Pastori kosovar për martesat mes gjinisë së njëjtë: Fëmija duhet të ketë nënë e baba, shoqëria jonë nuk është e gatshme për një ligj të tillë

Lajme

Pastori kosovar për martesat mes gjinisë së njëjtë: Fëmija duhet të ketë nënë e baba, shoqëria jonë nuk është e gatshme për një ligj të tillë

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 16:58
Foto ilustrim

Projekt-Kodi i ri Civil, i miratuar javë më parë nga Qeveria e Kosovës dhe që ka kaluar shqyrtimin edhe në Komisionin parlamentar, pritet t’u shkojë brenda pak ditësh deputetëve për votim në Kuvend. Përmes këtij projekt-kodi Civil, siç është propozuar e miratuar në Qeveri, i hapet rrugë ligjore martesave të gjinisë së njëjtë në Kosovë. Ndonëse rreth 20 për qind e popullatës së përgjithshme në botë thuhet se kanë tendenca të orientimit homoseksual, lesbike, biseksual apo transgjinor, ky komunitet (LGBT+) në Kosovë përballet me sfida mjaft të mëdha.

Një ndër grupet që përfshihet në debatin për lejimin e martesave të gjinisë së njëjtë në Kosovë, është ai i bashkësive fetare.

Kryetari i Protestante Ungjillore të Kosovës Femi Cakolli ka thënë për se ndryshimi i Kodit Civil për sa i përket martesës, përkatësisht ripërcaktimit të saj, prek fundamentin e Fjalës së Shenjtë të Zotit, Biblës, lidhje me familjen dhe martesën.

Cakolli ka thënë se si të krishterë, do të mbrojnë vlerat dhe të drejtën që çdo fëmijë i ngjizur të lindë e të ketë nënë e baba.

“Vlerat e të qenit burrë e grua jo sipas ndjenjave që rilindin por sipas përcaktimit nga lindja natyrore, vlerën e prindërimit që një fëmijë të rritet me nënën e lindur e me identitet femre të dhënë nga Zoti sipas paracaktimit dhe me babain e lindur e me identitet mashkulli të dhënë nga Zoti sipas paracaktimit të Tij”, ka thënë Cakolli.

Pastori Cakolli theksoi se martesa mes gjinisë së njëjtë do të shtonte bullizimin e ngacmime të tjera ndaj këtyre personave apo fëmijëve të tyre që planifikojnë t’i adoptojnë. Ai potencoi se shoqëria shqiptare nuk është e gatshme për një ligj të këtillë.

Ai ka shtuar se ky bashkim i personave me gjini të njëjtë nuk mund të quhet martesë e as nuk duhet të quhet martesë.

“Jemi të bindur thellësisht se vlerat tradicionale dhe konservatore të shoqërisë sonë shqiptare, ashtu njësoj sikur edhe shoqëritë e tjera deri vonë, kanë aq rrënja të thella në këtë sa nuk shohim aq për ndonjë kërcënim të drejpërdrejtë të familjeve kosovare me anë të ketij ligji sa shohim përshkallëzimin e rritjes së mosdurimit brenda shoqerisë sonë dhe familjeve tona lidhje nëse kalon ky ligj. Po ashtu do të ketë rritje të bullizmit, mosdurimit e ngacmimeve të tjera ndaj personave që do të martohen me të njëjtën gjini dhe ndaj fëmijëve të tyre që po planifikojnë t’i adoptojnë. Shoqëria jonë nuk eshte e gatshme për ligj të këtillë duke kuptuar se jemi shoqëi e vlerave konservatore. Bashkimin ose bashkejetesën e personave me gjini të njëjtë për interesa, ndjenja e përfshirje seksi bazuar pare sipas vlerave tona të besimit duke u bazuar në autoritetin e Biblës së Shenjtë nuk quhet martesë e as nuk duhet të quhet kurrë kjo martesë”, tha pastori.

Por, pastori Cakolli shtoi se shoqëria duhet të kuptojë dhe të jetë pa gjykime për të gjithë qytetarët e vendit që vendosin të jetojnë ndryshe dhe ta kenë lirinë e tyre sipas zgjedhjes, por siç thotë, ai duke pasur respekt të ndërsjellë për shfaqjen dhe moralin publik të secilit individ si kërkesë e ndërgjegjës dhe përmbushje e ligjeve të tjera.

Kundër martesës të së njëjtës gjini është edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Në një intervistë të vitit të kaluar, Myftiu Naim Tërnava kishte thënë se martesat e gjinisë së njëjtë janë në kundërshtim me parimet islame.

“Nuk kam t’bëj me ligje, unë kam t’bëj me qëndrime në islam. Qëndrimi im është ky dhe nuk ndryshon, pavarësisht çka thotë ligji. Ligji tërë ditën le t’flet, fjala e Zotit është fjalë e Zotit, fjala e Pejgamberit është fjalë e Pejgamberit. Sipas parimeve islame nuk lejohet asesi, në asnjë mënyrë, asnjëherë të shtrembërohet natyrshmëria e të qenit njeri. Nuk lejohen asesi “martesat”, po i quajmë “martesa” të një gjinie”, kishte thënë Tërnava.

Çka parasheh Projektligji i ri Civil?

Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë i lejon Kushtetuta, por deri më tani ato nuk janë lejuar me Kodin Civil dhe Ligji për familjen.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Projektkodi i ri Civil, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, i miratuar më pas në Qeveri për procedim për votim në Kuvend, thotë se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, neni i radhës thotë se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Krerët fetarë të Kosovës mblidhen sot, dalin me një qëndrim për martesat mes gjinisë së njëjtë. Prijësit më të lartë të institucioneve fetare në Kosovë do të nënshkruajnë sot një deklaratë të përbashkët për nismën e institucioneve të Kosovës për miratimin e projektligjit të Kodit Civil, përmes së cilit mund t’i hapet rrugë bashkimit ligjor të së njëjtës gjini.

Për këtë ka njoftuar Bashkësia Islame në faqen zyrtare, duke njoftuar se ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në orën 17:00.

Kjo deklaratë do të nënshkruhet nga prijësit më të lartë të këtyre institucioneve: Naim ef. Tërnava, Myfti i Kosovës, Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, Femi Cakolli, Pastor, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës dhe Votim Demiri, Kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat