Magjia e fjalës në prozën e Zija Çelës

Libra

Magjia e fjalës në prozën e Zija Çelës

Nga: Halil Rama Më: 23 qershor 2021 Në ora: 19:49
Kopertina e librit

Shkrimtari i mirënjohur Zija Çela, “Nderi i Kombit”, për vetë vlerat e krijimtarisë së tij letrare është padyshim ndër më të preferuarit e lexuesit. Nëse tri vitet e fundit jemi mrekulluar me romanet “Djalli komik” e “Lavjerrësi i qytetit”, këtë fillim vere ai na dhuroi “Thika pa gjak”, që sapo është vënë në qarkullim nga Onufri. Një vëllim i strukturuar në tri pjesë, secila me nëntitullin e saj, gjithësej 54 tregime që të magjepsin me lëndën e larmishme, bukurinë fjalës dhe forcën tërheqëse të leximit. Pavarësisht nga mjediset apo vendi ku zhvillohen ngjarjet, të gjitha tregimet sjellin tema të aktualitetit dhe janë trajtuar, siç ndodh në krijimtarinë e Çelës, me frymën e universalitetit.

Me të drejtë, në përcjelljen e librit, prozatori e poeti Besnik Mustafaj ka theksuar kur shkruan: “Sado improvizues e spontan që është Zija Çela gjatë shkrimit, tipar ky që zbulon poetin brenda tij, ai e ka megjithatë të qartë Itakën ku do të mbërrijë dhe nuk hutohet gjatë rrugës, gjë që i jep rrëfimit të tij një qartësi, një dinamikë dhe një ritëm të lartë.” Pikërisht rrëfimi i qartë, dinamika dhe ritmi i lartë përshkojnë tregimet e Çelës. Lakonizmi spikat edhe në tregimin, i cili i jep titullin këtij libri. Autorit i mjaftojnë pak radhë në tregimin “Thika pa gjak”, për t’u ndalur thekshëm te tradhtia bashkëshortore, kjo plagë e rëndë e shoqërisë njerëzore, që rrëfehet nëpërmjet dialogut mes dy personazheve. Njëri prej tyre është Leli Makulla, që dyshon në tradhtinë e së shoqes. “Dhe që, si burrë pa këllqe për tradhtinë, i kthehet vetes: Jo, jo, nuk është ajo! Se ime shoqe lë kokën pas meje...e rrena të tjera, e dokrra pa kokrra.”

Pasi rrëfehet fare shkurt, por bindshëm artistikisht, prova e hidhur që kishte kaluar Leli Makulla, kur para Motel Nevadës, nga xhami i makinës, kushëriri kishte parë gruan e tij me një zotëri burrë, teksa zbrisnin shkallëve të fjetores, “zgjidhja” jepet në paragrafin e fundit: “E vrava, pra! I thuaj policisë se nuk jam larguar nga shtëpia.” Ndërsa më tej autori shkruan: “Kishin kaluar tetëmbëdhjetë vjet nga lajmi i kushëririt për Magdën dhe Nevadën. Qysh atëhere e kishte mbajtur dyshimin në zemër si thikë pa gjak.”

Këtë plagë të shoqërisë njerëzore, Zija Çela e trajton mjeshtërisht edhe në tregimin “Deri në fund”, kur dy personazhet, Asllani dhe Bilani, pasi rrëfejnë ëndrrat duke bërë seks me gratë e njëri-tjetrit, e kërkojnë me ngulm të verbër tragjiken, ata vrasin njëri-tjetrin...

“Sikur janë zgjuar të palumturit e botës...”

Mehmet Kraja, që spikat vetë në fushën e letrave, e vlerëson “Thika pa gjak” si “një libër të shkëlqyer, të atillë që dinë të bëjnë mjeshtërit e prozës dhe të shkrimit letrar.” Për shkrimtarin dhe analistin e mirënjohur Kraja: “Këto tregime, shkruar me synimin e artit sipëror, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve, që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak. Të palumturit e botës sikur janë zgjuar, u ka ardhur radha dhe duan të flasin.”

Dhe pesonazhet flasin vërtet, duke zbuluar pengjet e dramat e jetës. Nuk flet vetëm psikologu te “Timoni”, që e ka të vështirë t’i përgjigjet Evelinës për seksin, pasi ndodhet në konflikt interesi, ndërsa për timonin ai i sugjeron të rishqyrtojë vetveten. Por kjo, sipas tij, “nuk do të thotë se jeni thes me silikon ose kurvë!”

Flet edhe Tone Marashi, pronare e Bar Motra Tone në tregimin “Shuplaka e motrës”. Megjithëse gazetari dëshmitar del pro saj në gjyqin me Sedat Mahollin, i cili përgojonte prostitutat, prapëseprapë ajo do të shpërthejë në fund edhe ndaj tij: “E ç’burrë je ti që nuk ia ngjeshe turinjve atij horri, kur e dëgjove të ndynte gojën në prani të Motrës Tone!”

Flet edhe Bushkashi te “Halli i burrit”, kur shprehet se do t’i donte parmakët e ballkonit “të forta e të bardha, si këmbët e zonjushave”.

E kështu, “të palumturit e botës” sikur janë zgjuar dhe flasin, sa të mahnisin me bukurinë e magjinë e fjalës në dhjetra tregime të Zija Çelës.

Ndërkohë, si risi e prozës së shkurtër të autorit, është për t’u vënë re edhe mënyra si u qaset ai emrave të personazheve. Të tillë janë: Genti Meniku në tregimin “Margarita dhe tollumbace”; Andrea de Roca në Castelnovo te tregimi “Cili je dhe cila është”; Rudi Strazimiri te “Brezi i shkretëtirës”; Izabela Leonardo Dimikele dhe Rajmond Fransua te “Basti Final”; Anita Bokanini e Bernard Habacia te “Gropa thithëse”; Damian Roshi te “Demi në thes” e shumë e shumë emra të tjerë, që të ngazëllejnë herë me karakterin, herë me profilin e tyre, të ndërtuar mjeshtërisht nga gjeniu i letrave shqipe Zija Çela.

Këtë ndjenjë provon edhe gjatë leximit të tregimit “Tregtarë të tymit”, ku rrëfehet historia e Markut, i cili u kthye nga Amerika si Majkëll dhe e Gjinit, që në Amerikë u vetëquajt Xhimi...

Niveli i lartë artistik i një mjeshtri të denjë

Shkrmtari i i mirënjohur Lazër Stani, i befasuar nga bukuria e rrëfimit, evidenton te libri “Thika pa gjak” larminë e subjekteve, natyrshmërinë, ritmin, muzikalitetin dhe ngjyrimet e fjalës, trillin dhe lakonizmin, si veçori të pranishme në secilin prej tregimeve. Duke e konsideruar një koleksion rrëfimesh sa shqiptare po aq universale, ngjizur me fantazi të pashtershme kreative dhe të harmonizuara në një libër të strukturuar gjithë origjinalitet, Lazër Stani konkludon: “Thika pa gjak dëshmon sërish nivelin e lartë të këtij mjeshtri të denjë të prozës së shkurtër, që edhe në letërsinë botërore nuk janë shumë.”

Kështu, si rrallëkush, autori trajton plagët sociale te tregimet “Banka e ankesave”, “Koha e qenve”, “Mis luga” etj, ku tek ky i fundit MIS është Ministria e Iluzionit Social. Duke marrë gjithnjë shkas nga jeta, fantazia e autorit nuk ka të sosur, prandaj sjell me elegancë edhe ironinë e sarkazmën.

Si në disa romane, edhe në këtë vëllim me tregime, Zija Çela dëshmohet gjithashtu njohës i jurisprudencës. Kjo reflektohet në disa tregime ku, me trille artistike mbresëlënëse, hasim njëkohësisht viktimën, hetuesin, prokurorin, dëshmitarët dhe gjykatësin.

Në koherencë me realitetin, Zija Çela trajton me vetëdije të lartë artistike tema nga më të mprehtat. Nëse te “Banka e ankesave” rrëfen zyrtarin burokrat, i cili nuk ngurron t’i thotë qytetarit se ankesës së tij mund t’i vijë radha për t’u shqyrtuar pas dy-tri viteve, te “Tregtarë të tymit” gjejmë të famshmet PPP dhe sipërmarrës të pasuruar përmes tenderave me prokurim të drejtpërdrejtë. Po përmend kalimthi gjithashtu “Blu dhe Mavi Mbretërore”. Duke iu referuar gazetarit të huaj Frenk Uiliams, i cili kishte ardhur në vendin tonë për një reportazh, lexojmë: “Përpara se të përgatiste leksionin për studentët, me gjithë kërkimet e tij intensive, në tërë lëmshin tokësor asgjëkund tjetër nuk kishte mundur ta gjente termin Media kazani”.

Ndërsa te tregimi “Alpinisti”, nga personazhi interesant Flavio Markoni që kishte arritur të ngjitej në Everest, na thuhet në mënyrë metaforike: “Ekziston një mal tjetër, që është rreth gjashtëmijë metra më i ulët se Everesti. Dhe ndonëse e kam provuar dy herë, nuk kam mundur ta pushtoj. Ky mal është Olimpi.”

Perifrazime si shprehje filozofike

Nëse gjatë leximit të librit “Thika pa gjak” ndeshim fjalë e fjali të rralla që na nguliten në memorie, si: “...vetëm në atë vendin e çuditshëm, ku as shtëpia nuk është e pronarit, por e Zotit dhe e të huajve” (Blu dhe mavi mbretërore); “Njerëzimi njëlloj humbet, si po të harrojë me qeshë, si po të harrojë me qa!” (Mali i jetës); “prapanica e pulës ia dhjeu tërë imazhin romantik” (Hëna në tigan), në tregimet e shkurtra të pjesës së tretë, nëntitulluar HOROSKOP, gjejmë tregimtarin filozof me thënie të atilla proverbiale, që mund të shërbejnë si postulate. Ja disa prej tyre:

“E ndiej si shkallëve të hierarkisë gjëmon kori servil dhe si njerëzorja nuk ka më vlerë, kur baltë bëhet dinjiteti dhe nderi qenërisht hidhet në erë.”

“Një grua, një grua, për Qiell e për Tokë, edhe Zot të bën kur ta jep në kokë.”

“Qysh se më pate prekur, më ka zënë një hekë, thua se dua me vdekë.”

“Zogjtë që bashkë fluturojnë në vjeshtë, shkojnë drejt rrufesë së dimrit.”

“Megjithëse nuk ke më pak vrulle epshi, ajo mbretëresha tjetër, bilbilesha, të ka zëvendësuar me lodra seksi.”

“Duket sikur hëna e ka shpejtuar lindjen dhe dielli e ka vonuar perëndimin, vetëm e vetëm që të ndodhen ballë për ballë.” Apo: “Poshtë, pak para meje, një fije bari si gjuhë nepërke përqesh pleqërinë time...”

Lexon Zija Çelën e të vjen të thuash: “Faleminderit, Mjeshtër, letërsia juaj është e paharrueshme.”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat