Porositë që kryejnë funksione komplekse dhe të avancuara për jetën

Libra

Porositë që kryejnë funksione komplekse dhe të avancuara për jetën

Tahir Bezhani Nga Tahir Bezhani Më 4 mars 2022 Në ora: 09:00
Donjetë Ahmetaj, autore e librit “Udhëtim për ty”

Një prezantim i shkurtër i autores së librit, si uverturë i këtij vështrimi letrar.

Donjetë Ahmetaj është një personalitet i njohur i jetës profesionale e arsimore në vendin tonë e jo vetëm. Ka studiuar “Shkencat Farmaceutike” në Tiranë, ku edhe diplomoi. Studimet doktorale i vazhdoi në degën e “Farmacisë Klinike” në Stamboll të Turqisë, të cilën e mbaroi në afat optimal. Aktualisht është drejtore ekzekutive e spitalit “Ortomedica” në Prizren.

Është e dëshmuar si pasiononte e letërsisë që në moshë të re, me botimin e librit të parë ”Ngjyrë Moshe”. Tani, “Udhëtim për Ty” është dëshmia e dytë e paraqitjes para lexuesit me një ndjeshmëri  të rrallë letrare.

Libri “Udhëtim për Ty” është një veçanti, por edhe risi, në letërsinë tonë, ku tema e trajtuar nga autorja, mënyra dhe forma, nuk është e njohur nga asnjë autor, mendoj në letërsinë shqipe. Ka ca prekje të kësaj natyre nëpër disa romane, por jo deri në thellësi trajtesash kaq brilante, me gjithanshmërinë universale të jetës njerëzore, nga formimi në embrionin amnor e deri në vdekje, një rrugëtim sfidues njerëzor. me të gjitha peripecitë që ka jeta.

Libri i autores Donjetë Ahmetaj, “Udhëtim për Ty,” pos elementeve shkencore, që ndriçojnë aspekte psikologjike e pedagogjike, si vlera didaktike jetësore, mund ta vlerësojmë, por edhe përcaktojmë, si  libër autobiografik. Shtjellimi i librit me elemente  të thukëta në të dy aspektet, sjell mjaft argumente për përcaktim të zhanrit letrar, duke mos harruar shumë leksione si “automatergrafi” etj, ku autorja derdh gjithë talentin  e saj profesional. Ndjeshmëria plot emocione në komunikim me fetusin e saj, duke perceptuar atë si një qenie në komunikim para vetes, si përfytyrim, ngjeshur nga motivi amnor e psikologjik, me elegancë “lëshohet” në këshillat e jetës, asaj anije përplasëse nëpër valët e paditura të jetës...

Image
Donjetë Ahmetaj: “Udhëtim për Ty” 2022, SH. P.K “Dukagjini” Pejë.

Që në faqet e para të librit ”Udhëtim për Ty”, autorja i drejtohet qenies së saj embrionale me fjalët më të dashura, përkëdhelëse, të sinqerta, emocionuese, duke e quajtur vogëlushja ime, shpirti i shpirtit tim, e vogla ime, thesari im, mbretëresha ime, e bardha ime, zogu i artë, fjalë të cilat mund të dalin vetëm nga një shpirt delikat, i cili në brendinë e tij, ndien shushurimat e jetës në ardhje plot gëzim. Nga këto shprehje emocionuese, natyrshëm se lindin edhe obligimet për përgatitje në jetë,  për t’u përballur me baticat e zbaticat e një anije, që shpesh gjendet para dallgëve të zorshme në përballje....

Lexuar e kuptuar nga ky prizëm, nga aspekti didaktik e psikologjik, shikohet qartë motivi amnor i përgatitjes së një nëne për fetusin e saj që para lindjes, duke  sqaruar pritshmërinë jetësore me:

“Zhgënjimin, krenarinë, lumturinë, pikëllimin, motivi i haresë, hidhërimin, gëzimin e dashurinë”, etj.

Këto elemente kanë bazën e thellë të njohurive të autores, Donjetë  Ahmetaj, e cila si udhërrëfim thekson atë thënien e njohur se “edukimi i njeriut fillon qysh në barkun e nënës”...

Meqë jeta e njeriu gjatë një rrugëtimi përplaset sprovave të llojshmërisë, një  qasje e tillë, në përgatitjen e frytit të vet për jetë, është më tepër se dije, dhe më shumë se shkencë...

Autorja fillon që nga frymëmarrja e fetusit, ku përcjell jetën njerëzore, por në aspektin shkencorë dhe dijes që posedon  nga kjo lami. Radhazi nga lindja e  në vazhdim, autorja numëron një mori faktesh të pashmangshme, përballjesh në jetën njerëzore, duke u nisur nga; besnikëria, empatia, vetëbesimi, ndërgjegjja, dëshpërimi, bekimi im, përvoja, shprehitë, këmbëngulja, sakrifica, vdekja, e shumë të tjera....

Nga të gjitha këto “disiplina” këshilluese për  jetën,  ka lidhshmëri logjike nga përvoja jetësore e autores, e cila, sjellë  shembuj që nga fillimi i mbamendjes fëminore deri në atë akademike ,rrëfime që i bartë tek fryti i saj në pritje.

Peripecitë e studimeve në Tiranë, kontaktet  me figura të njohura të shkencës nga profesioni i saj, dashuria për profesionin dhe etja për horizonte tjera, jeta akademike ne Stamboll të Turqisë, janë një begati e rrallë e një nëne e cila sjellë para opinionit thesarin  e sakrificave jetësore, por edhe ngadhënjimin mbi to. Nga e gjithë përvoja jetësore e autores, rrugës deri te doktorantja e  shkencave të Farmacisë, padyshim se pas vetes ka mbjellë një fushë me dije universale, duke lënë të shkruar e të argumentuar me shumë shembuj konkretë, frazeologjizma për  jetën dhe vështirësitë e saj. Për vdekjen, bie fjala, ajo që korr të “lashtat” vjetore, shkruan:

 ”Vdekja është një hajdute shumë e specializuar!”

Këtë thënie autorja e merr nga përjetimet e saj me rastin e vdekjes së babait të saj para pak kohe, dhe le si porosi qëndrueshmërinë, si përballje me vështirësitë e jetës. Këso thëniesh si burim i logjikës dhe diapazonit të autores, janë një thesar i duhur që e gjejmë në librin  ”Udhëtimi për Ty”.

Si pasiononte e letërsisë, tanimë, edhe si autore e dy librave me vlerë të pakontestueshme, letrare-shkencore, vlen të cekim edhe pasurinë leksikore që përdor autorja në këtë libër. Prurjet e bukura shprehimore  vetëm sa na bindin se Donjetë Ahmetaj, do jetë një krijuese e spikatur e letrave shqipe, e cila  do lërë gjurmë në kohën tonë....

Ndërsa libri,” Udhëtimi për Ty,” padyshim se është ” një manual i mirë jete” te cilin duhet ta lexojë çdo e rritur apo i rritur që pretendon të bëhet prind dhe krijues familjar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat