Çamëria - “Testament trashëgimie”, për botën shqiptare

Libra

Çamëria - “Testament trashëgimie”, për botën shqiptare

Nga: Kadri Tarelli Më: 13 prill 2022 Në ora: 23:44
Kopertina e librit

Pak kohë më parë erdhi në dorën e lexuesit, libri “Vendbanimet në hapësirën historike Shqiptare të Çamërisë” të studiuesit Selman Sheme, të njohur në botën shkencore me shumë botime, kushtuar kryesisht gjeografisë së trevave shqiptare. Vetë ballina, veç titullit, na fut edhe me hollësi të përmbajtjes, duke na njoftuar më tej: “Tabloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale”. Ky është një libër që unë e vlerësoj si një “Testament trashëgimie” për botën shqiptare, për t’i folur brezave në shekuj, për të mos harruar, njëherazi për ta lartësuar emrin e Çamërisë shqiptare.

Çdo libër sado i veçuar të duket si krijimtari, aq më shumë një vepër shkencore me përmasa të tilla, vetiu kërkon bashkëpunim, diskutim, rrahje mendimesh, miratim dhe kundërshti, pa folur për korrektim letrar dhe gjuhësor, madje edhe paraqitja grafike e artistike. Më duhet të përmend se, emra dhe pena të fuqishme, janë përfshirë, si:

Redaktor shkencor: Prof. dr. Sabri Laçi

Recesente: Akad. Prof. dr. Beqir Meta, Prof. dr. Bardhosh Gaçe.

Redaktore: Dorina Basha.

Korrektore: Medina Mehmeti

Arti grafik: Eva Kukaleshi

Kopertina: Semela Mero.

Autori, Prof, dr. Selman Sheme, që në fillimet e librit ngulmon bindshëm: “Çamëria është një konstruksion mental që ekziston në vetëdijen kolektive të popullit shqiptar, bazuar në origjinën e përbashkët etno-kulturore”.

Pikërisht këtë dëshirë dhe bindje, autori përpiqet të përcjellë në këtë studim gjeografik me të gjithë përbërësit, që nga ndërtimi gjeologjik e gjer te klima, bota shtazore, bimësia, popullsia dhe organizimi shoqëror-politik. Libri pasurohen me harta edhe grafikë, njëkohësish edhe me emërtimet e të gjithë qyteteve dhe fshatrave, pa harruar edhe fotot mjaft të bukura. E përgëzoj autorin, sepse në formë të përmbledhur përfshin edhe trojet shqiptare në lindje të Korçës, me qytete dhe fshatra, të shkëputura ashtu si edhe Çamëria, pikërisht në mesin e vitit 1913, me vendimet e “Konferencës së ambasadorëve” në Londër.

Në libër krahas gjeografisë, nuk përjashtohet edhe historia, dua të them emërtimi, arkeologjia, toponimet, arti i ndërtimit, historia politike, me kapitullin “Harta politike e Çamërisë”, etj. Autori shtyhet disi në kohë jo shumë të largët, kur filluan të hapen plagët, që s’u mbyllën kurrë: “Është viti 1837, me dekret perandorak u bë riorganizimi i këtij “Elajeti”, ku tokat shqiptare u ndanë në këtë mënyrë: Sanxhaku i Prishtinës, Nishit, Shkupit, ndërsa sanxhaku i Vlorës, i Delvinës, dhe Janinës, ku bënte pjesë dhe krahina e Çamërisë, u bashkuan më sanxhakun e Tërhallës. Në këtë “Elajet” tokat shqiptare ishin të thërmuara.

Image
Autori Selman Sheme

Sa dhimbje përcjell kjo fjalë që përcillet e hidhur si pelin i egër, që më trishton, por edhe më drithëron njëherazi, sepse shpreh mësëmiri gjendje e Çamërisë dhe krejt trojeve të banuara nga shqiptarët. Autori shton, duke vënë gishtin mbi plagë: “Kjo ndarje administrative bëhej me qëllim për të mos i dhënë mundësi popullit shqiptar të bashkohej, kështu thyhej më lehtë qëndresa e tij”. Pajtohem plotësisht me këtë përfundim logjik, sepse ky “thërmim” është një ndër shkaqet më të qenësishme të pasojave që solli “reforma”, pasi në çastin kur Perandoria Turke po jepte shpirt, në fillim të shekullit XX, shqiptarët nuk mundën dot të bëhen bashkë ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kështu edhe bota, plot hile dhe mashtrime, e pati të lehtë vendim-marrjen për copëtimin e trojeve tona në dobi të fqinjëve. Dhe për ironi të fatit, fqinjët e përkëdhelur nuk e patën të vështirë të ushtrojnë “spastrim etnik”, si rasti i Çamërisë në vitet 1944-1945, më pas në vitet 1999, nën këtë shembull edhe boshatisja e Kosovës nga ushtria serbe. U desh ndërhyrja e botës, që të shpëtohej Dardania jonë.

Studiuesi Selman Sheme, e pranon se nuk është i pari që e studion gjeografinë e Çamërisë. Është Sami Frashëri, filozofi ynë i Rilindjes Kombëtare, që e përfshin dukshëm edhe Çamërinë në librin: “Enciklopedi historike dhe gjeografike”. Para dhe pas tij kemi edhe shumë autorë të tjerë vendas dhe të huaj, që i përkushtohen krahinës dhe banorëve të saj të lashtë sa vetë jeta. Mes tyre është edhe historiani Hajredin Isufi, çam për nga origjina, sot banor i Durrësit, studiues dhe botues i disa librave.

Autori i ndershëm dhe i saktë me vetën thotë: “Ndryshe nga shumë autorë që janë marrë me trashëgiminë kulturore dhe historike, nuk kishte një botim të mirëfilltë gjeografik dhe demografik për krahinën shqiptare të Çamërisë. Pikërisht këtu, ai gjen shtysën për të hartuar këtë libër me peshë të madhe në letrat shqipe. Një “Monument”, ku ka derdhur shumë mall e dashuri, shumë punë e përkushtim, shumë shqiptari e atdhetari, për të cilin besoj se ka shpenzuar mjaft kohë të çmuar si studiues e krijues.

Bindemi lehtë, mjafton t’i hedhim një sy burimeve studimore, si dokumente arkivore, literatura e botuar, përfshirë edhe shtypin (gazeta e revista), etj, të cilat mbushin disa faqe. Të gjitha na shtyjnë t’i themi me plot gojë: “Të lumtë mendja dhe pena. Kombi, që të mos humbasë, ka nevojë për të tillë burra dhe të tilla vepra”.

Analiza e një libri shkencor, sado e saktë të jetë, nuk ta jep të plotë tërësinë e veprës, kështu është mundësia e lexuesit të shijojë nektarin e luleve të Çamërisë dhe të japë vlerësimin për këtë libër shkencor-gjeografik. Askujt nuk dua t’i heq kënaqësinë e leximit dhe studimit, ndaj po mjaftohem me këto fjalë të studiuesit, konsullit francez Pouquevilie, në veprën e tij prej gjashtë vëllimesh, ku thuhet: “Çamëve u ka hije lëvdata për trimërinë, bukurinë, pastërtinë e zgjuarsinë”.

Urime dhe admirim për autorin, që na sjell këtë libër si pasuri kombëtare dhe me theks atdhetarie. Një “Testament”, që duhet lexuar, duhet mbajtur, e duhet futur në kujtesën e kombit, si nga politikanet, diplomatët, studentët, mësuesit dhe nxënësit e shkollave, ashtu edhe nga të gjithë shqiptarët që u dhimbset kjo copë Shqipërie, që padrejtësisht vazhdon të mbetet “krah i thyer” i shqiponjës.

Shpresojmë se dëshira, vullneti, përkushtimi i Prof. Dr. Selman Sheme dhe puna kërkimore shkencore, do të vijojë edhe në të ardhmen, duke na dhuruar vepra po kaq të bukur e me vlerë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat