuhet se janë përgjegjës për koordinimin e këtij hetimi, kështu që unë synoj ta bëj këtë dhe nëse e ka të nevojshme të kalojmë në seancë private, atëherë ta bëjmë në seancë private”, ka thënë avokati Rees.

Kundërshtimi në pyetje ka bërë që avokati Rees të kërkojë largimin e dëshmitares nga salla përkohësisht, në mënyrë që të shpjegojë për trupin gjykues rëndësinë që kanë pyetjet e tij në këtë proces.

Rees: E pabesueshme që hetuesja e ZPS-së s’ka dijeni për qasjen sistematike ndaj problemit të nxjerrjes së materialeve

Nëse dëshmitarja thotë që nuk ka dijeni për këtë, kjo nuk do të thotë që unë duhet ta pranoj. Unë kam të drejtë të vazhdoj më tej, sepse mund t’i drejtohem trupit gjykues në momentin e duhur lidhur me çështjen nëse ju mendoni se ishte e besueshme që Pumper, koordinatore e hetimeve që ka 5 vjet që punon në Zyrën e Prokurorisë që kur filloi ka kryer një kontroll, të cilin do ta trajtojë, e cila ka punuar për TFHC përpara dhe ka shumë vite përvojë që më parë nga puna e saj në forcat moderne evropiane policore, të mohojë se nuk ka dijeni për qasje sistematike ndaj problemit të nxjerrjes së materialeve. Unë mund t’u drejtohem dhe t’u them që kjo është plotësisht e pabesueshme”, ka thënë avokati Ress.

Ndër të tjera, gjatë dëshmisë së saj, hetuesja e ZPS-së, Zenka Pumper ka thënë se dokumentet e paketës 1 dhe paketës 3 ishin kopje.

Koordinatorja e hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zenka Pumper po vazhdon dëshminë e saj në ditën e katërt me radhë. 

LIVE: Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, ja kur do të merret vendimi për provat e paraqitura nga dëshmitarja Pumper

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar seanca në të cilën po zhvillohet gjykimi ndaj ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).

Kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith III, ka lëshuar një urdhër me gojë ku ka bërë të ditur se trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja Pumper, në fund të dëshmisë së saj.

Për ditën e katër me radhë, aty po dëgjohet Zenka Pumper, dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila sot po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

 

Smith: Në fund të dëshmisë trupi gjykues do të marrë vendim për provat e paraqitura nga Pumper

“Sa i takon paraqitjes së provave, siç jeni në dijeni trupi gjykues ka shtyrë marrjen e vendimit për një sërë provash materiale të paraqitura nga zonja Pumper deri në përfundim të dëshmisë së saj, kur të vijë momenti i atij diskutimi nga prokuroria pritet të lexohet një përmbledhje koncize të deklaratave të dëshmitares për proces verbalin, në seancë të hapur”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Smith ka thënë se pritet nga prokuroria që të informojë se çfarë klasifikimi propozon për secilën provë materiale.

Nëse provat propozohen të jenë konfidenciale, ai ka shtuar se ZPS duhet të bëjë të ditur nëse mund të vendosë në dispozicion një version publik të redaktuar.

Ndërsa lidhur me klasifikimin provave do të merret edhe qëndrimi i mbrojtjes.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po marrin pjesën ë seancë me prezencë fizike dhe kjo është dita e katërt e dëgjimit të dëshmisë së koordinatores së hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

***

Ka nisur seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, Gucati e Haradinaj

Edhe sot do të vazhdojë seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Për të katërtën ditë me radhë dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper do të vazhdojë të dëgjohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjatë ditës së djeshme avokati mbrojtës i ka prezantuar dëshmitares disa artikuj të publikuar në mediat e Kosovës, në të cilët përmenden emra të personave, disa prej tyre serbë. Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka pyetur hetuesen rreth dorëheqjes së ish zëvendësprokurorit të specializuar dhe nëse do të duhej mbaheshin nën vëzhgim zyrat e OVL-UÇK pas 7 shtatorit, në mënyrë që parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.

Me urdhër të trupit gjykues, pjesët ku duhet të përmenden emra që lidhen me dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm, nuk duhet të jenë publike.

Dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper i është përgjigjur mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, ku shumë prej pyetjeve janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici.

Zenka Pumper ka thënë se vendimi për mbajtjen nën vëzhgim, të zyrës së OVL-UÇK ka qenë i prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij.

“I nderuar gjykatës, më kërkuat dje që të marrë vesh përgjigjet dy pyetjeve që kishit dhe dje me thanë se bashkërendimi i përgjithshëm dhe administrimi i këtij hetimi ishte kryer nga prokurori i specializuar dhe zëvendësprokurori i specializuar, dhe nga ky informacion unë marr me mend se vendimi për të vendosur apo jo zyret nën vëzhgim do të ishte marrë prej tyre. Por nuk është se me kanë thënë në mënyrë specifike”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë marrë pjesë në seancë me prezencë fizike.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat