Një kronikë bamirësie “Lugina, gjithçka, për Kosovën”

Libra

Një kronikë bamirësie “Lugina, gjithçka, për Kosovën”

Nga: Sevdail Hyseni Më: 17 maj 2022 Në ora: 08:30
Foto ilustrim

Presheva, një krahinë shqiptare, gjithmonë, është përmendur për bujari, fisnikëri, atdhedashuri, bamirësi, mikpritje. Kjo “shtyllë e fortë Kosove” historikisht e politikisht, asnjëherë, e në asnjë periudhë kohore, nuk pushoi së vepruari për të mirën e vëllezërve matanë kufirit, të ndarë padrejtësisht nga trungu iliro-dardan.

Dy bashkautorët e librit monografik “Kronikë e një kohe (1989-1999) Lugina, gjithçka, për Kosovën, njëri gazetar i mirënjohur Hasan Emërllahu dhe tjetri një atdhetar e humanist i devotshëm Sadik Sadiku, arritën që para lexuesve të paraqiten me një vepër të karakterit më shumë se humanitar, një histori dekade, kushtuar ndihmave për Kosovën, të dhënë me shifra e fakte, në mënyrë kronologjike.

Kronika e një kohe të vështirë, fillon me vitin 1989, kur Serbia me hekur e gjak suprimoi Autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke ndryshuar Kushtetuta e vitit 1974 dhe duke e bërë atë si pjesë të saj.

Ky vit për Kosovën dhe shqiptarët jashtë saj karakterizohet me protesta dhe me ngujimin në grevë të minatorëve të Trepçës, duke lënë prapa jehonën e dhembjes krenare me dhjetëra të rënë dëshmorë e me qindra të plagosur e të burgosur.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, që me të drejtë e quajnë vetën Kosovë Lindore, gjatë kësaj periudhe nuk rrinin këmbëkryq, ata u solidarizuan me vëllezërit e qoftë në aspektin kombëtar dhe humanitar.

Monografia “Lugina, gjithçka, për Kosovën”, është një pasqyrë veprimtarie e Shoqatës Bamirëse “Nëna Tereze”, dega në Rahovicë të Preshevës, kryetar i së cilës është vet bashkautori i kësaj Monografie me vlera faktografike, historike dhe letrare.

Libri monografik përbëhet prej 21 kapitujsh, duke filluar nga fjala e redaktorit Jonuz Fetahaj, për të vazhduar me ngjarje e zhvillime nga më të rëndësishmet të ndodhura përgjatë një dhjetëvjeçarit jo vetëm në Preshevë, por edhe rreth saj në Kosovën Lindore.

Rahovica, vendlindja e bashkautorëve të Monografisë, gjatë aksioneve humanitare në ndihmë familjeve nga Kosova, u bë shembull se si duhet të ndihmohet Atdhu kur është në rrezik. Në këtë drejtim s’ka se si të mos përmendet rasti i nuses rahovicase (Shqipe Jusufi), e cila heq stolitë e arit nga qafa dhe duart për t’ia dhuruar motrave dhe vëllezërve të rrezikuar nga Kosova, duke u bërë një heroinë e aksioneve humanitare dhe një shembull tipik i krenarisë kombëtare se liria është mbi të gjitha.

Lexuesi duke shëtitur nëpër faqet e librit të vëllimshëm monografik nga 21 kapitujt e deri te Aneksi i fundit, ka çka të lexoj dhe të nënvizoj, duke filluar nga aksionet humanitare me moton: “Shkolla ndihmon shkollën”, “Familja ndihmon familjen”, “Individi- individin” e kështu me radhë, të gjitha me një organizimi të mirëfilltë humanitar e kombëtar.

Nuk ishte edhe aq lehtë të organizosh ndihma në një shtet diktatorial siç ishte Serbia e kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, e cila ushtronte dhunë dhe terror edhe mbi ata që grumbullonin dhe shpërndanin ndihma solidare gjithandej nëpër Kosovën martire.

Janë me qindra mijëra marka, euro, franga e dinarë, të grumbulluar për vëllezërit kosovarë përmes Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nënë Tereza”, Dega në Rahovicë, duke mos harruar ndihmat e tjera në gjëra ushqimore e veshmbathje.

Të gjitha këto ndihma janë të regjistruara dhe të bëra publike me dëshmi e fakte, të cilat në mënyrë tabelare janë të paraqitura në librin monografik. Po ashtu një vend të rëndësishëm në libër paraqesin edhe apelet dhe reagimet e politikanë shqiptarë dhe personalitete të jetës arsimore e kulturore, në mbështetje të aksioneve humanitare, jo vetëm në Rahovicë, por edhe në gjithë Preshevën, Tërnocin dhe Bujanocin dhe Medvegjën me rrethinë, pa përjashtuar edhe ndihmat e shoqatave humanitare, të cilat aso kohe vepronin në diasporë.

Duke lexuar shkrimet nga notesi i gazetarit Hasan Emërllahu dhe nga veprimtari humanitar Sadik Sadiku, mësojmë se sa të vështira, po aq edhe krenare ishin ato periudha kohore të skalitura me mjeshtëri në shënime dhe dokumente, të shoqëruara me shembuj faktografik e ilustrues, duke e bërë për vete lexuesin dhe ata që e komentojnë formën përmbajtësore dhe vizuale të librit.

Monografia “Kronikë e një kohe (1989-1999), Lugina gjithçka për Kosovën”, i përbush të gjitha kriteret e të qenit një libër monografik, si nga aspekti teknik, po ashtu edhe përmbajtësor. Bashkautorët ia kanë dalë, të rrumbullakësojnë një periudhë kohore dhjetëvjeçare, me mjeshtëri e pedanteri, duke lënë një gjurmë veprimtarie humanitare dhe duke vënë një gurë në kalanë e rezistencës shqiptare për liri dhe pavarësi.

I përgëzojmë bashkautorët e këtij libri monografik, duke u dëshiruar suksese edhe në të ardhmen në këtë fushë të veprimtarisë jetësore dhe lexuesve fat që kanë në duar një libër si ky.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat