Udhëtim në mrekullinë e ngjyrave të vjeshtës

Libra

Udhëtim në mrekullinë e ngjyrave të vjeshtës

Nga: Bashkim Saliasi Më: 16 mars 2023 Në ora: 14:40
Kopertina e librit

Këto ditë të ftohta të Janarit 2023, më erdhi në dorë dorëshkrimi i poetit, shkrimtarit dhe publicistit Kadri Tarelli, të cilin e lexova me ëndje dhe m’u krijua një ndjesi kënaqësie, sikur po udhëtoja e përkundesha në një varkë të mbushur me perla, të nxjerra nga fundi i detit Jon. Nuk u çudita, që poeti vjen me këtë vëllim të dytë, pas tre vitesh, kur për herë të parë më kishte dhuruar librin me poezi; “Kohë në vargje” në moshën shtatëdhjetëvjeçare, kurse tani pasi është rritur edhe ca më shumë, përsëri nuk u befasova, mbasi vazhdimisht lexoj poezitë e tij në botimet elektronike dhe gazetën ‘Telegraf”.

Ai tani vetëm se i ka mbledhur në librin e dytë me poezi, të titulluar “Vjeshta në vargje”, kështu që tashmë me vargje po udhëtoj me autorin nëpër udhët e vjeshtës. E kam njohur dhe lexuar herët krijimtarinë e shkrimtarit Kadri Tarelli në gjininë e publicistikës, artikujve kritikë dhe poezisë. Jam njohur dhe kam shkruar për veprat e tij; “Misionar në udhën e dijes”, publicistikë, botuar në vitin 2013, “Kur lexoj një libër” (kritika letrare, opinione, intervista, reportazhe), botimin me poezi, “Koha në vargje”, botuar në vitin 2020 dhe tani së fundi, libri “Vjeshta në vargje”.

Lexuesi do të ketë mundësi të kënaqet me lirika të bukura të larmishme, mbirë si lulet në lëndinë, ku spikat dashuria e madhe për njerëzit, për detin, plazhin e Currilave, apo dhe kur u drejtohet stinëve të vitit, natyrës, nipit e mbesave, si thesare më të çmuara të jetës. Mes tyre do të gjejmë edhe poezi epike, fabula, elegji, histori, ku ka shumë atdhetari. Një titull paksa interesant, por më duket se autori titullin e librit e lidh me moshën e tij, ku shpreh ndjenja mirësie dhe dashurie për jetën dhe të bukurën, sepse vjeshta ngahera është e begatë me lloj-lloj frutash dhe ngjyrash, me dasma e gëzime, ku zemra e poetit gjen frymëzimin dhe na sjell në vargje jetën që na rrethon. Poeti vjen para lexuesit me vargje mjaft të goditura, si në formë dhe përmbajtje, ku që në faqet e para ndihet vokacioni, ngjyrimi, ritmi në fjali, duke i qëndruar besnik stilit klasik të vjershërimit, me lirikat e tij, që shprehin dashuri dhe ngjallin shpresë për jetën.

Vargjet e poetit Kadri Tarelli janë një ndjenjë e fuqishme për dashurinë, që e frymëzojnë të shpreh ndjenja të thella mbresëlënëse për thesaret e shpirtit, siç janë nipi dhe mbesat, që i do dhe e duan aq shumë. Libri hapet me poezinë “Dea dhe Dioni”, kushtuar mbesës dhe nipit. Vargjet rrjedhin si refreni i një kënge me vija melodike, që të joshin dhe nuk të lejojnë t’i lëshosh nga dora. Ja si shprehet poeti në poezinë “Dea dhe Dioni”. Mbes’ e nip, Dea, Dioni, / nektar lulesh, dritë dielli, / lumturisht këngë këndoni, frymë jete zbritur nga qielli. Poezia “Dea dhe Dioni”. Në këto vargje dashuria për nipat dhe mbesat rrjedh natyrshëm si në një pentagram me nota muzikore dhe vijë melodike me nota të arta, që ngjallin shpresë dhe dashuri për jetën. Të dashurosh, do të thotë të prekësh, të përkëdhelësh, të puthësh, të marrësh dhe të japësh, por dhe të presësh, dhe të duash, për të marrë atë çfarë kërkon.

Vëllimi poetik “Vjeshta në vargje” është shpirti krijues i autorit pa sforcime dhe me fjalë të zgjedhura. Ajo që e dallon stilin e të shkruarit të poezisë së poetit është fjala dhe brendia e saj, ku shprehet dashuria njerëzore, të cilën poeti e përzgjedh dhe stilizon bukur, siç bën bujku, që përzgjedh tokën dhe farën e shëndetshme, për të dhënë bimë me shumë prodhimtari e cilësi të mirë. Ai përdor dhe e përzgjedh bukur dhe ëmbël fjalën shqipe që të josh dhe rrit krenarinë dhe admirimin. E përbuz fjalën e huaj dhe të panevojshme, si ne prozë, aq më shumë në poezi. Një vlerë e shtuar për këtë autor. Te ky vëllim ashtu si dhe te vëllimi i parë, të bie në sy pjekuria letrare, ku shfaqet thelbi i bukurisë vjershëtore, i shpirtmadhësisë dhe dashurisë së pastër që shpreh mirësi, dashuri, shpresë dhe mirëkuptim për të tashmen dhe të ardhmen, sepse më pëlqen ta vendos në thonjëza: “Dashuria e pastër, e vërtetë e sinqertë dhe e përjetshme, lind e shuhet vetëm një herë”.    Muza e poetit Kadri Tarelli nuk lë mënjanë qytetin e tij, Durrësin, bregdetin, plazhin, Currilat dhe sidomos vjeshtën. Libri “Vjeshta në Vargje” hedh vështrimin në horizont, në bregdetin e tij të bukur ku autori gjen frymëzim. Ai me mjaftë dashuri dhe me një muzikalitet të bukur shprehet për nipërit dhe mbesat, që po rriten larg atdheut të tyre në Itali, por përsëri “kokën” e kanë në atdhe te vendlindja e gjyshërve dhe prindërve të tyre.

Në krijimtarinë e tij poetike, burojnë idetë dashurore me një strukturë të thellë artistike, që zgjon refleksione të ndryshme fiziologjike. Sa natyrshëm vjen poezia: “Flokët kaçurrela, ngjyer bojë ari,/ më djersiti dimri, më ftohu behari,/ pas teje po ngrij, si akull janari./ si purtekë dridhem, po digjem nga zjarri”. Me pas: “Era tund balluket, si kallinjt’ e grurit,/ fustani me lule mbi kupën e gjurit,/ naze përmbi naze, si thëllëz’ e gurit,/ këngës ç’po ja thua hipur majë murit”. Bukuria fiton lartësi në ngjitje majë mali; “Trupin shtat selvi, si shtiz flamuri./mjerë unë i mjeri, belaja më zuri,/kush më qan hallë, guri apo druri,/meraku për ty, në dyshek më vuri./Ma jep dorën tënde, që ta shkundim diellin,/ta ngjyrosim detin, blu edhe qiellin./me kollan mëndafshi ta mbërthejmë belin,/ mbi kurorë floku, të art kordelin”.

Në poezinë e Tarellit, kemi të bëjmë me subjekte që shtrihen në shtigjet e jetës së përditshme, përfshi edhe histori. Figurat letrare të përdorura në poezinë e mësipërme janë metaforë, e gërshetuar me krahasimin, të cilat i japin poezisë ngjyra, muzikalitet dhe “tinitrinë”, sikundër shprehet miku ynë, poeti Dhimitër Xhoga (Guri i Naimit). Kryesorja është se, Kadriu, di çfarë na tregon në rrugën e mbarë të vjershërimit, di çfarë n’a thotë dashurisht, dhe atë që na e përcjell, e sjell të freskët si aromë trëndafili erëmirë, që kur e lexon të jep shpesh drithërima, të bën për vete dhe të tregon udhën e mirësisë. Poezitë e autorit Kadri  Tarelli dallohen për larminë e formës, të përmbajtjes dhe të drejtimit. Lëvrimi i fjalës së bukur shqipe, me ndjenjën e dashurisë për njerëzit, natyrën dhe gjithçka që na rrethon, vë në lëvizje mendimin dhe veprimtarinë krijuese të poetit. Jam i mendimit se krijimtaria e Kadriut mbështetet në folklorin e pasur të gjuhës shqipe dhe në tabanin popullor.

Çdo poezi e librit “Vjeshtë në vargje”, përcjell një mesazh poetik sa njerëzor aq edhe qytetar e shoqëror. Poezitë e këtij vëllimi, janë kompozime të gjalla të autorit të dala nga shpirti poetik i tij. Edhe në poezitë kushtuar natyrës, dallon dashuria për njerëzit, detin, plazhin, për stinët e vitit, diellin, hënën, lumin, manaferrat dhe gjithçka e bukur, që ngacmojnë mendjen e poetit. Ja si shprehet poeti në vargjet; “Thinjur sot, pasqyrë e detit,/ bregun rreh valë mërzitur,/ mëngjes, heshtur jeta qytetit,/ fshehin retë syrin e ndritur”. Po kështu mrekullohemi me thjeshtesinë e fjalës dhe vargut: “Poezia Plazhi Currilës”. Mbi kurriz të kodra -vilës/ tretet shikimi mbi det./mbetur bosh plazhi Curilës,/ dy-tre varka lënë shkret”. Po kështu edhe te poezia – “Deti zhubravitur”, -“Deti pasqyrë e zhubravitur,/ nuk di pse sot trishtuar!,/ rrudhur ftohur duke pritur”. I fuqishëm vjen zëri i poetit kur merr dhe mendon: Është murtaja “Covid” që ka paralizuar jetën, ku gjithkush ndihet si i burgosur në shtëpinë e vet, për këtë mbyllje njerëzore, që trazoi gjithë jetën në mbarë rruzullin tokësor. Në poezinë “Durrësi në ngujim”,“Drama vuajtjesh dhe ngadhënjimi, ke provuar qyteti im./ pranvera e ftohtë erdhi, si murgu veshur në udhëtim./ drurët, rrugët, kafenetë, piktura në qiell pa ngjyrë,/kodtragjik, pa firmë e vulë, në portretin pa fytyrë”.

Madhërisht i këndon vjeshtës, në poezinë “Erë vjeshte”, ku stinët përcjellin njëra-tjetrën dhe pse me dhimbje i mban lidhur dashuria: “Gjeth i zverdhur dimrin ndjell,/ ftohtë, shi, rënkon mërzia. /vjeshta stinët i përcjell,/ ngroht’ i mban veç dashuria”. Cilësia dhe intuita krijuese e poetit Kadri  Tarelli, dallon në elegancën dhe bukurinë muzikore, në vargjet që ai thur për të dashurit e tij, që kanë lënë plagë apo ndjesi te forta, bie fjala te poezia kushtuar vëllezërve Sefer  Tarelli dhe Hytbi  Tarelli. Që në strofën e parë dhe deri tek e fundit në çdo varg mbërthen dashuria dhe dhimbja për vëllezërit e tij.

Ja si shprehet poeti te poezia kushtuar vëllait të tij Sefer  Tarelli: “Shkove vëlla, na le hidhur,/ mbyte zemrën në trishtim./ Rrudhet fjala, nyje lidhur,/ s’shuhet dhimbja në ngushëllim. Ike agronom Seferi, ike/ Gjete vend te perëndia,/ Dritës zjarrin, nuk e fike,/ndez qiri përjetësia”. Etj.      

Te poezia kushtuar vëllait Hytbi   Tarelli, ka një varg që përmbledh të gjithë brendinë: “Në kujtesë gëdhendur portretin”, Ndërsa për mësuesin shprehet me madhështi: “Ti mësues përherë i ri./ Të nderojnë si profetin,/ Brezat në përjetësi”. Shpirti krijues dhe dashamirës shprehet dhe te poezia kushtuar mësuesit hero, atentatorin Haki  Taha, ku nëpërmjet vargjeve bën thirrje për bashkimin e kombit shqiptar: “Veç një emër, e veç një besë,/ Jeta s’vlen nën sundim. Këmbë hasmi të mos mbesë,/ Kombi thërret në bashkim”. Në vargjet e poezisë kushtuar shkrimtarit dhe poetit vlonjat, Viron Kona, Kadriu si mjeshtër i fjalës artistike dhe mik i mirë, skalit në vargje portretin e tij dhe tregon jo vetëm për cilësit e mira të mikut nga Vlora, por na jep dhe një mesazh kuptim-plot, për figurën e shkrimtarit si njeri me zemër të madhe, që e do jetën dhe respekton miqtë e shokët, në ditë të mira dhe të vështira të jetës së tyre.

Ja disa vargje: “Shkrimtar, poet, studiues e lajmëtar,/I njohur ndër fëmijë, të rinj e pleq”./ I thjeshtë, mësues, veprimtar, e misionar. Fjalë urtë, thua, vallë botën ndreq”. Po të tilla vlerësime do të gjejmë edhe në poezinë kushtuar mikut të tij, shkrimtarit Shpend Topollaj dhe shkrimtares Vilheme Vranari - Haxhiraj, nga Kanina e Vlorës, ku skalit me penën e tij të artë portretin poetik të miqve të mirë, që nuk dinë të mburren, por ngahera vijnë para lexuesit qetë dhe pa bujë, me studimet dhe krijimet e tyre artistike, me një penë të ndritur, që zënë një vend të rëndësishëm, në rrethin e krijuesve durrsak dhe vlonjat. “Shpendi ynë, penë artë,/ Detin bojë, qiellin pa fund./ Mal në letra, shkëmb i lartë, /Dallgë e jetës të përkund”. Më pas për poeten dhe studiuesen nga Vlora: Në krijime, burim pena,/ Në kuvende mjaltë goja. / librat roje në bedena,/ përmbi shkrime tretur boja…etj. Një vend të rëndësishëm zenë poezitë përshkruese të natyrës së bukur shqiptare, në të cilat autori reflekton dhe shpreh ndjesitë dhe frymëzimin e tij në letër si: “Bisedë me detin”, “Mjegull në Currila”, “Mos e kërko hënën”, “Deti zhubravitur”, “Natyrë dimri”, “Erë vjeshte”, “Thinjur sot, Pasqyrë e detit”, “Në Mat pas kuvendit”, “Kaninë e bukur Kaninë”, “Bregu dhe vala”, etj.

Nuk është rastësi për mua te vendos në parafund të shkrimit tim, disa vargje, ku ka shumë atdhetari, dhimbje, ndjeshmëri shqiptarie, shprese dhe pritshëmri. Mjafton ta lexoni këto pak vargje që thonë shumë:  Çamëri, perla e Epiri, Trup e shpirt ngulur në gur, Si Feniks, ngrihu prej hirit, Vendos krahun në flamur! Poezia, “Çamëri dhe Dardani, u prenë….!

Librin kaq të bukur “Vjeshta në vargje”, autori e mbyll me fjalët magjike kushtuar poetit vlonjat Ali Asllani. Metafora dhe sarkazma, që Kadriu përdor në vargjet e kësaj poezie, shigjeton pushtetarët të çdo kohe, të cilët në ditët para votimeve, nuk lënë gur pa lëvizur, derisa zënë atë të shkretë karrige. Më pas harrojnë çfarë kanë premtuar dhe fryhen e mburren, duke u hequr si baballarët e kombit. Sa janë në ato zyra, nuk lënë gjë pa bërë dhe abuzuar me besimin që u jep populli, për t’i shërbyer atij dhe jo për të mbushur xhepat e tyre: Poezia, “Ali Asllani, porosit”! Hamë pimë dhe rrëmbejmë, Nuk kursejmë çfarë të gjejmë. Mos u lodhni të na shani: Porosit Ali Asllani” .

Duke përfunduar, edhe pse nuk jam specialist i letërsisë, por më pëlqen krijimtaria dhe letërsia, si lexues i rregullt i saj do këshilloja ta merrni librin “Vjeshta në vargje”, për t’u shtyrë ta lexoni librin deri në faqen e fundit, pa u lodhur dhe pa u mërzitur. Madje mundet ta mbani në çantë, në xhep si doracak, për ta shfletuar në kafene, në udhëtim me autobus, tren, apo avion. Mbase mund ta mbani edhe në bibliotekë apo në tavolinën e punës tuaj, këtë libër me vlerë artistike dhe çlodhës të shkrimtarit e poetit Kadri  Tarelli. I bindur se kur të ndiheni të lodhur, mos përtoni, zgjasni dorën dhe pasi të keni marrë në dorë librin “Vjeshtë në vargje”, udhëtoni në magjinë e ngjyrave të vjeshtës, duke lexuar lirikat e bukura, sepse do largoni lodhjen e do të ndiheni të çliruar. Provojeni dhe do e shikoni se nuk do të ndiheni të zhgënjyer... Urime miku im KadriTarelli, në botime të tjera të radhës. Pena jote mos pastë ndalesë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat