Dy kohët e bashkuara në një pikë

Libra

Dy kohët e bashkuara në një pikë

Nga Më 23 dhjetor 2021 Në ora: 20:21
Ballina e librit

Pas poezisë, siç duket proza po bëhet fushë e krijimit letrar të shkrimtarit Anton Marku. Kujtimet dhe përshtypjet nga jeta, portretet e tregimet e shkurtra janë një hapësirë tjetër që e përplotëson veprën e tij artistike. Duke sprovuar me botime të ndryshme të këtij lloji nëpërmjet botimit në shtypin letrar, tashmë na sjell frytet e një libri me tregime, ku siç thotë në njërin tregim të tij, “jeta është kohë” dhe “koha është jetë”. Tregimet e këtij libri janë me ngjarje jetësore ku në qendër të tyre është njeriu dhe dukuritë e jetës. Meritë e tregimeve mbetet pasqyrimi dinamik i botës së brendshme si qasje drejt artit me anë figurash artistike duke na paraqitur një atmosferë të re, me një përshkrim episodesh sa të thjeshta po aq edhe domethënëse.

Në tematikën e tyre ndihet zotërimi i veçorive dhe formës së tregimit të shkurtër ku shtjellohen veçoritë e individualitetit të krijuesit, duke portretizuar më dukshëm figurat e qenieve njerëzore në rrethana e mjedise të ndryshme. Është meritë e autorit pasqyrimi i dinamikës së përshkrimeve plot dritë, paraqitjes së tipareve e personazheve  duke bërë një hop artistik dhe estetik që e pasuron krijimtarinë e tij letrare. Në secilin tregim ndihet jehona e ngjarjeve në formën e kujtimeve ose “tregimeve të jetuara” të vetë autorit Marku përmes përshkrimeve me ngjyrim emocional.

Në tregimin “Ura” autori shkruan: Derisa pjesët e tjera të gadishullit vazhdonin luftërat, shqiptarët ndërtonin ura që lidhnin njerëzit me njëri-tjetrin por edhe e respektonin bashkëjetesën me popuj të tjerë. Ata dëshironin jetën, paqen, tokën dhe lirinë. Subjektet e tregimeve lidhen edhe me atdheun e njerëzit e popullit të tij duke i veshur lëndës letrare ngjarjet e kohës, duke bërë monolog ose dialog me mendimet në brendinë e lëndës letrare përshkruar nëpërmjet një kompozicioni të natyrshëm. Objektet e përshkruara deri në tiparet e tyre thelbësore dhe vënia në qendër e tregimeve të figurave të shumanshme me frymën që i përshkon, shënojnë një arritje në krijimtarinë e Anton Markut për ngritjen e mjeshtërisë artistike drejt gjinisë së novelës dhe romanit.

Ndërthurjet e kohëve me personazhet kryesore si bartëse të jetës ndjekin udhën e kujtimeve në stilin përshkrues, ku ngjarjet rrëfehen edhe prej tyre duke i dhënë një shtrirje të gjerë tregimeve. Në tregimin “Feridi” përmes monologut autori përshkruan këtë personazh që e ndiqte një brengë. Vendi ishte kthyer në qendrën e botës. Feridi një ditë u nis në luftë për të vdekur. Fati e mallkoi. Mbeti i gjallë. Atë nuk e deshi vdekja. Të tjerët i bëri heronj. Nëpërmjet dialogut ai kërkon kohën e cila sillet në duart e tij. Ende vazhdon të vrapojë rrugicave të qytetit pas zërit të vet. Kështu bashkohen në një pikë dy kohët e tij shkruan autori në këtë tregim për luftën.

Përmes zbulimit të botës psikologjike të personazheve kryesore, në tregimet e këtij libri shfaqet edhe bota e paqme e një njeriu pa emër që nuk i pëlqen të jetojë vetëm në të sotmen. Koha është edhe çështje e së ardhmes, jo iluzion. Tregimi “Lulja e luftës” na nxit të shohim një fotograf pa emër si personazhin kryesor në një ekspozitë fotografie i cili në emër të lirisë së atdheut të tij na thotë: Zonja dhe zotërinj! Ju kërkoj ndjesë, por e kam të vështirë të jetoj vetëm të sotmen. Po të mos ishte kjo lule, kjo fotografi, mbase historisë do t`i mungonte ky tregim. Ajo lule më shndërroi në artist, të cilin përveç meje nuk e njihte askush. Në rolin e një “personazhi” Marku e mbyll këtë tregim duke e trajtuar artistikisht: Një lule mbi karrige. Në sfond gërmadhat e një ndërtese që më ngjante sikur një kullë guri në vendin tim.

Në tregimet e këtij libri merr kuptim të thellë fryma e njeriut që përshkon materien në subjektet e kësaj vepre. Ndërthurja e kohëve dhe e ngjarjeve është një tjetër tipar dallues që sjell tregimtari duke bërë përshkrimin e personazheve nga një situatë në tjetrën, për t`u dhënë tregimeve përmbajtje aktuale dhe vlerë estetike bashkëkohore. Tregimi “Zonja nga ballkoni” është një qasje e bukur për dashurinë. Njeriu ka epërsi mbi dashurinë. Dashuria nuk është fasadë fjalësh.

Ja si e përshkruan autori dashurinë: Asaj iu duk se këtë rradhë zoti Miller u vonua pak, por u qetësua kur e dalloi pas lëvizjes së perdeve. Sot ai u iu duk në ballkonin e tij edhe më i bukur se herët e tjera. Do të ishte ajo e cila do të bënte hapin e parë drejt dashurisë. Zemra e gruas kërkon gjithmonë dashuri. Një çast më vonë ajo iu drejtua ëndrrës. Me atë ishte edhe ai, zoti Miller dhe dashuria. Prillin ende nuk e kishte fshirë nga kalendari. Shkrimtari Anton Marku përmes pasurisë letrare, përshtypjeve të shumta të kohës dhe gjuhës së zhdërvjellët të personazheve në këtë vepër ka bërë që gjatë përshkrimit të shmanget skematizmi. Edhe në tregimet e tjera të librit si, “Përparësia”, “Ese për jetën”, “Lypësi i qytetit tim”, ku mundësia e përshkrimit të figurave jetësore dhe njohjes duhej të ishte më e thellë, shkrimtari Anton Marku, autor i disa veprave në poezi e prozë, publikuar edhe në gjuhë të huaja, duke dëshmuar vlera e theks perspektiv, sjell ndjeshmëri për lexuesin, atmosferën e kohës dhe vetëdijen krijuese artistike

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat