Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë është hapur Panairi i 25-të i Librit “Prishtina 2025”. Ky edicion jubilar u organizua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.
Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, edicioni i 25-të i Panairit të librit prezanton rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora si dhe rreth 2000 tituj të rinj.
Në Panairin e Librit “Prishtina 2025” parashihet që, përveç librave, të organizohen mbi 40 aktivitete si promovime librash, ku gjithashtu do të shënohen: 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës si dhe 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.
Edon Zeneli, drejtor i SHBK theksoi se libri vijon të jetë porta magjike më e afërt dhe më e ndier për njeriun.
“Të lexuarit vijon të jetë ushtrimi më i mirë për mendjen tonë, për trupin tonë, për universin që gjithësecili e ka mbrenda vetes”, tha ai.
Ndërkaq Sibel Halimi, drejtoreshë e kulturës në Komunën e Prishtinës tha se "në një epokë ku inteligjenca është bërë sinonim i algoritmeve me shpejtësi ndaj sistemeve të ndërlikuara artificiale sot më kujtohet se Intelegjenca vërtetë ka lindur dhe rrjedh nga libri”.
“Do ta pranojmë që është eventi më i madh i librit në botën shqiptare. Prishtina e ndjek hap pas hapi, me risi, nga viti në vit të gjitha me botime të reja, me botues profesionist edhe me përpjekje të mëdha, me vështirësi të mëdha që libri i ka akoma në botën shqiptare”, tha Fatmir Toci, shkrimtar.
Panairi është i hapur për të gjithë dashamirësit e librit dhe kulturës dhe do të jetë i hapur deri më 15 qershor, ku gjatë kësaj jave të librit, pritet të realizohen mbi 40 aktivitete kulturore, promovime e debate.