Vëllimi poetik “Emra përjetësie” i poetit Sheremet Prokshi

Libra

Vëllimi poetik “Emra përjetësie” i poetit Sheremet Prokshi

Nga: Zymer Mehani Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 07:53
Ballina e librit

1.Poeti Sheremet Prokshi është nga ata poetë, që lajtmotiv të poezive të veta e ka atdhedashurinë. Ky autor në horizontet e poezisë shqipe u ngrit duke e ndërtuar fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivikën, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).

Përmbledhjen poetike “Emra përjetësie”, poeti Prokshi e ka konceptuar në tri cikle: (1. Flakadanë lirie (poezi përkushtuese për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë), 2. Zëra përjetësie (dedikime për veprimtarë të çështjes kombëtare dhe për poetët kombëtarë) dhe 3. Vargje për Çamërinë (poezi me motive çame).

Pra, në këtë vëllim poetik dominante janë poezitë përkushtuese për heronjtë, martirët dhe të rënët për liri, që të bëjnë për vete jo vetëm për përmbajtjen e thellë patriotike, me një theks të veçantë mallëngjyes e përkujtimor, por edhe për nivelin artistik, për dinamizmin e brendshëm etj. Dhe si të tilla, ato zënë vendin kryesor në këtë vëllim.

Në ciklin e parë, pena majëmprehtë e poetit Sheremet Prokshi do të vargëzojë për bijtë dhe bijat e popullit tonë, që u flijuan përgjatë historisë për liri, siç janë Dan Prokshi, bashkëluftëtar i Hasan Prishtinës, i rënë më 1912; Shotë Galica, heroinë e popullit; Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së; Fehmi e Xhevë Lladrovci, që luftuan dhe ranë krahpërkrah për lirinë e Kosovës; Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi- “Kapuçi”, Xheladin Gashi- Plaku, Rasim Kiçina, Zahir Pajaziti, babë e bir Muhamet e Naser Gjeli, Ajet Rrukiqi, Agim Bajrami, Antigona Fazliu, Fitnete Ramosaj, Sejdi Krelani, Haki Prokshi, Ismet Prokshi, Fadil Nimani-Tigri; Prof. Selim Berisha, Imer Ramë Krasniqi, Florim Rushiti-Kingji, Ramadan Kastrati; pastaj  për martirët Armend Gashi, 15-vjeçar, i rënë bashkë me gjyshin dhe babanë; Betim Prokshi, 13-vjeçar; Valmir Deliu 2-vjeçar, për 14 fëmijët e fshatit të poetit, që pësuan nga falanga serbe gjatë luftës së fundit etj.

Në ciklin e dytë janë paraqitur poezitë për veprimtarët e çështjes kombëtare, siç janë Adem Demaçi, Fazli Greiçevci, Metush Krasniqi, Ukshin Hoti; për poetët e tabanit kombëtar, siç janë Gjergj Fishta, Dritëro Agolli, Rifat Kukaj, Ymer Elshani, Gani Xhafolli, si dhe për shenjtëreshën Nënë Tereza, zë i humanizmit me famë botërore.

Ndërsa në ciklin e tretë (që është më i shkurtër) autori Prokshi i ka renditur poezitë me motive nga Çamëria.

2.

Poeti Sheremet Prokshi është i vetëdijshëm se do të ishte e përgjakshme jeta e atdheut dhe shekujt do ta rëndonin me motet e robërisë, po të mos ishin atdhetarët që u sakrifikuan për gjuhën dhe flamurin, për shkëmbin e gurin, fushën dhe malin, lumin e detin.

Heronjtë nuk u stepën, as u ndalën për asnjë çast, e të ndalet s’di as pena majëmprehtë e poetit Prokshi, e cila u këndonte me krenari shqiptarëve të vërtetë- dëshmorëve dhe heronjve të kombit, që dashuri mbi dashuritë  e patën veç atdheun, për të cilin dhanë jetën duke e mbrojtur me gjak dhe me nder, duke ia rikthyer lavdinë bashkë me lirinë tokës që i lindi dhe i rriti.

Poashtu, poeti Sheremet Prokshi edhe gjatë luftës ishte i ndërgjegjshëm se dritë lirie do të dukej mbi retë e robërisë, sepse si rreze lirie do të shfaqeshin në qiellin e atdheut dëshmorët Ademi e Zahiri, Fehmiu e Xheva, Antigonë Fazliu e Ilaz Kodra e shumë e shumë të tjerë, të cilët luftuan e qëndruan nën flamurin kuq e zi. U betuan në Shqipen Dykrenare se do ta rilindnin madhështinë e Atdheut, dhe do t’ia kthenin krenarinë duke i kërkuar dhe vizatuar me gjakun çlirimtar kufijtë e Shqipërisë Natyrale, të lodhur e të drobitur nga robëria dhe të rrudhur e të tkurrur gjithandej nga barbarët.

3.

Edhe pse jeta me luftëra çlirimtare për ne shqiptarët ishte tejet e gjatë, jehona e tyre ushqeu shpresat dhe dashurinë për komb e atdhe, që nuk shteron edhe sot e kësaj dite – Atdheu në një shtet, apo të themi më mirë, Ribashkimi i Shqipërisë.

Po, është ky mendimi dhe qëllimi i shqiptarëve anekënd globit, që gjallëron përpjekjet në kërkim të lirisë, që një ditë jo të largët do ta bëjmë realitet Ribashkimin e Shqipërisë, kur padrejtësinë e madhe historike do ta kthejmë në drejtësi të vonuar dhe më kurrë s’do të lejojmë për t’u ndarë…

Prangat e robërisë, asnjëherë nuk do t’i ndalojnë shqiptarët, që të ecin drejt lirisë dhe se Ribashkimi Kombëtar do të mbetet e vetmja alternativë dhe i vetmi qëllim për të gjithë shqiptarët të lodhur nga copëtimi dhe nga robëria.

As edhe vdekja që jepet nga armiqtë e botës nuk do t’i ndalojë dasmorët e lirisë për ta Ribërë Shqipërinë Natyrale.

Gjenocidin dhe spastrimet etnike nga hordhitë greke e sllave, shqiptarët nuk do t’ia lënë harresës. Plagët bashkë me qëndresën, vdekjet e varret do të ringjallen dhe do ta hapin kaptinën e re, në Librin e madh të Historisë Kombëtare, duke e kurorëzuar me aktin përfundimtar e që është Ribashkimi i Shqipërisë.

4.

Shikuar nga këndi i realizimit artistik, poezitë e vëllimit “Emra përjetësie” të poetit Sheremet Prokshi na shfaqen si homogjene, për faktin se janë të shkruara nga një poet i kultivuar. Prandaj është krejt e natyrshme që vargjet këtu na dalin unikate në modelim, dhe kryesisht  vargje të rimuara, ku hetohet dominimi i një ritmi uniform, ngase ruhen veçoritë esenciale të ritmit. Poezitë janë të pasura me figuracion poetik dhe e kanë mjaft të kamufluar kuptimin e vargjeve.

Dominojnë konvencat e forta strofike, por në disa poezi paksa më të gjata, teksti nuk i nënshtrohet shabllonit të ndarjes në fragmente, por logjikës spontane të rrëfimit.

Veprës, veç tjerash, vlerën poetike ia shton edhe stili, gjuha e thjeshtë e përdorur me shumë kujdes, e kuptueshme dhe komunikuese, figuracioni i pasur poetik, si edhe llojet e vargjeve me ritëm, rimë e metrikë të ndryshme, elemente këto me vlera të larta teoriko-letrare, që kësaj përmbledhjeje i japin freski dhe gjallëri.

Me pak përjashtime, shumica e poezive shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit.

Të thuash me pak vargje, atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar. Këtë dukuri e hasim edhe te vëllimi “Emra përjetësie” dhe kjo flet jo vetëm për talent, por edhe për punë e ndërgjegje artistike të autorit.

Poeti Prokshi e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë.

Krejt në fund, konstatojmë se poezia e Sheremet Prokshit merret edhe si bisedë e afërt, e ngrohtë, miqësore e poetit me dëshmorët, duke marrë herë pas here edhe karakter narrativ.

Poeti Sheremet Prokshi në punën e tij krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë. Kryesisht poeti përpiqet që në vargjet e veta të përdor shprehje të përshtatshme, të marrura shpesh edhe nga gjuha jonë e përditshme popullore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat