Promovohet libri "Betejat e mia" i autorit Abdulla Shasivari

Libra

Promovohet libri "Betejat e mia" i autorit Abdulla Shasivari

Më: 27 janar 2021 Në ora: 17:04

Në bibliotekën e qytetit në Gjilan, në kuadër të manifestimit kulturor kombëtar “Flaka e Janarit është promovuar sot libri "Betejat e mia" i autorit Abdulla Shasivari.

Drejtuesi i Ars Club “Beqiri Musliu”, Sabit Rrustemi ka thënë se në këtë edicion jubilar të “Flakës së Janarit”, po promovojmë një libër të rëndësishëm, që ka të bëjë me të gjitha sakrificat e martirëve, dëshmorëve dhe heronjve të kombit, të cilëve edhe iu kushtohet ky manifestim, që nga dita e parë e themelimit.

Ndërsa, Drejtoresha për Kulturë Rini e Sport, Deniza Limani tha se gjatë takimit me autorin e këtij libri e ka dëgjuar historinë e tij, andaj janë pajtuar që promovimin ta bëjnë në një manifestim siç është “Flaka e Janarit”, që u dedikohet dëshmorëve dhe heronjve të kombit, ndërsa këtë vit i kushtohet heroit Kadri Zeka.

Ajo tha se interesimi për të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e “Flakës...”, ka qenë i madh, por sivjet pjesëmarrja e publikut është dashur të kufizohet shkaku i masave anti-covid.

Ndërsa, për librin ka folur ish-deputeti Murat Hoxha, i cili ka thënë se është nder dhe krenari që pas 21 vitesh të kemi të shkruar një libër të tillë që mund të quhet biografik, edhe për shkak të titullit të tij, “Betejat e mia”.

“Në fakt, përmes “Betejat të mia”, autori Abdullah Shasivari përshkruan më shumë modesti rrugëtimin dhe përpjekjet e veta për realizimin e ëndrrës çlirimtare, të mishëruar nga heroizmi dhe guximi i Sali Kupinës nga Tërpeza e Vitisë, në radhë të parë, të luftëtarëve dhe mendjeve të ndritura të shqiptarëve nëpër shekuj”, tha Hoxha.

Sipas tij, libri “Betejat e mia”, është një memorie e shkruar e një rrugëtimi dhe përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për liri, duke vënë në objektiv luftën e armatosur të UÇK-së. Komandat Abdullah Shasivari në rrëfimin e tij është i saktë dhe i drejtpërdrejt si një ushtarak i karrierës.

Pjesëmarrës në këtë promovim ka qenë edhe njëri nga protagonistët e këtij libri, ish komandanti i luftës, Nexhmedin Kastrati, i cili tha se në cilësinë e ish shefit të Shtabit të Zonës Operative të Pashtrikut dhe komandat i operacionit, ka ardhur për t’i shprehur mirënjohje autorit si dhe shokëve të luftës, që në ato momente të vështira kanë treguar gatishmëri, përgatitje dhe vendosmëri për të depërtuar dhe thyer kufirin shqiptaro-shqiptar dhe për të hyrë në Kosovë me luftë.

Në fund, autori i këtij libri, Abdullah Shasivari ka falënderuar të pranishmit duke theksuar se në këtë mes ka protagonistë të këtij libri.

Në këtë libër është përshkruar një karrierë ushtarake, duke potencuar se gjatë karrierës së tij ka hasur në sfida të shumta dhe peripeci të vazhdueshme, por se ato nuk e kanë ndalur drejt qëllimit të tij, duke iu bashkuar UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat