Karakteri i personazhit dhe krijimi i tyre

Libra

Karakteri i personazhit dhe krijimi i tyre

Nga: Shefqet Dibrani Më: 1 prill 2021 Në ora: 18:09
Malësorja

Secili autor bënë përpjekje për të përshkruar sa më mirë karakterin e personazhit, në menyrë që lexuesi t’i përjetojë si figura të gjalla, zakonisht kjo bëhet për romanet e tipit rrëfim a përshkrim për ngjarje të caktuara. Krijimi i personazhit sa më autentik, sa më afër botës reale, në mënyrë që të jetë i pranueshëm dhe i besueshëm për lexuesin. Autori i romanit “Malësorja”, këtë synim e ka realizuar plotësisht duke pasur parasysh ndikimin dhe përdorimin e romanit edhe në sitemin edukativo arsimor. Në dukje të parë përjetohen si personazhe reale, pasi karakteri i tyre është i përafërt me njerëzit e gjallë, edhe ngjarja është përshkruar aq besnikërisht sa shpesh hamendet lexuesi nëse po lexon një rrëfim real apo në ngjarje të imagjinuar e cila është konstruktuar në atë formë falë vetëdijes së autorit.

Si të themi, sjellja në jetë e karakterit të një personazhi është sfidë me të cilën është përballur edhe vet ai. Peripeci morale të krijimit të personazhit janë ilustruar në mënyrë estetike aq bukur sa kufiri në mes personazhit real dhe atij të imagjinuar është përafruar në atë masë ku dallimi është i vogël ose krejtësisht i përjetshëm, sidomos me protagonisten e cila si karakter është e sinqertë, rruga e saj jetësore është përplot peripeci, thjeshtësia e veprimit të saj është njerëzore, por duhet të jemi të qartë se ky roman ndryshe nuk do të duhej të shkruhej, pasi rëndësia estetike e romanit nuk do të vlente.

Karakteret e personazheve në romanin “Malësorja”, pasqyrojnë jetën e asaj kohe me të gjitha zymtësisë e saj, nga e cila, përmes këtij romani, është nxjerr e mundshmja për ndryshim dhe emancipim, gjë që karakteret e romanit botën e shohin ashtu siç shihej kudo realiteti i asaj kohe. E, nëse nuk ka bërë më mirë, sidomos me karakteret e vrazhdëta, është pasojë e rolit që iu ka dhënë autori, qofshin edhe karaktere antagoniste. Por në karakteret e këtyre personazheve, në botën e tyre, ne shohim edhe sot, një dramë jetësore me të gjitha nuancat e asaj kohe, të cilat shfaqen përmes mendimeve ose formave të veprimit të cilat i përkasin një periudhe kur jeta përjetohej si e tillë. Por në brendësin emocionale të karakterit dalin në pah edhe dëshirat e tyre, ambiciet përmes të të cilave shihet një motivim për të vepruar për të gjallëruar qoftë edhe duke i bërë dëmë tjetrit, ndërsa karakteret tjera si të themi duke u vetëmbrojtur kanë pasqyruar mënyrat e qasjeve ndaj fenomeneve dhe vobektësive të pashembullta të cilat vazhdimisht kanë lënë gjurmë e vragë në personalitetin e karakterit tjetër, përkatësisht të personazhit që është trajtuar brenda veprës letrare e cila është e rëndësishme për shoqërinë.

Jo pak ndeshim situata të veprimit të cilat nxjerrin më në pah karakterin veprues të personazhit i cili është ngarkuar për të vepruar mu ashtu, pasi koncepti i ngjarjes është planifikuar të rrjedh ashtu siç ka ndodhur edhe në romanin “Malësorja”, në të cilin autori përmes karakterit të personazheve mëton ta ndryshojë gjendjen sociale, po sidomos synon për t’i flakur disa vese të cilat e pengojnë zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë. Më duket se të gjitha angazhimet e autorit kanë të bëjnë me përpjekjen e tij për ta përmirësuar gjendjen sociale të shoqërisë të cilat i ka ngërthye si veprime të mundshme, i ka përafruar me ndodhitë dhe ngjarjet e zakonshme, pastaj ai ka bërë përpjekje të pareshtur që disa personazhe të ndryshojnë qëndrimin e tyre, karakterin e veprimit dhe përgjegjësitë në përmasa më të mëdha për të ndikuar në ndryshim dhe përmirësim. Nuk do të kisha thënë se personazhet, përkatësisht karakteret e librit janë vet personaliteti i autorit, por se janë sajesa ose pjellë e fantazisë krijuese kjo s’ka dyshim, andaj përafrimi me realitetin i një realiteti të dokumentuar është thjeshtësia e një imagjinate e kthyer në realitet për një realitet të mundshëm. Por një gjë evidente është se karakteret në romanin “Malësorja” nuk janë aq dinamike të tipit aksion, gjithsesi karakteret e personazheve janë përfaqësuesi tipik i romanit, përkatësisht i asaj gjendje më të cilën shkrimtari merret në mënyrë artistike, për të pasqyruar edhe mentalitetin, edhe traditën, edhe doket, edhe zakonet, të mirën dhe të keqen do të thoshim sipas një shprehje popullore, e cila është sendërtuar përmes këtyre personazheve, kryesisht të përafruara me njerëz real, sado që secili detaj është referencë e ndjenjës, përjetimit dhe imagjinatës së vet autori i cili demonstron aftësitë dhe njohurit e veta si tipare dalluese të një shkrimtari i cili përmes provincës mendon ta emancipojë edhe jetën urbane dhe shoqërinë në përgjithësi.

Sado që këto personazhe janë të përafërta me realitetin njerëzor, përsëri ata bëjnë jetën e tyre autentike, lëvizjet dhe veprimet e të cilëve sendërtojnë idenë e planifikuar që më parë, janë imazhet e veprës letrare, janë emocionet e veprimit, por janë edhe emocionet e vrojtimit, leximit dhe përjetimit të të gjithë atyre që kundrojnë ose e lexojnë këtë vepër. Me një fjalë drama dhe dramaciteti i veprimit janë aftësi krijuese të cilën nuk e posedon secili autor. E këtë e dëshmon krijimi i Malësores, një personazh autentik e cila ka mbajtur me sukses përgjegjësitë që ia ngarkon shkruesi për t’i shërbyer një qëllimi të caktuar i cili nga përmbajtja duket se është mjaftë i dukshëm, tejet transparent dhe motivues për t’u ndryshuar.

E ky ndryshim nuk bëhet, nuk arrihet nëse shoqëria në krajatat e jetës, në situata të caktuara nuk e pranon dhe përvetëson atë ndryshim duke e bërë si pjesë e mentalitetit të brendshëm. Pra revolucionet e mëdha bëhen atëherë kur individi dhe shoqëria kanë ardhur në një stad të vetëdijes qytetare për tu ndryshuar. E ndryshimin e shohin, e përjetojnë si nevojë por jo si detyrim, pasi gjërat e detyrueshme nuk kanë jetëgjatësinë e atyre që ndryshohen si nevojë si domosdoshmëri e një procesi etnokulturor, siç e kemi rastin në romanin “Malësorja”.

Edhe protagonistja e romanit të gjitha veprimet e saj i bënë në përputhje me proceset për ndryshim dhe vetëdijesim të shoqërisë, në përputhje me mentalitetin e atij ambienti arkaik, por ajo bënë, ajo lëvizë, veprime në përputhje me përjetimet e thella të cilat janë pjesë e një evulimi për të ndryshuar, pasi vet personazhi i protagonistes ka rolin për të frymëmarrë për të sfiduar dhe për të jetuar. Nuk ka sforcime të shumta, thjesht shkrimtari e ka detyruar personazhin të veproj si ai dëshiron, pra veprimi i shkrimtarit është tejet i gjakftohtë, të gjitha lëvizjet dhe veprimet e personazheve vetëm ai i kontrollon, atyre ua përcakton jo vetëm temperamentin e veprimit por ua cakton me gram edhe pjesën e karakterit i cili duhet të jetë në përputhje edhe me pamjen e personazhit i cili si arketip duhet të përfaqësoj tiparin më karakteristik të veprimit, lëvizjes dhe sjelljes brenda romanit a ndodhisë që përshkruhet në roman.

Në secilën vepër letrare, por edhe tek romani “Malësorja”, është e tejdukshme shoqërimi që autori ua bënë personazheve, ai është edhe ndikues i karakterit si dhe përcaktues i arketipit që ua përcakton edhe mënyrën, edhe sjelljen por edhe veprimin secilit personazh, në mënyrë që ecja, shoqërimi i autorit nëpër ato rrugë dhe nëpër ato përjetime duket të jetë i pashmangshëm, pasi e tërë vepra është rezultat i imagjinatës artistike të clën sigurisht e ka fiksuar, shtjelluar dhe konceptuar qysh në fillimin e fillimeve të këtyre veprimeve që rrëfehen në këtë vepër artistike e cila ka gjasë si rrëfim duket të jetë i saktë, pasi ngjarje të tilla, të përafërta, magjike e tragjike, me ëndrra, dëshira të njëjtë mund të kenë ndodhur, para ose edhe pas shkrimit të romanit. Ky afinitet është magjia e fantazisë, është intuita të cilën mund ta prodhoj vetëm mendja dhe dija e shkrimtarit, i cili më mirë se kushdo tjetër i njeh ato zhvillime, ato rrethana, atë traditë me të gjitha zhvillimet rrethanore, në situata e dilema tragjike a triumfe, përvoja letrare që e përcjellin dhe e shoqërojnë një vepër të tillë artistike, siç është romani “Malësorja”!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat