Është promovuar libri “Kritika e mendjes politike” nga ambasadori i parë kroat në Kosovë, Zlatko Kramariç, libër i cili përfaqëson një analizë të thelluar të ngjarjeve politike dhe kulturore në Kroaci dhe në rajon.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj tha se libri ka një vlerë të veçantë.
Hoxhaj: Duhet ta lexojmë drejt kontributin që ka dhënë Kroacia në raport me Kosovën
“Nderoj kontributin që ka dhënë Kroacia në raport ne Kosovën. Ne si shqiptarë të Kosovës duhet ta lexojmë drejt këtë kontribut qe ka pasur politika kroate…Tema e parë e librit është jo vetëm kritika por politika e identitetit me krejt çka merret ambasadori merret me politikën e identitetit në Jugosllavi. Vlerë e librit është nëse ne kemi mendu që politika e identitetit me fundin e luftës dhe pavarësisë, tash po shohim qe ka një rikthim globalisht dhe libri ka një vlerë të veçantë. Libri trajton edhe problemin e rikthimit të historisë, cila po ndodh duke parë një përpjekje të Serbisë duke kërkuar ta gjejë fatin jashtë kufijve të saj”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi shtoi se në libër autori e sheh politikën me një këndvështrim tjetër.
Baliqi: Kramariç analizon tensionet evropiane dhe traumat historike
“Ka qenë kënaqësi me lexu një libër qe shkruan për politikën në një këndvështrim tjetër. Çka e trajton autori është që trajton raporte politike dhe procese historike ndërmjet periudhave komuniste dhe postkomuniste dhe ndikimi në ish-jugosllavi. Ne kontekstin ballkanik Kramariç analizon tensionet evropiane dhe traumat historike. Ne këtë kuadër libri argumenton se shoqëria kroate ende nuk është përballur me te kaluarën e tij”, shtoi Baliqi.
Ambasadori i parë kroat, Zlatko Kramariç u shpreh në fund se Kosova paraqet një vend te veçantë në jetën e tij.
Kramariç: Kosova ka vend të veçantë në jetën time
“Prishtina, përkatësisht Kosova, paraqesin një vend të posaçëm ne jetën time. Në fakt, këtu fillova të merrem me diplomacinë e vërtetë, unë kështu e kam paramenduar veten, kam qenë kryetar komune, kam qenë anëtar i partisë, anëtar i parlamentit, merrem me diplomaci...Këtu në Kosovë kam filluar me të vërtetë të mësoj se diplomacia nuk është protokoll, po se diplomacia është diçka tjetër, veçanërisht në vitet 2008, 2009, 2010 kur unë isha këtu”, tha ai.
Zlatko Kramariç eshtë një figurë e njohur akademike dhe politike nga Kroacia, me përvojë të gjatë diplomatike, përfshirë edhe si ambasador i parë i Kroacisë në Kosovë.
Ai është autor i shumë botimeve të rëndësishme dhe fitues i çmimit prestigjioz “Zvane Crnja” për veprën "Klasa kroate".