Millosheviqi dhe tubimi në Fushë Kosovë

Libra

Millosheviqi dhe tubimi në Fushë Kosovë

Miftar Zagragja Nga Miftar Zagragja Më 3 dhjetor 2021 Në ora: 07:22
Millosheviqi

Regjimi serb i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, sidomos nga pranvera e vitit 1987, kishte planifikuar disa rezolute dhe strategji antishqiptare në Kosovë, duke synuar ta suprimonte autonominë që kishte Kosova sipas Kushtetutës së vitit 1974.Për ta realizuar këtë më lehtë, ky regjim kishte përgatitur një varg skenarësh konkretë. Forcat antishqiptare dhe shoviniste serbe, të cilat vepronin pothuajse në mbarë Kosovën, e veçmas ne qendër në Fushë Kosovë dhe fshatrat për rreth, akuzonin shqiptarët për diskriminim të serbëve të Kosovës. Kështu, ata shfrytëzonin edhe institucionet komunale, sidomos Kuvendin e Komunës e Fushë Kosovës që të shtronin shumë tema për, pozitën jo të barabartë të tyre në këtë komunë dhe më gjerë.

Si gazetar kam përcjellë disa mbledhje të Kuvendit të Komunës së Fushë Kosovës, ku ekstremistët serbë në krye me Mirosllav Sholleviqin, Bogdan Kecmanin, Boshko Budimiroviqin e të tjerë, në dirigjimin e Beogradit, bënin presion mbi udhëheqësit shqiptarë të kësaj komune në krye me Jetullah Sopjanin dhe bashkëpunëtorët e tij, Mehmet Krasniqin, Januz Zogejanin, Fadil Berjanin, Shemsi Jashanicen e të tjerët për kinse, nacionalistë e separatistë dhe nëpërkëmbësh të të drejtave të serbëve dhe malazezëve në komunë. Mirëpo,Jetullah Sopjani në këtë rast ka mbajtur qëndrim shumë parimor, duke hedhur poshtë akuzat e tilla.

Duke u ankuar në Beograd për kinse, pozitën diskriminuese të serbëve dhe malazezëve në Kosovë, më 24 prill të vitit 1987 në Fushë Kosovë u mbajt një tubim me qytetarët serbë e malazezë, si dhe një numër të vogël aktivistësh politike shqiptarë. Në të ka marrë pjesë Sllobodan Millosheviqi, atëherë kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Si gazetar i TVP-së kam pasur rastin ta përcjelli këtë tubim së bashku me Muhamet Mjekun. Këtë tubim e xhironin tri ekipe të TVP-së, në përbërje të kameramanëve Sahit Kokolit, Kujtim Bejtullahut dhe një xhirues tjetër i ri.

Një turmë e madhe e serbëve që ishte në hyrje të sallës ku mbahej mbledhja, në Shtëpin e Kulturës në Fushë Kosovë, u përpoq të na pengojë mua dhe Muhametin, si dhe xhiruesit e TVP-së, për të hyrë brenda dhe për ta xhiruar tubimin. Si duket, atyre nuk u pëlqente informimi objektiv i TVP-së nga tubimet e serbëve dhe malazezëve. Mirëpo, me intervenimin e komandantit të Policisë së Prishtinës, Destan Thaçit, në hymë në sallë.

Në atë tubim ka marrë pjesë edh Azem Vllasi,i cili ishte kryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, Kolë Shiroka, anëtar i Kryesisë së KQ të LKJ-së, pastaj Bajram Selimi nga Kryesia e LSPP të Kosovës, funksionarët politikë të Komunës së Prishtinës, Ragip Halili, Daut Jashanica dhe të tjerë.

Në fjalimet e tyre serbët dhe malazezët akuzonin dhe fyenin vrazhdë shqiptarët, sidomos udhëheqjen e atëhershme politike të Kosovës dhe akuzonin popullin shqiptar, kinse për diskriminim, kinse për diskriminim, kinse ishin të përbuzur, po u thyheshin varrezat, po u bëhej një lloj presioni për t´u shpërngulur nga Kosova e shumë të tilla të paqëndrueshme. Pra,në këtë tubim, edhe përmes instrumentalizmit të Kosovës kundër shqiptarëve, doli në shesh politika shoviniste e Serbisë në krye me Millosheviqitn, u demaskua politike e Serbisë ndaj Kosovës dhe kundër shqiptarëve.

Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme kishte njoftimin se masat e popullit do t´ia mësynin Prishtinës për demonstrata rrënuese, kështu që u dërguan forcat e policisë për ta penguar të mbajtur rendin,por ato u pritën me breshërinë e gurëve dhe sharjeve, duke hedhur parullat ,,Duam liri“, Jetën e japim ,Kosovën s´e japim“, “Vrasës“ etj.

Turma e ngazëllyer filloi të brohoriste “Sllobo,Sllobo!“

Ky tubim filloi në orën 18:00 dhe zgjati deri të nesërmen në orën 07:00 të mëngjesit, pra 13 orë Ky ka qenë një prej tubimeve më të tmerrshme që kam përcjellë ndonjëherë si gazetar; sepse t´i dëgjosh rreth 80 folës ,ato diskutime, që në esencë ishin akuza të paqëndrueshme, plot urrejtje ndaj popullit shqiptar të raportosh ato, për mua dhe kolegët e mi nuk ishte aspak e lehtë.

Pas fjalimeve dhe akuzave të rëna plot urrejtje ndaj shqiptarëve, reaguan veprimtarët politikë të Fushë Kosovës nga radhët e shqiptarëve, Daut Bogujevci dhe Shaban Kelendi, të cilët kërkuan që udhëheqja e Kosovës dhe e Serbisë të distancohen nga akuzat e tilla antishqiptare. Mirëpo ,fjalën e tyre u ndërprenë nga fishkëllimat e serbëve dhe malazezëve që ishin në sallë.

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Fushë Kosovë Millosheviqi mbajti një fjalim para serbëve të tubuar, ku haptas mbështeste vlerësimet dhe kërkesat e serbëve dhe malazezve të Fushë Kosovës dhe më gjerë, në mënyrë të veçantë solidarizohej me akuzat dhe fyerjet e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Fjala e Millosheviqit mund të përmblidhet në disa pika si: 1.“Jugosllavia është e dërrmuar nga separatizmi dhe nacionalizmi në shumë pjesë të saj, veçanërisht në Kosovë; 2.Vazhdon të jetë e pranishme vetëdija nacionalist për pastërtinë etnike të Kosovës si bashkësi shoqërore-politike e kombësisë shqiptare; 3.Porosia për serbët e malazezët është: të rrinë në tokën dhe në shtëpitë e tyre; 4.Jugosllavia nuk mund të ekzistojë pa Kosovën, prandaj Jugosllavia e Serbia nuk do ta japin Kosovën“.

Azem Vllasi nuk mbajti fare fjalim në tubimin e Fushë Kosovës. Në këtë rast shihej se në çfarë pozicioni politik kishte rënë udhëheqja politike e Kosovës gjatë asaj periudhe.

Gjatë tubimit, kur Millosheviqi doli në dritaren e Shtëpisë së Kulturës në Fushë Kosovë, isha edhe unë aty afër bashkë me gazetaren e tjerë.

Ai iu drejtua qytetarëve serbë, një pjesë e të cilëve ishin tubuar para kësaj ndërtese, pasi nuk kishin pasur vend për të hyrë brenda.

Ai në fjalimin e tij të shkurtër serbëve të mbledhur iu tha: “Mora vesh se ndaj jush është përdorur dhuna. Unë ju them se juve askush nuk guxon t´ju prekë. Unë ju garantoj në emër të udhëheqjes së Republikës së Serbisë, se ne do të punojmë në Kosovë......“

Ardhja dhe ngritja e Millosheviqit në pushtet shoqërohet me “Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë” më 1986…, ku si bazë teorike është zhvillimi i kujtesës së serbëve kundër shqiptarëve. Katër vjet më vonë, më 1990 erdhi në skenë dhe del “Programi jugosllav i masave dhe aktiviteteve për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga KSA e Kosovës , kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”…Ka ardhur fundi, edhe pse serbët bëjnë një manifestim gjigant në Fushë-Kosovë të udhëhequr nga Millosheviqi…Kosova dhe shqiptarët i heqin qafe, njëherë e përgjithmonë sllavët, ndërsa në ato male ku Vuk Karaxhiq, mblidhte baladat e ballkanasve…nuk shkel më sllav…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat