Përurimi i librit të Nexhat Halimit me rastin e Ditës së Flamurit

Libra

Përurimi i librit të Nexhat Halimit me rastin e Ditës së Flamurit

Nga: Dea Halimi Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 19:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në ambientet e Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” me rastin e Ditës së Flamurit u mbajt promovomi i librit “Shkreptimë e Agimit” të autorit Nexhat Halimi.  Rreth librit foli letrari dhe gazetari SkenderZogaj, duke cekur pika kyçe të librit të cilat autori i ka marr në shqyrtim.  Ai theksoi se Prizreni me begatinë e tij të bujshme kulturore e historike  duke e vënë në pah ngjarjen më të madhe historike “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”  ka hyrë në çdo zemër dhe gjithherë është aktuale.

Ishte një mbrëmje e suksesshme ku referuan rreth librit dhe Kaltërina Meka, Dea Halimi, KadriSkaja, Berat Bahtiu dhe botuesi Fatmire Duraku. 

Kaltrina Meka thekson se: ““Shkreptimë e Agimit”, romani i NexhatHalimit, i cili tek sa doli nga shtypi, merr në shqyrtim  disa ngjarje, data e çaste të rëndësishme të kohës nëpër të cilat ecën njerëzit e fortë të Kryeqytetit tonë kulturor e historik, Prizrenit.Ngjarja fillon me Ymer Prizrenin, me Sofrën e tij të shtruar sot në fshatin e lindjes së tij – në Zgatar,  e përfundon me vdekjen e të njëjtit në Ulqin të Malit të Zi. Ndërmjet futen ngjarje të rënda të aktivitetit të tij në krye të Lidhjes  Shqiptare, me theks të veçantë Në njëqind  vjetorin e  ngjarjes më të madhe shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Autori thekson se” isha këtu, i vetëdijshëm, se koha i merr  njerëzit, por mbesin gjurmët e tyre, mbesin datat, mbesin çastet, ngjarjet, pikat e gjakut që do të shënojnë një pikë drite të popullit të robëruar  atëherë nën Turqi. Autori tregon për përpjekjet e bëra, që të shkruante një  fejton, por nga një  kënd tjetër, jo ajo rrjedhë që e ka shkruar historia, veç në biseda me njerëzit që kishin afër njëqind vjet dhe mbanin mend ndonjë gjë nga kjo ngjarje tepër e madhe e popullit shqiptar.”

Ndërsa botuesi i librit foli rreth krijimtarisë së autorit duke cituar dy analist –Anila Xhekaliut dhe MensurRaifit:

“Krijimtaria letrare e NexhatHalimit shtrihet në shtatëdhejtë libra zhanresh të ndryshme. Për 50 e ca vjet krijimtari, ky autor botoi poezi, prozë tregimtare dhe prozë të gjatë si dhe drama për fëmijë dhe për të rritur.

Dramën e parë për fëmijë, të blerë dhe të botuar nga Qendra për Kulturë e Kosovës, e shkroi në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, ndërsa romanin e parë  “Deri në kryq” e shkroi në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe  e botoi në vazhdime te “Flaka e vëllazërimit” e Shkupit. Dy vjet më vonë botoi dhe librin me tingëllima “Parakalimi i etjeve” te revista letrare “Jeta e re”.

 Vazhdoi pastaj me një ritëm të caktuar të botojë libra në poezi, tregime dhe drama... kështu, deri te botimi i romanit “Vigma e fajkoit” , pastaj  “E çara në zotin” – kushtuar Ulqinit në çastet dramatike të tërmetit të vitit 1979.

Për këtë roman, si dhe për  “Vigmën e fajkoit” mori lëvdata të shënueshme nga lexuesi dhe nga kritika. Madje, në Shqipëri romani ‘Vigma e fajkoit” do të çmohet nga kritika si një prurje e veçantë në letërsinë shqipe.

 Anila Xhekaliu, ndër të tjera thotë “ NexhatHalimi është lërues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë 100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”.

Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të NexhatHalimit, çdo vepër e  tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë…” thekson ajo.

Në këtë shkrim për këtë rast po e  përmend edhe një vlerësimin të njërit ndër kritikët e shquar, MensurRaifit, i cili, në shkrimin mbi poezinë e NexhatHalimit, pos të tjerash thotë edhe këtë mendim:  “...Vjershat e NexhatHalimit janë margaritarë të vërtetë poezie - kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet,  me strofa e rima të caktuara, të rregullta,  si dhe krijimet në varg të lirë  – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një - tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.””

Ndërsa Berat Bahtiu foli përse si redaktori i Gazetës “Rilindja” Maksut Shehu,do të vendosë të përcaktojë NexhatHalimin të shkruajë për ata që e nisën rrjedhën e “Agimit”, të cilën gjë ai do ta bëj me vullnet të veçantë: Me këtë rast, autori i librit,  zhvilloi kohë më parë njëzetedy biseda me anëtarët e “Agimit” dhe do ta botojë Librin “Shkreptimë e Agimit” për t'i përkujtuar vuajtjet dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi Shoqëria Kulturore e Artistike e Prizrenit, për t'i dhënë vulë kohës së rëndë dhe tejet të guximshme dhe për ta krijuar rrugën e krijimit të zgjimit shpirtëror e kombëtar nga  të ndjekurit e të persekutuart për një kohë kaq të gjatë.

Promovimi u hap me recitimi e tri poezive nga  libri nga nxënësit e shkollës së mesme “Ymer Prizreni” u interpretuan disa pika muzikore të përcjella me piano nga  Rrahmi Ymer.

Botimin e Librit e mundësoi Shoqëria  kulturore-Artistike “Agimi”, ndërsa e botoi Shtëpia Botuese “Fad”, libri ka 130 faqe.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat