Një vepër e rrallë që t’i përkujton idealet e rilindësve tanë

Libra

Një vepër e rrallë që t’i përkujton idealet e rilindësve tanë

Nga: Baki Ymeri Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 23:50
Ballina e librit

Autori i këtij libri u lind në kohën kur në trojet rumune shkëlqente një plejadë e patriotëve shqiptarë me prejardhje korçare, por edhe nga vise të tjera të Shqipërisë. Ishte një plejadë shqiptarësh me një dashuri të zjarrtë ndaj atdheut. Ishin shpirtërat e mëdhenj që u dogjën për gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar, një numër i madh mëmëdhetarësh të shquar që dhanë kontribut të denjë për bashkimin e kombit dhe realizimin e pavarësisë.

Në kuadrin e kësaj vepre jepen burime të reja, jo vetëm për korçarët, por edhe për figura tjera demokratike që e pasurojnë spektrin e  konstelacionit shqiptar. Në këtë kontekst bëhet fjalë edhe për gazeta e revista dhe shoqëri patriotike dhe kulturore që e mbajtën të pashuar flakën e atdhedashurisë shqiptare në diasporë. Libri i Thanasit ka rëndësi të veçantë për zgjerimin e njohurive dhe pasurimin e bibliotekave tona. Studjuesi Thanas Gjika, autor i tetë veprave shkencore me nivel të lakmueshëm, është vlerësuar prej studjuesit rumun Akademik Harallamb Mihaesku, profesorëve të Shqipërisë e Kosovës, si dhe prej studjuesit amerikan Prof. R. Dean Davis, etj.

Duke lexuar jetën dhe veprën e disa personaliteteve si, Sami Rerpishti, Mërgim Xhevat Korça, Jozef Lazër Radi, Ylli Demneri, Loni Vasil Trebicka etj., krijojmë përshtypjen se kemi të bëjmë me vlera magjike të një mrekullie historike. Autori i kësaj vepre është një njohës i mirëfilltë evenimentesh të shkuara dhe aktuale, në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Ky libër u kushtohet të gjithë atdhetarëve që punuan për ta mbajtur gjallë flakadanin e lirisë për kombin tonë. Autori, shkencëtar, historian dhe eseist,, është njeriu që ia dedikoi tërë jetën afirmimit të vlerave kombëtare, një nga korçarët më të  shquar të ditëve tona, banor i trojeve të bekuara të Amerikës mike, njeriu të cilin vlen ta përshëndesim për këtë libër me disa nga shkrimet e viteve 2018-2020.  Në vijim po japim përmbajtjen e librit:

Ese: Dy kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë; Dyzimi mendor i krijuesve shqiptarë gjatë diktaturës komuniste dhe pas saj; Zilia dhe urrejtja – tipare të shqiptarëve të politizuar që duhen shëruar sa më parë .PORTRETE – BIOGRAFI: Sami Repishti – Një institucion i mvetësishëm; Inteligjenca e lartë ndihmon dhe për evoluimin e të tjerëve; Poet dhe analist i ngjeshur me ide dhe figura letrare; Mjeshtër i kujtimeve dhe hollësive artistike; Me guxim, vullnet dhe optimizëm si rrallëkush; Tenori Toli Adham Pano “Bilbili” i Korit Lira; Veprat e Ndërtuesve duarartë janë pjesë e kulturës kombëtare; ARTIKUJ POLITIKË: Për konferencën shkencore që do t'i kushtohet 75-vjetorit të çlirimit; Katarsis i munguar i politikës shqiptare; Politizimi i historisë – krim kombëtar; Lufta e klasave – kanceri i politikës dhe i shoqërisë shqiptare; Lamtumirë i dashur Mihallaq!

Politizimi i historisë - krim kombëtar

(Krimet e komunizmit filluan me formimin e PKSH-së)

Politizimi i historisë ka të bëjë me vlerësimin e ngjarjeve historike, e veprimtarive të organizatave, partive, personaliteteve, sipas interesave politike të një partie, grupi njerëzish, ose të një personi që ka pushtet politik. Thënë ndryshe, politizimi i historisë është shtrembërimi i ngjarjeve që kanë ndodhur, i fakteve, i bëmave të personave dhe personaliteteve, të grupeve shoqërore, ose të organizatave dhe partive politike.  Që nga koha e Nikita Hrushovit u pranua se partitë komuniste dhe udhëheqësit e tyre kanë bërë shumë krime dhe shtrembërime faktesh e ngjarjesh. Nga njëra anë partitë komuniste dhe udhëheqësit e tyre kanë mbivlerësuar bëmat e partive dhe të veprimtarëve të tyre, kurse nga ana tjetër kanë nënvlerësuar, luftuar dhe eliminuar shumë persona, personalitete, organizata dhe parti politike, që nuk u bindeshin urdhërave të tyre, ose që ndiqnin një vijë tjetër politike. Kur këto veprime kanë sjellë pasoja negative në jetën e një populli e të një shteti, ato quhen krime kombëtare.

Para disa javësh iu paraqit parlamentit shqiptar një studim ku jepeshin të dhëna për bëma terroriste të 265 ish-kuadrove të ushtrisë partizane, të cilët gjatë L2B krahas luftës kundër pushtuesve kishin kryer edhe krime ndaj shqiptarëve. Kërkesa që iu bë parlamentit shqiptar për t'i quajtur kriminelë lufte këta ish-kuadro ushtarakë ishte kërkesë e drejtë. Ajo ishte formuluar pas një studimi serioz të kryer nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK). Mirëpo ajo u hodh poshtë prej deputetëve të Partisë Socialiste, kurse Kryeministri i RSH, z. Edvin Rama kërkoi që ISKPK ta kufizojë periudhën e studimit të krimeve dhe pasojave të komunizmit vetëm në vitet e sundimit të diktaturës së proletariatit. Mosaprovimi i kësaj kërkese dhe vendimi i z. Kryeministër të revoltojnë, por edhe më shumë të revolton qëndrimi i z. Spartak Braho, një ish-prokuror i kohës së diktaturës komuniste dhe sot deputet i Partisë Socialiste, i cili me arogancë dhe cinizëm e quan intelektualin e shquar z. Agron Tufa, drejtorin e këtij instituti, “neofashist e ballist, që hedh poshtë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”, etj.

Të evidentosh dhe të dënosh krimet e disa kuadrove komunistë të ushtrisë partizane nuk do të thotë se e mohon Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), por se e çliron vlerësimin e saj prej politizimit, prej mbivlerësimeve që i janë bërë kësaj lufte prej udhëheqësit të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), i cili shumfishoi çdo bëmë të partisë dhe të ushtrisë partizane dhe nuk i dënoi kurrë gabimet dhe krimet që kryen shumë kuadro drjetues gjatë luftës e mbas saj.  Për shkak të ekzistencës si dje dhe sot të shumë pushtetarëve nostalgjikë ndaj regjimit diktatorial dhe diktatorit, puna e ISKPK për gjetjen dhe dënimin e krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri ka ecur me hapa të ngadalshëm. Këtë proces vendet e tjera ish-komuniste të Europës Qendrore e Lindore, me përjashtim të Federatës Ruse dhe Serbisë, e kanë kryer me kohë. Më e keqja është se shumë ish-kuadro drejtues të luftës dhe ish-funksionarë të regjimit komunist, bashkë me bijtë e tyre, vijojnë të vuajnë nga nostalgjia ndaj asaj politike dhe atij regjimi që u siguroi karierë dhe poste të pamerituar.

Realisht ish-partizanët dhe ish-komunistët shqiptarë kanë bërë dhe bëjnë pjesë në dy grupe njerëzish: njëri grup, që përbën shumicën, ka pasur dhe ka njerëz që kanë qenë e janë të ndershëm. Shumë prej këtyre ranë dëshmorë për lirinë e atdheut. Kurse grupi tjetër, që përbën pakicën, ka pasur dhe ka njerëz që kanë qenë dhe janë karieristë e të pandershëm. Pikërisht këta me në krye Enver Hoxhën, morën drejtimin e partisë dhe të luftës dhe ecën sipas porosive të dy komunistëve jugosllavë, Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës, të dërguarve të Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ) për krijimin dhe drejtimin e PKSH dhe të luftës sonë partizane. Askush nuk ka pse të dyshojë se këta dy emisarë punuan dhe ndihmuan për të realizuar interesat e PKJ dhe të shtetit Jugosllav. Shumë kuadro të PKSH dhe të ushtrisë partizane shqiptare duke zbatuar orientimet dhe urdhërat e M. Popoviçit dhe të D. Mugoshës, kryen krime gjatë Luftës Antifashiste. Ata vranë pa gjyq shumë njerëz të pafajshëm, për arsye se nuk iu bindeshin urdhërave të tyre, ose se iu dukeshin armiq sepse kishin formim arsimor perëndimor, ose gjendje të mirë ekonomike.

Mbas luftës, pasi PKSH-ja mori pushtetin, të tillë njerëz vijuan të kryenin krime edhe më tepërt. Përmes luftës së klasave e ndanë popullin në dy kategori: njerëz me biografi të mirë dhe njerëz me biografi të keqe. Janë pikërisht këta karieristë që nuk kanë dashur dhe nuk duan të reflektojnë e të kërkojnë të falur për krimet që kryen gjatë L2B dhe gjatë sundimit të diktaturës së proletariatit. Ata nuk duan të pranojnë faktin e hidhur se gjatë jetës partizane, si dhe më vonë, dëshira për karierë i transformoi nga fshatarë e punëtorë të thjeshtë e të guximshëm, që dolën malit për liri, në njerëz servilë që për të zënë një post dhe për ta mbajtur atë kryen verbërisht çdo urdhër që u vinte nga lart edhe pse shumë urdhëra ishin të paligjshëm e kriminalë.

Duke i besuar dhe shërbyer verbërisht Enver Hoxhës për të fituar e mbajtur një post, shumë partizanë u tranformuan në kriminelë. Më tej, frika se mos e humbnin postin e marrë dhe dëshira për të bërë karierë të mëtejshme, i shtyu ata nga krimi në krim. E fshinë nga ndërgjegja e tyre të menduarit kritik dhe e zëvendësuan atë me nënështrim robotik. Ata  vunë mbi gjithçka interesat e partisë. Besonin me naivitet, ose sepse u leverdiste, se çdo mendim e çdo vendim që delte nga goja e E. Hoxhës ishte i drejtë dhe nuk duhej diskutuar. Ata nuk kërkonin fakte për të kuptuar se ishte apo jo armik ky ose ai shqiptar, qoftë dhe miku e kolegu i tyre, të cilin e shpallte armik partia e udhëheqësi i saj. Ky drogim i këtyre kuadrove u përhap si sëmundje edhe në popull, shumica e të cilit jetonte nën terrorin që ushtrohej dita ditës dhe fukarallëkun e skajshëm, Për të mbijetuar populli e mbylli gojën duke u pajtuar me të keqen. Kjo situatë solli një shkatërrim moral në mendësinë e popullit tonë, shkatërrim që nuk ishte përjetuar as gjatë sundimit osman disashekullor.

Pjesa dërmuese e njerëzve që kishin pozita të larta në parti, ushtri dhe administratë mendonin dhe propagandonin si robotë se “Enver Hoxha, komandanti legjendar” ishte njeri i drejtë që jepte dënime vetëm për të mirën e atdheut e të popullit. Kishte ndodhur që kur arrestoheshin disa prej këtyre shërbëtorëve robotë, këta nuk besonin se urdhëri i arrestit ishte dhënë prej vetë Enver Hoxhës. Ky lloj drogimi u kishte hyrë në palcë shumicës së kuadrove, madje dhe shumicës së popullit, sa që edhe sot pas gati 30 vjet nga kapitullimi i sistemit të diktaturës komuniste, kur iu tregohen krimet e asaj kohe, ka njerëz si deputeti Spartak Braho, që nuk besojnë se gjatë Luftës Antifashiste u bënë krime ndaj shqiptarëve nga disa komandantë e komisarë çetash, batalionesh e brigadash partizane. Ai mendon se kjo punë kryhet vetëm për të njollosur LANÇ.

Për të bindur deputetin S. Braho dhe përkrahësit e tij, si dhe zotin Edvin Rama, Kryeministrin e RSH, se gjatë Luftës Antifashiste u kryen shumë krime dhe se dënimi i krimeve të komunizmit duhet filluar që me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare, po rendis këtu disa fakte që dëshmojnë se Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt që nga themelimi i PKSH-së e në vijim kryen akte kriminale, që duhen cilësuar tradhëti kombëtare dhe që duhen dënuar sa më parë për të çliruar atë pjesë të popullit dhe të pushtatarëve që vuajnë nga nostalgjia komuniste.

Këtë artikull nuk e shkruaj se dua të mohoj LANÇ, as të mohoj trimëritë e partizanëve, as të mohoj shenjtërinë e dëshmorëve, dhe as të justifikoj gabimet dhe krimet që kryen ballistët pas 10 shtatorit 1943, pasi Shpati (Enver Hoxha) u dha urdhërin sektet organizatave bazë të PKSH-së që ta shpallnin Ballin Kombëtar (BK) armik e ta sulmonin ushtarakisht si tradhëtar e bashkëpunëtor të pushtuesit edhe pse deri atëhere ballistët nuk kishin bërë ndonjë bashkëpunim me pushtuesit italianë e aq më pak me gjermanët që po i zëvendësonin.

Mohimi i Shqipërisë së bashkuar ishte tradhëti kombëtare

Pas pushtimit gjerman të shtetit Serbo-Kroato-Slloven, ky shtet u shpërbë. Sllovenia dhe Kroacia u shpallën shtete më vete, Hungarisë iu bashkua Vojvodina që banohej kryesisht nga hungarezë; Bullgarisë iu dha pjesa më e madhe e Maqedonisë, kurse Shqipërisë iu bashkuan në gusht të vitit 1941 pjesa më e madhe e Kosovës, pjesa perëndimore e Maqedonisë dhe territore të tjera të banuara nga shqiptarët, që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë dhe Malit të Zi më 1913. Atdhetarët shqiptarë këtë ngjarje e quajtën fitore për popullin shqiptar, sepse pavarësisht se Shqipëria ishte e pushtuar dhe pavarësisht se kush e realizoi bashkimin, ky bashkim korrigjoi pjesën më të madhe të gabimit historik që i ishte bërë popullit tonë me vendimet e Konferencës së Londrës më 1913.

Në radhët e atdhetarëve dhe në popull u krijua një psikologji optimiste. Mendohej se sido që të mbaronte L2B, Shqipëria e bashkuar me Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Dibrën, Gostivarin, Kërçovën, Tetovën, Strugën, Gucinë, Plavën, Ulqinin etj, pas mbarimit të kësaj lufte, do ta hidhte edhe një herë në det ushtrinë italiane, si më 1920. Një numër i madh nëpunësish dhe mësuesish u dërguan në territoret e bashkuar me atdheun mëmë për krijimin e administratës shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe. Ata u pritën me dashuri prej banorëve vendës dhe punuan me përkushtim atdhetar.

Mirëpo Josif Broz Titua bashkë me udhëheqësit e PKJ nuk e pranonin faktin se më 1913 Serbisë i ishin dhënë padrejtësisht, nën presionin e Rusisë Cariste, territore që banoheshin kryesisht ose tërësisht prej popullit shqiptar i cili ishte një popull autokton dhe jo sllav. Ata filluan të thurrnin plane sesi këto territore t'ia rikthenin shtetit që do të krijonin mbas luftës me emrin Jugosllavi. Një situatë e favorshme për ta u krijua mbas sulmit të Gjermanisë naziste ndaj Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) (22 qershor 1941), pikërisht pasi udhëheqësi i BRSS, J. V. Stalini, dha urdhër për krijimin e luftës partizane në shtetet e pushtuar prej nazi-fashizmit (korrik 1941). J.V. Stalini urdhëroi që partitë komuniste në vendet e pushtuar, të organizonin e të drejtonin luftën partizane kundër pushtuesve. Edhe atje ku nuk ekzistonin parti komuniste, këto duhej të krijoheshin sa më parë për të organizuar e drejtuar luftën partizane, me qëllim që Gjermania dhe Italia të mos i hidhnin të gjitha forcat ushtarake kundër BRSS.

Kjo situatë i nxiti J. B. Titon dhe udhëheqësit e tjerë të PKJ, për të thurrur plane sesi të realizonin synimet e tyre shoviniste nacionaliste, pra të shpërbënin edhe Shqipërinë tashmë të bashkuar me një pjesë të madhe të territoreve që i ishin marrë padrejtvsisht më 1913. Ata krijuan emrin Shqipëri e madhe, për të ngjallur urrejtje ndaj Shqipërisë së bashkuar, gjoja se ky shtet ishte shtet shovinist që kishte marrë padrejtësisht territore të një shteti tjetër. Shqipëria e bashkuar, në të vërtetë nuk i përfshinte gjithë territoret shqipfolëse, si pjesa veriore e Kosovës, që iu la Serbisë; pjesa veri-lindore dhe jug-perëndimore e Maqedonisë, që iu dha Bullgarisë; si dhe Çamëria që iu la Greqisë. (Fragment i shkëputur nga një studim i gjatë)

Box

Prof. Asc. Dr. Thanas Ligor Gjika u lind më 2 korrik 1944 në Korçë, ku mbaroi gjimnazin. Studimet e larta i kreu në Tiranë në vitet 1962-66 në USHT, Fakulteti Histori Filologji, dega Gjuhë Letërsi Shqipe. Në vitet 1966-69 punoi si redaktor e gazetar në Radio Tirana. Në vitet 1970-1996 punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, ku mori formim për analizën e tekstit letrar e publicistik. Në korrik 1996 u shpërngul familiarisht në SHBA pasi fitoi lotarinë amerikane. Ka shkruar e botuar shumë artikuj, kumtesa, referate dhe disa vepra shkencore, si Mihal Grameno Publicist Demokrat AKADEMIA E SHKENCAVE E RPSSH Tiranë, 1980, 277 f.; Kur Dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re MEDAUR Tiranë, 2007, 503 f.; Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit DDS, Durrës, 2011, 308 f.; Mihal Grameno, jeta dhe vepra DDS Durrës, 2012, 506 f.; Shën Pali Punoi dhe në brigjet e Adriatikut OMSCA-1, Tiranë 2014, 505 f.; Mosdënimi i krimit është krim i ri OMSCA-1 Tiranë 2016, 452 f.; Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm KUMI PRESS Tiranë 2018, 450 f.

Studimet historike, analizat politike dhe letrare, si dhe krijimtaria e tij publicistike ndihmojnë proceset e zhvillimit të sotëm të botës shqiptare për krjimin e një letërsie, një politike, një kulture mbarëkombëtare shqiptare. Studimet e tij sjellin teza dhe hipoteza të reja të ndërtuara me akribi shkencore he me gjuhë të pastër e të pasur. Ato janë vlerësuar prej specialistëve të ndryshëm amerikanë, rumunë dhe shqiptarë si Prof. R. Dean Davis, Akademik Harallamb Mihaesku, Akademik Jorgo Bulo, Prof. Muhin Çami, Prof. Klara Kodra, Ph. D. Peshkop Joan Pelushi, Prof. Agim Vinca, Prof. Isak Shema, Prof. Sadri Fetiu, etj. Libri që keni në duar përmbledh vetëm një pjesë të shkrimeve të studjuesit e publicistit Th. L. Gjika të viteve 2018 -2020, ku synon dënimin e krimeve të komunizmit si domosdoshmëri për të ardhmen e popullit shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat