Hysen Ibrahimi dhe drita shqiptare e Suedisë

Libra

Hysen Ibrahimi dhe drita shqiptare e Suedisë

Nga: Baki Ymeri Më: 16 janar 2020 Në ora: 08:24
Kopertina e librit

Nga Isuf Bajraktari kuptojmë se libri ”HYSEN IBRAHIMI-HERO I HESHTUR I DRITËS” i autores Hyrë Tejeci-Murati, u përurua në Ängelholm të Suedisë, më 7 Dhejtor 2019. Zt. Ibrahimi është president i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi, laureat i 56 Mirënjohjeve të merituara. Artikullshkruesi mes tjerave thekson: Për një fjalë të këtij libri m’u desht një kohë e gjatë leximi dhe analize për t’a gjetur kuptimin e përmbajtjen e tij, sidomos për bashkimin e disa fragmenteve dhe argumenteve që  përfaqësojnë një lloj prodhimi të ri unitar.  Faktikisht kjo vepër nuk është një botim mekanik apo fotografik, por një libër i menduar e punuar mirë dhe i pregaditur muaj me rradhë prej autores, e cila mori barrën e botimit të librit (album me foto). Autorja e ka zgjedhur titullin e librit si një sinonim që në përmbajtje  pasqyron frymën e këtij libri me një domethënje  të madhe ”Hero i heshtur i dritës”.                                                                                                                                            

Hyrë Tejeci, ka treguar një gatishmëri për të bashkëvepruar dhe punuar vullnetarisht me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. Ajo e ka dëshmuar këtë edhe në librin ”Monument i dashurisë së përflakur për atdhe”, ku ka pasqyruar gjithë atë që është punuar në 10-të vëllimet e librit të titulluar  ”Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Me këtë, ajo ka dëshmuar se vlerëson mërgatën shqiptare, punën dhe angazhimin e saj, përpjekjet dhe sakrificën që ka bërë kjo mërgatë në vite.  Me librin ”Hysen Ibrahimi - Hero i heshtur i dritës”, Hyrë Tejeci ka nxjerrë në pah  punën dhe angazhimin e kryetarit të shoqatës për këto tetë vjetë, që gjithë ne e dimë se ka qenë një angazhim shumë i madh i tij. Por, kur puna del në dritë në këtë formë, pra me libër përmbledhës, ajo është më e dukshme dhe me e vlerësuar sigurisht!

 Hyrë Tejeci është një gazetare e mirënjohur. Ajo ka botuar tre libra deri tani, kurse ka në dorëshkrim edhe dy libra të tjerë. Ka shumë shkrime të publikuara me interes të gjerë. Ajo është fituese e disa çmimeve në gazetari dhe (do) veçoj një çmim botëror që ajo ka marrë, me një temë që ka trajtuar gjendjen sociale të qytetarëve tanë në Kosovë. Pra, Hyrë Tejeci, ka qasje humaniste dhe mbi këtë bazë, ajo ka vlerësuar edhe punën, edhe përpjekjet tona me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Autorja e kësaj vepre briliante, në parathënien e librit shkruan për kryetarin Ibrahimi: ”Intelektual e krijues shumë i respektuar, veprimtar i palodhshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, organizator dhe drejtues shembullor i organizimit politik e jopolitik të mërgatës në Suedi, vazhdon të punojë me përkushtim të jashtëzakonshëm në regjistrimin, dokumentimin dhe organizimin e veprimtarisë së mërgatës shqiptare”.  

Gazetarja e fjalës së lirë, me intelektin e saj që posedon, me ato fjalë të bukura, me at diksion të mirë e të veçantë radiofonik të moderimit po merr epitetin  e ambasadores dhe zëdhënëse  e Shoqatës tonë. Ndaj, ne i urojmë nga këtu jetë, shëndet e punë të mbarë në profesion e saj! Në këtë rastë nuk mundem pa i thënë apo sjell para jush edhe mendimin e redaktorit të librit, Fetah Bahtiri: ”Tetë vjetë të plota i la anësh të gjitha, e la më anësh familjen dhe i shërbeu Atdheut, i shërbeu Kombit, i shërbeu Shoqatës, kurrë pa u ndalur, kurrë pa hezituar”. Redaktori nuk mundi t’i anashkalojë edhe punët e tjera të përgaditjeve të librave të tjerë të anëtarëve të Shoqatës sonë, ku prodhuam intelektualë, shkrimtarë të frytshëm, me vullnet këmbëngulës për të arritur në cakun e ëndërrimeve. Zt. Hysen Ibrahimi, gjithnjë ishte më i gëzuari dhe më i lumturi për arritjet e të tjerëve.

Një libër album me foto, për Zt. Ibrahimi, aktivist i ditëve të para në Suedi, udhëtar i pluralizmit dhe fjalës së lirë, ideator e udhërrëfyes i demokracisë tek mërgata Shqiptare në Suedi, themelues dhe udhëheqës i të gjitha aktiviteteve të mërgatën shqiptare të Suedisë në dy dekadat e fundshekullit të kaluar, inspirues dhe aktivist i palodhur në gjirin e mërgatës, kreativ në komunikim dhe këmbëngulës në realizim e interesave të çështjes kombëtare për pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe çështjen shqiptrare, shpërndarës i ideve për të mirën e atdheut. Hysen Ibrahimi, ka sjellë në gjithë jetën e tij një punë të njohur dhe madhore. E gjithë veprimtaria e tij mbi tridhjetë vjet jetë në Suedi ishte dhe mbetet në shërbimin e një ideali të shqiptarit, një ideali shoqëror e kombëtar. Në shpirtin e tij jeton e mira, humanizmi, liria e individit, kultura, arti, sporti e çka jo tjetër. Respektues i punës për të tjerët, aftësi për t’a mbyllur çdo marrëveshjen, kur është me interes kombëtar shqiptar.                                                                                                  

Dashuria për fjalën e shkruar dhe përgjithësisht ndaj arteve të bukura si intelektual në këto lëmi, e bënë këtë veprimtar të njohur në botën itelektuale. Politologu Hysen Ibrahimi kurrë nuk u ekspozua pranë të tjerëve por me modestinë dhe devotshmërinë e tij, i kreu e bëri shumë veprime në interesin e shoqërisë sonë.  Veprimtaria e mërgimtarit të palodhur, e humanistit dhe intelektualit, zotri Ibrahimin e bënë edhe më   të fuqishëm veprimtaria e tij, i cili vazhdon së vepruari si një digë që  nuk shterrohet kurrë! Ky njeri i palodhur lenë përshtypjen e njeriut të çeliktë e mbresëdhënës. Krejt në fund  i urojmë shendet e suksese edhe më të mëdha dhe i drejtohem me këtë thënje: Kryetar, Hysen Ibrahimi, je krenaria e komunitet shqiptar në Suedi!”

HYSEN IBRAHIMI, ME VEPRËN E ÇMUAR “THESAR KOMBËTAR…”

Jo vetëm në bibliotekën time, por në qindra të tilla, në Suedi, Kosovë, Shqipëri e gjitha trojet amtare, por dhe në shtete tjerë të Europës dhe deri në Amerikë e Kanada, ka disa vjet që ka hyrë një vepër e re. Ajo e ka titullin e bukur e domethënës, “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare, në Suedi”. Botues i saj është Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, në Suedi, me kryetar veprimtarin e shquar për çështjen mbarëkombëtare shqiptare, Hysen Ibrahimi. Ndër punët e saj më të vlefshme është botimi i veprës voluminoze “Thesar Kombëtar…”.

Deri tani, janë venë në qarkullim 9 vepra të tilla të “Thesar Kombëtar…”, të cilat kanë me qindra autorë. Numra të saj janë përuruar: në Prishtinë e Mitrovicë,Tiranë, Pejë, Streugë, Gjakovë, Llaushë, Durrës, Therandë, Malmo, Cyrih, Kristiansland, Laç të Kurbinit, Dibër, Zym të Hasit, Prizren, Vojvodinë-Novi Sad, Drenas te Guri i Plakës, Ulqin, Vushtrri, “Bajram Curri” (Tropojë) e Tetovë. Gjithashtu, kjo Shoqatë ka dhënë ndihmesë të pakursyer e ka mbështetur botimin e përurimin e librave të mjaft autorëve tanë.Ndër ta, përmendim: Avdyl Uka, Florije Peci, Sokol Demaku, Bahtir Latifi, Bahri Shyti, Adnan Merovci, Skënder Skënderi, Elhame Gjyrveci, Hysen Ibrahimi, Saranda Iseni, Feth Bahtiri, Bajram Muharremi, Mone Juniku, Remzi Basha etj. Githësej , janë botuar mbi 200 libra, të cilët janë përkthyer dhe në disa gjuhë të huaja, si: suedeze, angleze, rumune, sllave etj.

Me mjaft interes janë ndjekur sesionet shkencore, kushtuar veprave “Thesar Kombëtar…”. Kështu, me kujdesin e vetë Hysen Ibrahimit e kolegëve të tij, janë mbajtur pesë seksikone të tillë, në Suedi: Angelholm (2 qershor 2012), Landskrona (25 maj 2013), Uddevall (31 maj 2014) Falkenberg (30 maj 2015) dhe Lund (28 maj 2016). Janë të shumtë ata dashhamirës e atdhetarë, që e kanë mbështetur financiarisht botimin e 9 numrave të “Thesarit Kombëtar…”, i cili do ta vazhdojë edhe në të ardhmen jetën e tij. Të gjithë numrat e kësaj vepre janë me një numër të madh fotografishë domethënëse, që i shoqërojnë shkrimet dhe veprimtaritë e ndryshme.

Secila nga 9 veprat “Thesar Kombëtar…”, botim i ShShASh “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi, do të meritonte nga një shkrim dhe, bile, të gjatë. Mirëpo, kësaj here, do të ndalemi posaçerisht në Veprën Nr.9, “Thesar KombëtariI Mërgatës Shqiptare, në Suedi” (botuar në Prishtinë, 2018). Një kopje të kësaj vepre ma dhuroi me dasdhmirësi, kolegu e miku im i kahërshëm e i sotëm, Hysen Ibrahimi. Këto ditë, ai bëri një vizitë në Shqipëri, me bashkëshorten dhe u takuam bashkë, në lokalin “Galaxy”, në fillim të Bulevardit teë Ri të kryeqytetit. E falënderoj atë përzemërisht, për këtë libër, si dhe për atë, me autore Hyrë Tejeci Murati, “Monument i dashurisë së përflakur për Atdhe”, kushtuar pikërisht këtyre 9 veprave të “Thesarit Kombëtar…”.

Vëllimi 9 i “Thesarit Kombëtar” hapet me “Parathënien”. Pastaj vazhdon kapitulli i parë. Ai çelet me shkrimin e Kujtim Matelit (Tiranë), “Shoqatat në emigracion, kurora mbrojtëse të Atdhut”. Më tej janë shkrimet e Hysën Ibrahimit e Viron Konës , për Familjen Jashari të Kosovës.

Në kapitullin e dytë, flitet për përurimin e “Thesarit Kombëtar” (nr. 7 e 8) dhe të librit “Arsimi shqip në Suedi”. Me interes janë dhe shkrimet nga Prof. Mehmet Rukiqi (Pejë), Dr.Nuhi Vinca (Mitrovicë), Fetah Bahtiri, Ramë Manaj, Prof.Hysen Matoshi, Dr.Resul Sinani, Dr.Don Lush Gjergji (Prishtinë) etj. Në të gjitha rastet e përurimeve të veprës “Thesari Kombëtar…”, janë botuar mendimet e shprehura nga pjesëmarrës në ato tubime. Po me kaq vlera janë dhe disa intervista të publikuara, me autorë të ndryshëm, si: Idriz Popova, Bahrije Gërxhaliu, Hanife Gurguri-Rexhepi.

 Vend me rëndësi në këtë vepër zenë shkrimet, që pasqyrojnë përurimin e librit “Dhoma 334”, kushtuar heroit të njohur Ziadin Sela, me autorë Saranda Isenin e Hysen Ibrahimin. Në hyrje janë recensione nga Prof.Murat Gecaj e Viron Kona dhe më tej botohet fjala e redaktorit të librit, Hasan Qyqalla etj. Janë publikuar dhe shkrime nga tubimi përurues i “Thesarit Kombëtar” në qytetin “Bajram Curri”, si nga Bashkim Lajçi, Migena Arllati e Kadri Tarelli. Nisur nga përurimi i disa librave, janë botuar mendime nga: Xheladin Mjeku, Nexhat Rexha, Sali Asllani e Drita Braho.

Në këtë numër të “Thesarit Kombëtar…”, tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe një fjalë përshëndetëse nga Qibrije Hoxha, kryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës-Dega Suedi; fjala e zv.kryetarit të ShShA Sh-Suedi, Bajram Muharremi dhe fjala e autorit të librit “Trimat e Dardanisë”, Remzi Basha. Në vijim janë diskutimet, që kanë bërë, gjat përurimit të “Thesarit Kombëtar” në Tetovë: Elmedin Aliti, Zejnepe Alili-Rexhepi, Mursel Ibrahimi, Zeqir Kadriu, Sadije Aliti, Rami Kamberi, Flora Peci etj. Po kështu, janë botuar materiale nga tubimi përurues i tri veprave të autores Elhame Gjyrevci.

Në kapitullin e tretë, është botuar një pjesë nga libri i Hysen Ibrahimit, “Arsimi shqip në Suedi”(II). Aty flitet edhe për ndimesën e çmuar, që ka dhënë në këtë fushë, veprimtari veteran i arsimit shqip dhe autor i disa librave, Sadull Zendeli-Daja. Në vazhdim, janë botuar disa shkrime nga “Akademia përkujtimore, për Presidentin Ibrahim Rugova”, në Angelholm (Suedi), si dhe një intervistë e gjatë e Qibrije Hoxhës, pastaj e Reshat Hoxhës. Në këtë revistë janë dhe intervistat me Zyhdi Dervishin (nga Fazli Muharremi-Tali), me Nuri Dragoin e Kadri Tarellin. Me interes të veçantë për lexuesin janë shkrimet, ku flitet Për Ushtrinë çlirimtare të Kosovës (tregim nga Lulzim Dogani). Kapitulli i katërt hapet me shkrimin “Doli nga shtypi Antologjia e 60 poetëve shqiptarë, suedezë dhe të tjerë” (Festivali “Sofra Poetike”, Boras, 2018). Në vazhdim janë shkrimet e Fetah Bahtirit, për Sadulla Zendelin-Dajën; Hysen Ibrahimit, për Lasgush Poradecin; Prof.Murat Geajt, për një libër të Kadri Tarellit e për revistën “Dituria”.

Në kapitullin e pestë, janë botuar shkrime për disa veprimtarë të dalluar, nga Avdyl Uka e Hajdin Selaci. Shkrimtari e publicisti i njohur, VironKkona aty ka shkrimin, “Mitrovica-Qendresë dhe paqe”. Kapitulli i gjashtë përmban shkrime të ndryshme, nga: Prof.Behram Ismaku, Fetah Bahtiri, Viron Kona, Sokol Demaku, Elhame Gjyrevci, Mone Juniku. Ndërsa në kapitullin e shtatë është shkrimi i Hysen Ibrahimit për Enver Camajn dhe Baki Ymerit, për Idriz Gashin. Pastaj, Fetah Bahtiri me një shkrim, shoqëruar me foto e dokumente, na kujton “Vitin e Skënderbeut”. Ndërsa Don Lush Gjergji shkruan për Nënë Terezën (1910-1997).

Në faqet e fundit, lexuesi gjen shkrime nga Prof.Hysen Matoshi e Prof. Adem Zejnullahu. Më pas, Hysen Ibrahimi jep mbresat nga takimi me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frokaj. Gjithashtu, shprehet nderimi e falënderimi për ndihemsën e dhënë nga disa veta, me mjete financiare, Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptarë „Papa Klementi XI-Albani”, Suedi, për vitin 2017. Më pas, shënohen anëtarët e kësaj Shoqate, për vitin 2018, si dhe emrat e 18 “Anëtarëve-Nderi” të saj. Jam i ndërgjegjshëm se, ata që nuk e njohin nga afër Hysen Ibrahimin, dëshirojnë të dinë diçka më tepër për të. Prandaj, në pak radhë, po përpiqem ta bëj këtë gjë…

Duke qenë ai veprimtar i dalluar dhe i palodhur për çështjen mbarëkombëtare shqiptare, ka udhëtuar shpesh nëpër trojet amtare shqiptare të Ballkanit. Pra, jemi takuar jo vetëm në kryeqytetin Tiranë, por dhe kemi qenë bashkë në disa qytete tjerë, si: Durrës, Lezhë, Laç-Kurbin etj. Gjithashtu, vite më parë, kam patur rastin që dhe unë të bëj një vizitë të paharruar, në qytetin Boras të Suedisë, ku e zhvillon veprimtarinë Shoqata Atdhetare-Kulturore “Migjeni”, me revistën emërmirë “Dituria”, të cilën e drejton veprimtari i kudogjendur, Sokol Demaku.

Siç shkuan në librin e saj, Zonja Hyrë T. Murati, emri Hysen Ibrahimit përmendet në 1.845 raste, në “Thesar Kombëtar…” dhe ka mjaft shkrime, me firmën e tij. Ai është nga Mitrovica e Kosovës dhe shkoi në Suedi, në vitin 1988. Atje ndoqi studimet për Informatikë dhe Politikë Ndërkombëtare. Një ndihmesë të çmuar dha ai edhe për arsimimin e fëmijëve shqiptarë në Mbretërinë e Suedisë. Përveç punëve të tjera, duke jetuar familjarisht në atë shtet të njohur e mik tonin skandinav, tani ai po merret me mbledhjen, dokumentimin dhe shkrimin e tërë prvojës dhe historisë së shqiptarëve, në mërgim, në tëra vendet e veprimtaritë, që ata kanë zhvilluar. Një ndër veçoritë jetësore të Hysen Ibrahimit është përfshirja në fushën e krijimtarisë. Në 9 vëllimet e “Thesarit”, nga ai janë realizuar 56 intervista. Po kështu, është redaktor, recensionues e ka dhënë mendime për disa libra, që kanë botuar autorët shqiptarë, në vitet e fundit.

Për jetën plot veprimtari të dobishme për Atdheun, të Hysen Ibrahimit, kanë folur e shkruar një numër i konsiderueshëm personash, si të jetës politike, por dhe arsimore, shkencore, kulturore etj. Ja, çfarë thotë Prof.Osman Ahmetgjekaj: “Ishim me fat, ne mërgata shqiptare në Suedi, që të kishim ty, si prijës, udhërrëfyes, organizator, lokomativë të të gjitha aksioneve, tubimeve dhe veprimtarive, me vlera të larta kombëtare”. Ndërsa vetë ai shprehet, me modesti: “Kultura, arti dhe traditat shqiptare, për secilin mërgimtar, kanë qenë ambasadori më i mirë për të paraqitur, se cilët jemi ne, pra origjinën tonë…Mund të them se, sa më gjatë që do t’i kishim lënë për t’i shkruar veprat tona në mërgatë, aq më e madhe do të ishte mundësia për të na harruar dhe do të na dënonte historia!”

Në përmbyllje të këtij shkrimi modest, e përshëndesim përzemërisht veprimtarin e shquar të çështjes mbarëkombëtare shqiptare, si dhe mbështetësin kryesor të botimit të 9 numrave të veprës “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare, në Suedi”! Me këtë rast, kolegut e mikut të nderuar Hysen Ibrahimi, i urojmë: Shëndet e mbarësi, arritje të tjera më të larta në krye të Shoqatës së Shkrimtrëve e Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani, Suedi”, si dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare! (Murat Gecaj, Tiranë, 29 Qershor 2018).

 ROMANI “MISTERET E KOHËS” I AUTORES ELHAME GJYREVCI

Në romanin e titulluar “MISTERET E KOHËS” (botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”), lexuesi do të vërejë vetëdijen e qenies njerëzore në rrugë të gabuar, por edhe të atyre që ndihen përgjegjës për identifikimin e këtyre ngjarjeve për t’i eliminuar, mundësisht, në tërësi, edhe me sakrificën e tyre të skajshme. Autorja Elhame Gjyrevci, përmes këtij romani tejet kuptimplotë, i jep rëndësi me të drejtë kohëve, shfaqjes konkrete e humanizmit njerëzor dhe me sukses të plotë i afrohet botëkuptimit të vetëdijes kombëtare njerëzore.

Autorja për mrekulli arrin që, këtij romani, me personazhet e përzgjedhur e tejet të qëlluar, t’i japë  aureolë të ekzistencës reale midis fenomeneve të përgjithshme dhe njeriut.  Kështu, autorja e bindur se përmes romanit mund të arrijë shkëlqyeshëm të zbërthejë mistere të kohës, enigmave të botës së dukshme. Rruga e zbërthimit të këtij misteri të kohës  autoren Gjyrevci e shpie drejt identifikimit të ngjarjeve me kohën përmes romanit “MISTERET E KOHËS”.

Në roman hasim, në shumicën e ndodhive, kur autorja dominon fiksimin e saj të qartë roleve të Drenit, Zikos, Milotit dhe Erës, pa anashkaluar edhe rolet e tjera përcjellëse, që shumë herë kanë një rol tejet të rëndësishëm, sikurse humanizmi i madh i familjes së Malit. Këtu autorja fiksohet në roman, ku pjesën më të madhe të roleve (përjashtuar njerëzit e prostitucionit, krimit dhe drogës),  me veprimet e tyre krijon personazhe të njeriut tonë nëpër histori.

Raportet në fillim shoqërore dhe më vonë vëllazërore të Drenit dhe Zikos, në roman sjellin si dëshmi për raporte të ngushta kur arrin t’i krijoj shqiptari, “kur do dhe kur di”. Rruga e mistershme e personazheve, shpesh nga frika, fut në kokën e tyre disonanca të tingujve jashtëtokësorë, paradokse të padëshiruara. Romani “MISTERET E KOHËS” i autores Elhame Gjyrevci, jo vetëm që zbulon ngjarje të dhimbshme, ato të kohës nëpër të cilën po kalojmë, por kryekreje autorja qëndron besnike për t’i zbuluar këto tema tabu të jetës konkrete, veçanërisht duke u ballafaquar për çdo ditë me to, kudo nëpër trojet shqiptare, tema këto kur personazhet e këtij romani: Dreni, Zikoja, Miloti, Mali, Tomori, Xha Rizai, Nënë Biba, i diskutojnë shumë herë dhe të zhgënjyer thellësisht në udhëheqësinë shqiptare, të pazotë dhe të korruptuar deri në fyt. Madje, këtij romani, mund t’ia japim një sharm tejet të veçantë, duke përzgjedhur figura studentore, siҫ janë personazhet në të vërtetën kohore, që merren me esencën e jetës, duke rënë pre e padrejtësive, por nga emocionet e tyre atdhedashëse dhe humane, fuqishëm iu kundërvihen këtyre mistereve të kohës.

Sidoqoftë, vizioni i autores përmes këtij romani ka për qëllim  ta përshkruajë të kaluarën dhe të tanishmen në këto kohëra e që i hasim mjaft mes veprave kriminale. Ndaj, me të drejtë znj. Gjyrevci, si vizion për të mos ndodhur këto krime në të ardhmen, si probleme kyҫe që e shoqërojnë popullin tonë, duke sjellë kultura aziatike që aspak nuk kanë të bëjnë me traditën dhe kulturën shqiptare, sjell mesazhin se nga duhet shkuar dhe ku janë vlerat tona kombëtare, duke arritur të punësohen shqiptarët edhe në NASA. Krejtë në fund, mund të themi se autorja ka arritur, përmes këtij romani tejet artistik, t’i shkrijë mallkimet e fjetura, që nxjerr njeriun e jetës së krimit dhe e veçanta në anën tjetër për mrekulli nxjerr njerëzit  atdhedashës të të gjitha trevave shqiptare, të arsimuar dhe të ngritur në shkallë të lartë intelektuale dhe njerëzore, që ia duan të mirën kombit të tyre SHQIPTAR. (Hysen Ibrahimi). P. S. Këto janë disa nga artikujt e ribotuar në faqet e revistës „Shqiptari” në Bukuresht, revistë e dinamizuar edhe me fotografi, mirënjohje etj.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat