Merita Kuçi-Thartori, në përurimin e librit të saj, “Vdes të bëhem dritë”

Libra

Merita Kuçi-Thartori, në përurimin e librit të saj, “Vdes të bëhem dritë”

Nga: Kadri Tarelli Më: 24 tetor 2021 Në ora: 22:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të muajit të letërsisë, ditën e premte 22, Tetetor 2021, në prani të shumë krijuesve durrsak, miq, shokë dhe kolegë pune, Biblioteka Publike e Durrësit organizoi një kuvend letrar, mbi librin “Vdes të Bëhem Dritë”, të poetes durrsake Merita Kuçi-Thartori.

Këtij libri, unë i kam kushtuar një analizë, apo recensë me titull: “Testamenti i Dashurisë”, gusht 2020. Që në krye, sipas huqit tim të kah hershëm, kam vendosur fjalët e filozofit Emanuel Kant: “Dashuria është çështje e ndjenjave e jo e dëshirave. Nuk mund të dashuroj pse dua, e më së paku pse duhet. Andaj dashuria e përkushtuar, është e marrë”.

Ndërsa në mbyllje të shkrimit, vendosa fjalët e shkencëtarit Albert Ainshtajn, i cili kur përshkroi Forcën Universale të Dashurisë, pat thënë: "Dashuria është dritë që ndriçon ata që japin dhe marrin. Dashuria është fuqi, sepse ajo shumëfishon të mirat që kemi dhe lejon njerëzimin të mos shuhet në egoizmin e tyre të verbër. Dashuria shpaloset dhe zbulon. Për dashurinë, jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuri".

As unë dhe askush nuk habitet kur lexon dëshirën e Meritës, disi romantike por e bukur dhe plot harmoni me të gjitha poezitë e këtij libri, kur thotë si amanet: “Një copëz re të gjelbër,/Ma varni mbi shpinë./Një copëz qiell e tokë,/Ma shtroni qilim”. Poezia “Dëshirë”. Dhe vazhdon më tej: “Zot! Ekzistojnë vërtetë dashuritë?/… Mos ik pa marrë dëshminë e dashurisë./ I vetmi testament që vlen”.

Më thoni kush ka të drejtë dhe kush e ka thënë më bukur, filozofi, shkencëtari apo poetja jonë?

Nuk dua të lexoj këtë shkrim të gjatë, pasi secili nga ne që ka në dorë librin, mund të nxjerr vetë përfundime letrare, estetike dhe shpesh filozofike. Veç më duhet të ndaloj në rreshtat e fundit, ku kam marrë edhe titullin e shkrimit, “Testament i dashurisë”, që më pëlqeu që në fillim.

Zakonisht në të tilla veprimtari, përqendrohemi në formën dhe përmbajtjen e librit. Mirë bëjmë, por unë mendoj se duhen thënë edhe ca gjëra të tjera, që e plotësojnë figurën e poetes, jo vetëm si krijuese por edhe si veprimtare në përurime librash e festa letrare, konkurse, diskutime, botime dhe organizime kuvendesh me shkrimtarë e poetë të ndryshëm, larg dhe afër Durrësit tonë.

Besoj e vlejnë të rendis disa nga këto veprimtari, të cilat kam pasur mundësi dhe kënaqësi t’i ndjek nga afër, në fillim si gazetar dhe më pas si krijues.

1. Nga Durrësi, besoj se janë shumë, aq sa edhe Merita nuk i mban mend t’i përmendë me radhë.

2. Nga Tirana: Viron Kona, disa herë në takim me nxënësit e shkollave ku ka qenë dhe është drejtuese.

3. Nga Vlora: Vilhelme Vranari-Haxhiraj, veprimtari me përmasa të mëdha, organizuar nga shkolla “14 Nëntori”, në Odeonin “Nikolin Xhoja”, në pallatin e Kulturës “A. Moisiu”. Durrës.

4. Nga Suedia: Në shkollën “14 Nëntori”, ka pritur e përcjellë birin e Drenicës Sokol Demaku, shkrimtar, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve të Suedisë, poet, gazetar, hartues i revistës “Dituria”, drejtues i radios dhe TV. Në Borass. Bashkë me të edhe shkrimtarin Hamit Gurguri, edhe ky anëtar i lidhjes së shkrimtarëve të Suedisë. Me nderim edhe Leksikografin Sadulla Zendeli-Daja, hartues i fjalorëve madhorë, Shqip-suedisht dhe anasjelltas. Po kështu edhe studiuesin Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës Letrare-artistike “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi. Për të vazhduar më tej me çikën dardanë, poeten dhe stilisten drenicare Emine R. Hoti, të njohur si “Marigoja Shqiptare në Norvegji”, pagëzuar me këtë emër, në një libër nga Viron Kona.

5. Merita, “Heroina” e këtij takim, është pjesëmarrëse në konkurse letrare: në Durrës, Tiranë, Vlorë, Lezhë, Përmet, Borass-Suedi, Istog, Pejë, Prishtinë Prizren dhe Ulqin, ku ka fituar edhe çmime. Poezitë e saj kanë zenë vend në antologjitë e këtyre veprimtarive, bie fjala Prizren, Përmet, Borass, etj.

6. Shpesh poezitë e saj janë publikuar edhe në faqet e shtypit tonë, sidomos në gazetë “Telegraf”, ashtu edhe ne revistën “Dituria” në Suedi, “Fjala e lire”, Londer, etj.

7. Pak dit më parë, ishte e pranishme në një intervistë drejtuar në “SKYPE”, nga redaksia e radios “Dituria” në Suedi, me temë nga letërsia bashkëkohore shqiptare.

Urime dhe suksese në përurime të tjerë, për libra edhe më të mirë!

Faleminderit!

Kadri Tarelli

Vjshta e dytë. 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat