Menduam se do të kemi recensione më profesionale

Libra

Menduam se do të kemi recensione më profesionale

Nga: Prof. Dr. Naim Syla Më: 3 gusht 2021 Në ora: 18:46
Foto ilustrim

Në konkursin për libër të fizikës klasa e 8 edhe unë isha konkurrent me një dorëshkrim, i cili u eliminua nga recensentët. Me kërkesën e shtëpisë botuese mora versionin zyrtar të recensimit. E lexova dhe rilexova me shumë kujdes. Dhe pas çdo rileximi, shqetësimi im rritej edhe më tepër për nivelin dhe qasjen në recension. Normalisht, unë kam pretenduar që të fitoj, mirëpo për të mirën e fëmijëve tanë, uroj që të ketë fituar libri më i mirë. Ta shohim!

Në këtë letër, unë do të bëjë analizën dhe përgjigjet në disa pyetje të cilat i ka ngritur recensenti/tja me shifrën F81. Ndërsa, në shkrimin tjetër do të bëjë analizën e recensentit/tes me shifër F82). Unë do ta pëlqeja ballafaqimin fizik për të dy rastet.

Prej 41 pikëpyetjeve që ngreh recensenti/tja, 20 janë formulime: gabim drejtshkrimor, teknik, në formulim. Në bazë të pikës 2.5 dhe 2.4 të udhëzimit administrativ 18/2018 këto janë punë të një gjuhëtari ose pedagogu. Mirëpo pavarësisht prej kësaj, nëse recensenti ka menduar se kjo është fizika, atëherë të paktën do të duhej të cekë se cili rresht është gabim dhe ndonjë shembull se si duhet te jetë. E jo në x faqen, gabim drejtshkrimor, gabim në formulim ose teknik.

Në vijim do të përgjigjem një për një pikëpyetjeve që lidhen direkt me materien e fizikës.
Pohimet e recensentit janë në bold italik, ndërsa përgjigjet e mija janë normal.

Faqe 9 mungon përfitimi i formulës për nxitim g.

Formula për h, v dhe g janë nxjerr dhe janë shënuar sipas RLT4. Formula për g është në rreshtin e parë pas formulës për h.

Faqe 17, figura 2.7 gabim

Sinqerisht nuk e kuptoj pse është gabim?!?!

Faqe 26 te pyetja 2.2 gabim në formulim.

Kjo është pyetja, sa veta janë duke vepruar në ormanin si në figurën 2.29 (ideja është që nxënësit të kuptojnë veprimin në tërheqje dhe në shtyrje). Pse gabim?!?!

Faqe 31, ligji i II i Njutonit është shumë i lartë për nivelin e dijës ...

Shembulli është standard për nivelin e shkollës së mesme të ultë. Kjo mund të verifikohet edhe nga të tjerët.

Faqe 41, detyra 3.22, 3.23, 3.24 ; faqe 42 detyra 3.26; faqe 57 detyrat 4.22 dhe 4,23;faqe 57 detyra 4.28., gabim teknik

Sado që i shikoj nuk e kuptoj pse ka gabim teknik?!?!

Faqe 44 nuk janë dhënë shumëfishat dhe nënfishat e Paskalit.

Sipas RTL1 të temës 4, kërkohet njësia e jo njësitë. Shumëfishat dhe nënfishat e Paskalit janë shpjeguar në klasën e gjashtë.

Faqe 49, nuk paraqiten shume fakte shkencore për shfrytëzimin e fuqisë së erës.

Ideja dhe fakti kryesor është cekur kuptohet për aq sa lejon niveli i fëmijëve. Kjo është fjalia: Përparësia e shfrytëzimit të fuqisë së erës për përfitim të energjisë elektrike është sepse është burim jo ndotës për ambientin. Prandaj, kohët e fundit po punohet shumë në drejtimin e shfrytëzimit efikas të fuqisë së erës.

Faqe 49, nuk shpjegohet mjaftueshëm përdorimi i altimetrit.

Nuk qëndron. Sipas TRL3 të temës 4, altimetri është shembull i zbatimit të ndryshimit të shtypjes atmosferike. Është dhënë formula, pajisja dhe një shembull i matjes. Çka është dashtë më tepër të shpjegohet në tekst?!?!

Faqe 70,71,75,80, 90,99,103,104,105,106 dhe 111, material i ngarkuar.

Shtjellimi i temave është bazuar në librat standard për këtë nivel (shih referencën). Nëse recensenti/tja mendon se janë të ngarkuara, atëherë është dashtë të paktën ta thotë pse?

Faqe 70, mungon figura.

Po kjo është e vërtet. Mungon figura 4, e cila gjatë dizajnit final është larguar jo qëllimshëm. Kjo është vërejtur dhe është përmirësuar me kohë, mirëpo në shtyp ka shkuar me gabim. E ky është gabim ose lëshim teknik.

Faqe 71, mungon rezultati i të nxënit të lëndës (përcakton periodën e lëkundjeve të vogla të lavjerrësit matematikë.

RNL3 e temës 6 thotë: përcaktimin e nxitimit të rëndesës nga formula e periodës së lavjerrësit. Dmth qëllimi është të përcaktohet g nga T. Në këtë RNL askund nuk përmendet termi lëkundje e vogël. Mendoj ushtrimi eksperimental (fq. 72) është i qartë dhe përmbush kërkesën e RNL- së.

Faqe 75 mungon rezultati i të nxënit të lëkundjet e detyruara (demonstron rezonancën nga dy rezonatorë të vendosur përballë njëri tjetrit)

Lëkundjet e detyruara janë shpjeguar. Ndërsa rezonanca është shpjeguar më ndihmën e një situate praktike (rrëzimi i urës) e jo me rezonator. Mendoj se e rëndësishme është të kuptohet rezonanca si dukuri fizike, prandaj mbi këtë bazë kemi menduar se më e kapshme është shembulli i urës. Pra, nuk mund të thuhet se nuk është realizuar RNL.

Dhe krejt në fund, recensenti/tja F81 përfundon se ligjet e Gay Lisakut dhe të Scharlit janë shpjeguar gabimisht.

Baza e këtij pohimi është se recensenti/tja mendon se gabimisht i kemi emërtuar. Mund të gjej me x shembuj të literaturës ndërkombëtare që ligjet emërtohen ashtu si e kemi emërtuar ne. Edhe kjo mund të vërtetohet.

Ndërsa, sa i përket librit të mësuesit, plani ditor është bashkëlidhur me planin mujor. Për secilën muaj janë shënuar temat dhe aktiviteti mësimor për 4 javë. Ndërsa ato plane ditore të cilat janë dhënë si shembull se si duhet zhvilluar orën mësimore qëndrojnë RNF, RNK dhe RNL (rreshti 6, 7 dhe 8). Po ashtu edhe metodologjitë e mësimdhënies janë shënuar.

Prej të gjitha pohimeve, unë mendoj se një është i saktë i cili mund të identifikohet si gabim teknik (figura 4 në faqen 70).

Ndërsa, prej këtyre pohimeve të tjera, të cilave shumicës iu dhashë nga një përgjigje të shkurtë absolutisht nuk mund të nxirren gjykimi se libri nuk mund të kaloj si rezultat i mospërshtatjes më programin lëndor (!!!!), gabime përmbajtjesore (!!!!), gabime teknike, gabimeve shkencore (!!!!), etj. Si duket do të ketë pasur edhe gabime të tjera (!!!!).

Jam në gjendje të ballafaqohem edhe në debat fizik dhe të shpjegohen të gjithat.

Normalisht në këtë proces të gjithë pjesëmarrësit kanë përgjegjësi, mirëpo përgjegjësin më të madhe pa dyshim e ka MASHT-i.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat