Botohen dy libra të rinj nga autori Anton Marku

Libra

Botohen dy libra të rinj nga autori Anton Marku

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 09:06
Kopertina e librit

Përmbledhje me poezi ‘‘Duke pritur vetveten’’ dhe libër me tregime ‘‘Nga një kohë në tjetrën’’, botoi IWA ‘‘Bogdani’’, 2021.

Dihet se të shkruash është proces mendor po aq sa dhe të flasësh, nëse jo edhe më kompleks. Për shkrimtarin gjakovar me banim në Vjenë, Anton Markun, letërsia është së pari dialog me vetveten pastaj komunikim me të tjerët. Ajo është një botë ndryshe, e veçantë, e jashtëzakonshme. Është bota e tij e cila e plotëson. I motivuar nga humanizmi ai aty ndjehet vetvetja. Me këtë term lidhet edhe libri i tij i radhës i titulluar ‘‘Duke pritur vetveten’’ i cili ditë më parë doli nga botimi nën përkujdesjen e IWA ‘‘Bogdani’’ me botues Jeton Kelmendin.

Në vështrimin e tij, shkrimtari i mirënjohur Lulzim Tafa, vë në pah elegancën e mendimit duke nënvizuar se ‘‘Lehtësia e natyrshmëria e shprehjes është tipar kryesor që të bie në sy te poezia e Anton Markut. Elokuenca e thjeshtësia e shprehjes, e në ndërkohë forca e saj, është veti që të rrëmben te kjo poezi dhe të bën për vete.‘‘ për të vazhduar ‘‘Poeti di si të manovrojë me gjuhën, andaj shqetësimeve të tij poetike ai u jep përherë adresë të saktë dhe shumë bukur i harmonizon. Kurrë nuk është konfuz e i padepërtueshëm. Poezia e tij merr jetë herë përmes kujtimeve nga vendlindja, e herë përmes realitetit që e rrethon e ku ai jeton. Përmes shprehjeve poetike Marku e ndërton universin e tij poetik, shpeshherë me një stil të veçantë proverbial poetik. Ky stil që ka bazë edhe në filozofinë edhe në traditën prej nga vjen Marku e identifikon atë si poet, para së gjithash si poet origjinal.”

Në anën tjetër, në parathënien për përmbledhjen me poezi, Engjëll I. Berisha thekson: ‘‘Duke lexuar librin e autorit Anton Marku, me titull interesant “Duke pritur vetveten”, gati fund e krye paraqet konstelacion me idetë e tij përmes zhanrit dhe ideve shumë afër reales, me dozë idealizmash për kultin e jetës. Sikur të ishin shkruar brenda natës, të gjitha poezitë i zotëron në këtë frymë, e që për ta konsideruar të arritur një përmbledhje duhet ta ketë në një vijë komunikuese ligjërimin e rrëfimit në raport me fenomenet e përshtypjet që kemi. Jo se është “ligj” i poezisë, por, përmbledhja shkruhet për lexuesin për t’ía ofruar përqendrim të vëmendjes për diçka vizuale, apo impulsivitet të sistemit, sikurse të qarkullimit të gjakut dhe oksigjenit në tru, me mendime të mira.”

Marku për herë të parë sprovon veten edhe në prozë të shkurtër duke sjellë kështu para lexuesit librin e tij të parë me tregime të shkruara përgjatë viteve të fundit. Për më tepër, ai duke qenë se ka vite që jeton larg vendlindjes, vazhdon angazhimin letrar duke u bërë kështu pjesë edhe e një letërsie në një gjuhë të madhe, jo-amtare, asaj gjermane, të hapur, globale dhe universale për nga temat dhe qasja. Austria është bërë për të një nocion jo vetëm gjeografik por edhe gjuhësor. Në lidhje me përpjekjet e tij për të lënë gjurmë në këtë zhanër letrar shkrimtarja Violeta Allmuça, redaktore dhe lektore e librit, mes të tjerash konstaton: ‘‘Pas poezisë, siç duket proza po bëhet fushë e krijimit letrar të shkrimtarit Anton Marku. Kujtimet dhe përshtypjet nga jeta, portretet e tregimet e shkurtra janë një hapësirë tjetër që e përplotëson veprën e tij artistike. Duke sprovuar me botime të ndryshme të këtij lloji nëpërmjet botimit në shtypin letrar, tashmë na sjell frytet e një libri me tregime, ku siç thotë në njërin tregim të tij, “jeta është kohë’’ dhe “koha është jetë’’. Tregimet e këtij libri janë me ngjarje jetësore ku në qendër të tyre është njeriu dhe dukuritë e jetës. Meritë e tregimeve mbetet pasqyrimi dinamik i botës së brendshme si qasje drejt artit me anë figurash artistike duke na paraqitur një atmosferë të re, me një përshkrim episodesh sa të thjeshta po aq edhe domethënëse. Në tematikën e tyre ndihet zotërimi i veçorive dhe formës së tregimit të shkurtër ku shtjellohen veçoritë e individualitetit të krijuesit, duke portretizuar më dukshëm figurat e qenieve njerëzore në rrethana e mjedise të ndryshme. Është meritë e autorit pasqyrimi i dinamikës së përshkrimeve plot dritë, paraqitjes së tipareve e personazheve duke bërë një hop artistik dhe estetik që e pasuron krijimtarinë e tij letrare.’’

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IWA Bogdani, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, i PEN Klubit të Austrisë, klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë.

Image
Kopertina e librit
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat