Kuvend përurimimi - Dy libra të Vilhelme Vrana-Haxhiraj

Libra

Kuvend përurimimi - Dy libra të Vilhelme Vrana-Haxhiraj

Nga: Kadri Tarelli Më: 4 prill 2021 Në ora: 22:36
Libri Autoktonia

Në ditët e fundit, të Marsit, 2021, në qytetin e Vlorës u organizua një kuvend letrar, kushtuar dy librave të znj. Vilhelme Vrana-Haxhiraj: "Autoktonia e Shqipërisë Jugore, Enigma e shekujve” dhe më i fundit, libri “Pa limit”, Esse dhe publicistikë. Nismëtar dhe rganizator ishte z. Bujar Leskaj, dashamirës i letërsisë dhe artit, i cili edhe më parë ka organizuar takime dhe përurime të tilla, për këtë autore të nderuar vlonjate. Ishte një takim që mori ngjyra festive, brenda kornizës kufizuese që na ofron kjo kohë e trishtë pandemie. Ai meriton falënderim dhe mirënjohje, sepse edhe në këto kohë të vështira, merr guximin të vlerësojë figura, që nderojnë Vlorën dhe mbarë kombin.

Takimin e çeli moderatori Fitim Haxhiraj, mjeshtër i fjalës dhe spektaklit, i cili pavarësisht moshës, drejtoi këtë kuvend si një dhjalë i ri.

Mes të ftuarve, nga Tirana nderoi kuvendin, Dr. Mujo Buçpapa, drejtor i gazetës kombëtare, letrare-artistike “Nacional”, i cili përshëndeti të pranishmit. Në fjalën e tij, si njohës i mirë i të gjithë krijimtarisë së Akademikes Vranari, u përqëndrua në krijimtarinë e saj të pashoqe, si sasi dhe cilësi, ku spikasin vlerat letrare, filozofike, historike, atdhetare e demokratike të autores.

Këtë kuvend librash, e përshëndetën edhe miq nga Durrësi: Shpendi Topollaj, shkrimtar, studiues, kritik letrar, dramaturg. Më pas Kadri Tarelli, Faslli Çekaj, Përparim Manaj. Mes tyre përshëndeti edhe diplomati Spartak Topollaj, i cili këto kohë ndodhej në Vlorë.

Pati shumë diskutime, aq sa takimi u shndërrua në spektakël letrar e shkencor, pasi u recituan edhe poezi të vetë Autores “Vivra”, por edhe krijime të të tjerëve. Po rendis disa prej tyre:

- Znj. Dajana Mersini, e cila pasi u vetëdeklarua se kush ishte, tha: Jam autorizuar nga redaktorja e librit, Znj. Lejla Gorishti, e cila për arsye shëndetësore nuk mund të marrë pjesë, që të lexoj Referencën e librit studimor "Autoktonia e Shqipërisë Jugore, Enigma e shekujve”

- Kryetare e LDGH. Vlorë, znj. Alta Haluci. E cila pas fjalës përshëndetëse recitoi poezinë "Sa do të doja", fituese e çmimit të parë në Itali, poezi që është futur në Antologjinë Botërore (2010-2012), mes 102 autorëve nga e gjithë bota.

- Rainhard Haxhiraj, nipi i autores, që nuk i ndahet gjyshërve në çdo takim, përshëndeti auditorin dhe gjyshen e tij të dashur, me poezinë e saj, "Rrënjët"- fituese e çmimit të Parë Ndërkombëtar në Itali (2009).

- Tubimin e përshëndeti në mungesë, poeti Albert Habazaj, poezinë e të cilit "Princesha e letrave shqipe në Vlorë", e deklamoi znj. Ermela Braha.

- Znj. Ester Sharra recitoi poezinë e autores Vranari. " E vërteta , sipas Luis Borges!".

Me këtë rast edhe unë i kushtova pak fjalë vlerësimi, librave dhe këtij kuvendi festiv:

Kam kënaqësinë dhe nderin tu përshëndes të gjithëve që merrni pjesë në këtë kuvend ku flitet për librin dhe autoren Vilhelme Vrana-Haxhiraj, të cilës po i uroj nga zemra: Jetë, shëndet të mirë e vullnet të fortë, për krijimtari të bukur në dobi të kulturës dhe historisë së kombit.

Me “Vivrën” jam njohur vonë në Durrës, rreth shtatë vite më parë, 2014, kur iu dorëzua një çmim nga Shoqata atdhetare “Migjeni” që vepron në Suedi. Ishte një çmim konkursi poezie. U bëmë miq, vetëm atëherë kur unë fillova të njoh veprat e saj, që përveç artit të fjalës dhe forcës së mendimit, më tërhoqi studimi i thellë, argumentimi shkencor dhe shpirti atdhetar e kritik ndaj çështjes sonë kombëtare. Tipar ky, që rrallë po e ndesh në letrat dhe letrarët e kohës që po jetojmë.

Tani them se jam me fat që njoha një zonjë të madhe, ose siç e quaj në një poezinë time: “Princeshë nga rrënjët, mbretëreshë në letra”. Kadri Tarelli. “Koha në vargje”. Poezia “Vivra je vullkan”.

Cilido që lexon këto libra dhe futen në brendësi të tyre, ndjejnë një krenari të ligjshme, duke menduar se ende paska shqiptarë idealistë, që mendojnë e punojnë për shqiptari. Dhe unë i bashkohem këtij lexuesi, dua të them se jam një prej tyre, që ndjej dhe jetoj me shqetësimet dhe brengat e autores, kur bëhet fjalë për problemin kombëtar, ku pyetjet e shumta nuk gjejnë përgjigje dhe askush nuk merr mundimin të paktën të diskutohen e më pas të futen në udhën e zgjidhjes.

Megjithatë, puna dhe vepra e “Princeshës” sonë, diku ka trokitur dhe dikush ka hapur derën, duke shtyrë institucione të ndryshme si brenda e jashtë vendit të bëjnë aq shumë vlerësime duke dhënë tituj dhe medalje. Për ilustrim, veç titullit “Mjeshtre e madhe e punës”, unë po kujtoj vetëm dy të fundit: “Emblema diplomatike e Durrësit”, nga bashkia Durrës. 24 tetor, 2019, dhe ”Ikonë e letërsisë botërore”, nga Akademia e shkencës, letërsisë dhe Arteve Indiane. 25 maj, 2020.

Të them të drejtën, unë njoh vetëm një pjesë të kësaj krijimtarie të gjerë, në veçanti atë filozofike dhe historike. Diku kam bërë edhe shkrime vlerësuese, madje edhe hyrjen e librit “Elitat e mohuara, krenari e kombit”, libër që e cilësova si kryeveprën e saj, duke e emërtuar “Një enciklopedi” për kulturën shqiptare, qëllimisht të lënë në harresë. Mendova se kisha të drejtë.

Por pak muaj më parë, shtator 2020, doli në dritë libri “Autoktonia e Shqipërisë jugore, enigma e shekujve”, që i shtohet numrit prej rreth 60 librash, të botuar brenda 25 vjetësh nga kjo autore.

Kur mbarova së lexuari këtë vepër të re, e pranoj se kisha gabuar dhe po gaboj përsëri, sepse Vivra nuk po ndalet, duke na sjellë botime dhe studime të reja. Gjykoj kështu, pasi në këtë vepër bëhet fjalë për një studim shkencor historik të thelluar, që ka të bëjë me rrënjët dhe origjinën e iliro-shqiptarëve, si problem i pazgjidhur përfundimisht, më shumë i papranuar qëllimisht nga katedrat akademike shqiptare, që si murg manastiri pranojnë heshtjen, më pas edhe katedrat e rajonit të Ballkanit dhe të botës, që nuk heshtin, por ne s’i lëvizim dot.

Që në fillim dua të nënvizoj qëllimin e autores, si pikënisje e gjithë kësaj punë voluminoze: “Unë si autore e këtij libri, dëshiroj që të gjitha hipotezat dhe tezat e studiuesve të huaj apo vendas për etnogjenezën, lashtësinë e gjuhës Pellazgo-trako-ilire të popullit tim, shqiptarëve, të bëhet një ballafaqim i detajuar shkencor mes historisë sonë dhe pretendimet (greko-serbe)”. Që këtu, me të drejtë lind pyetja për çdo lexues, ca më shumë për ne shqiptarët: Pse ky shqetësim? Përgjigjen e gjejmë në faqet e këtij libri, sepse heshtet qëllimisht. Shkakun e mësoni duke lexuar dhe mbajtur shënim.

Më pas, si mësuese dhe “Misionare” e dijes dhe edukimit, shton një porosi tepër të vyer për të gjithë ne shqiptarët: “Nëse fëmijët i rrisim dhe i edukojmë me dashuri për atdheun, atëherë ata duhet ta njohin atë qysh nga zanafilla e jetës mbi këto troje”. Është një porosi që vjen që nga rilindësi i ditur Sami Frashëri, dhe që duhet ta mbajmë në qafë si hajmali: “Dituria sjell në jetë dhe ushqen atdhedashurinë, dhe të dyja së bashku e shtyjnë njeriun përpara, e mësojnë atë të punojë për të mirën e tij e të shoqërisë”.

Unë mendoj, se botimi i këtij libri është një pasuri kombëtare, punë që ka ngrënë kohën e 50-viteve, pra një durim skllavi e kurriz hamalli, më tej vullnet e përqendrim shkencëtari, për të grumbulluar dhe situr hollë materialin historik. Libër i shkruar për të bindur veten për ato çka do të thotë, njëkohësisht t’i bërtasë edhe botës të mbajë vesh, se duhet dëgjuar edhe zëri i studiuesve shqiptar, sepse edhe ata kanë ç’të thonë për rrënjët e shqiptarëve dhe paraardhësve tanë Ilirët, e më tej të shtyrë në kohë, Pellazgët.

“Të shkruash histori do të thotë ballafaqim me të vërtetën historike”, ngulmon autorja, duke vazhduar: “Pasurimi i historisë është detyrë dhe atdhetari”. Këto dy thënie tingëllojnë si kambanë në vesh të shurdhët të botës akademike Shqiptare, sepse nuk na e ka fajin bota, kur ne jemi memecë apo gjuhë lidhur. Çdo lexues do të vërejë se, shpesh nëpër faqet e librit, autorja shtron pyetjen: Ç’ bën akademia jonë? A i dëgjon dhe a i përfill dijetarët shqiptarë, duke nënkuptuar, se zëri i institucionit është më i fuqishëm se zëri i një individi, sado i fortë qoftë.

Autorja me të drejtë ve në dukje përpjekjet, do të thosha sulmet agresive të fqinjëve, që prej qindra vjetësh përpiqen të mohojnë rrënjët e shqiptarëve dhe rolin e tyre në këto troje. Madje nuk kanë të ndalur edhe në këto kohët e fundit.

Besoj se më lejohet të hamendësoj, siç mund të hamendësoni edhe ju: Ç’do të bënin qarqet akademike të fqinjëve, sikur këto gjetje t’i gjenin brenda kufijve të tyre? Jam i bindur se edhe Hënën dhe Marsin do ta zbrisnin në tokë dhe lajmet do të mbushnin ekranet e botës. Më e pakta punë: do ta “Vidhnin” historinë tonë, siç kanë bërë me kohë. Është një plagë e hapur herët, por që dhemb edhe sot.

Është lexuesi ai që bën vlerësimin e çdo libri, por me ç’ kam lexuar në rrjetet sociale, ka shumë pena të fuqishme që kanë folur me superlativa për këtë libër. Më vjen mirë që edhe unë jam i një mendje me ta.

Sot po ndjehem dy herë i vlerësuar, pasi janë puqur dy gëzime në një ditë, përurim i dy librave. Ndaj po i drejtohem znj. “Vivra”:

- “Besoj se kur të festosh 100-vjetorin, do të mblidhemi përsëri kështu siç jemi sot e të kuvendojmë për librin e 100-të”.

Faleminderit dhe suksese!

Miqësisht dhe mirënjohje!

Kadri Tarelli

Vlorë më: 27. Fillim pranvere. 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat