Shtatë dobitë e pabesueshme të leximit

Libra

Shtatë dobitë e pabesueshme të leximit

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 23:40
Ilustrim

Leximi i jep trurit tuaj një “stërvitje” të ndryshme nga shikimi i televizorit ose dëgjimi i radios. Nëse jeni të zhytur në një libër shumë interesant, apo thjesht shfletoni një manual udhëzimi për makinën tuaj të kafesë, “pjesë të trurit që kanë evoluar për funksione të tjera – të tilla si shikimi, gjuha dhe të mësuarit asociativ – lidhen në një qark të caktuar nervor për leximin, gjë që është shumë sfiduese”, tha për revistën Oprah, profesor Ken Pugh, president dhe drejtor i studimit të Haskins Labs. Ky zakon e nxit trurin tuaj të mendojë dhe të përqëndrohet.

Leximi e mban trurin tuaj të ri në moshë

Zhytja në një libër të mirë mund të heqë shumë vite nga mendja juaj, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Qendra Mjekësore e Universitetit Rush, siç raportohet nga “Prevention”. Të rriturit që kalojnë kohën e lirë me aktivitete krijuese ose intelektuale (si leximi) kishin një ritëm më të ngadaltë, prej 32 për qind, të rënies së aftësive njohëse në fundin e jetës, se sa ata që nuk e bënin.

“Sjelljet e zgjuara e bëjnë trurin më efikas duke ndryshuar strukturën e tij për të vazhduar funksionimin e duhur, pavarësisht nga neuropatologjitë e lidhura me moshën”, tha Robert S. Uilson, profesor i neuropsikologjisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Rush.

Një tjetër studim i kohëve të fundit zbuloi se të rriturit më të mëdhenj në moshë që lexojnë ose luajnë rregullisht lojëra mendore, si shahu apo gjëzat, janë dy herë e gjysmë më pak të prirur të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit.

Leximi largon stresin

Nëse zhyteni në një libër të mirë ju ulni nivelet e hormoneve të stresit si kortizoli. Në një studim britanik, pjesëmarrësit u angazhuan në një aktivitet që provokonte ankth, dhe më pas ose lexonin për disa minuta, ose dëgjonin muzikë, ose luanin lojëra video. Nivelet e stresit të atyre që lexuan ranë 67 përqind, gjë që ishte një rënie më e madhe sesa ajo e grupeve të tjera.

Ju pasuron fjalorin

Edhe në qoftë se keni qenë dekada që s’jeni shqetësur për provimet, ju ende mund të përdorni libra për të zgjeruar fjalorin tuaj mendor. Në fakt, studiuesit vlerësojnë se ne mësojmë pesë deri në 15 përqind të të gjitha fjalëve që njohim përmes leximit, sipas një raporti skolastik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët, madhësia e fjalorit të të cilëve është direkt dhe dramatikisht e lidhur me librat që lexojnë.

Kuptojmë më mirë të tjerët

Tregimet që lexojmë ofrojnë perspektivë që ndryshon jetën, thonë studiuesit e Universitetit të York-ut. Përfshirja në jetën e personazheve forcon aftësinë tuaj për të kuptuar ndjenjat e të tjerëve. Për shembull, duke e parë botën nëpërmjet syve të Jane Eyre, mund ta bëni më të lehtë që të lidheni me pikëpamjen e motrës suaj.

Inkurajon për objektivat që keni në jetë

Leximi për një personazh që kapërcen pengesat mund t’ju motivojë për të përmbushur qëllimet tuaja, sipas një zbulimi nga studiuesit e Universitetit Shtetëror të Ohajos. Nëse dëshironi një ngritje në pagë, ndjekja e një personazhi në zyrën e shefit mund t’ju japë guximin për të bërë të njëjtën kërkesë. Sa më shumë që identifikoheni me një personazh dhe përjetoni ngjarjet sikur po ndodhnin me ju, aq më shumë do të jeni në gjendje për të ndërmarrë veprime.

Ndihmon të ndjeheni më të lidhur

Kur identifikoheni me personazhe në një libër, përjetoni një lloj marrëdhënieje të vërtetë që mund të rrisë ndjenjën tuaj të përfshirjes, thonë psikologët në Universitetin e Buffalos. Me fjalë të tjera, leximi i Marley & Me mund të rrisë bashkëpunimin me pronarët e qenve në park.

Mund t’ju ndriçojë ditën

Një fund i lumtur ju ngre humorin, por romanet mund të na nxisin ndjenja pozitive edhe në mënyra më direkte. Edhe ngjarjet më të vogla në rrëfime mund të na zbulojnë kujtime të ngrohta. A merr pjesë personazhi kryesor në një barbeky në plazh? Me shumë gjasë do të kujtoni një festë ku ju keni marrë pjesë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat