Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë, që më dërgonte porosi dashurie

Life style

Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë, që më dërgonte porosi dashurie

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 23:00
Foto ilustrim

- T'i dërgova ato mesazhe, sepse me të vërtetë ndihem ashtu. Çdo fjalë që ta kam shkruar është e vërtetë. Nuk ishte ajo asnjë përpjekje bamirëse për të të qetësuar. Thjesht, unë jam dashuruar në ty, Valentina. E ngriti shikimin drejt meje dhe më shikoi. Jo me atë shikimin sikur pret diçka nga unë, por sikur kupton se të gjitha shpresat e saj ishin të kota. M'u desh që të mbahesha për tavoline, afër të së cilës rrija.

Përnjëherë sikur dikush ma kishte lëkundur tokën nën këmbë dhe sikur dhoma përreth meje të kishte filluar të lëvizte. Ariana, kolegia dhe shoqja ime më e mirë, ishte - lezbike?! Si ishte e mundur? Si nuk e kisha vërejtur këtë më parë? E largova shikimin nga ajo, duke ndier një mundim të madh. Femra, të cilën e kisha konsideruar shumë të afërt, përnjëherë më ishte bërë e huaj, sikur të mos e kisha njohur kurrë. Sikur ajo tërë kohën të më kishte mashtruar. Athua, çfarë paska qenë miqësia midis nesh? Me ecjen e një njeriu të dehur, mezi arrita deri te dera dhe dola në korridorin e spitalit. Ariana nuk bëri asgjë që të më mbante. Në gjoks ndjeva një presion të madh. Tronditja ishte e madhe. Aq e madhe, saqë nuk shihja asnjë mënyrë sesi ta shpëtoja miqësinë tonë, e cila për mua sapo kishte vdekur.

Edhe Samiri mbeti i habitur kur ia tregova të vërtetën. Pasi që unë mbarova së foluri, ai megjithatë ofshau, por me atë ofshamën që e lëshojmë kur çlirohemi. Ariana për të nuk ishte konkurrencë. Ajo nuk paraqiste rrezik për të. Unë këtë e kuptoja, por tronditja ime tani u shndërrua në zemërim. - Nuk mund të besoj se çka më bëri shoqja ime më e mirë! - Thashë duke tundur kokën. - Si mund të më rrente kështu? Të më bënte budalla? Mendoja se te Samiri do të gjeja mbështetje, por për habinë time, ai shfaqi mirëkuptim për Arianën! - Unë, në fakt, e kuptoj shumë mirë atë - tha ai me sinqeritet. Mundohu ta vësh veten në pozitën e saj. Më ke treguar sesi shpeshherë gjatë jetës, ajo kishte përjetuar zhgënjime nga meshkujt. Kur te ti gjeti shoqen e mirë dhe besnike, përnjëherë kuptoi se ndjenjat e saj kishin kaluar në diçka më shumë sesa miqësia. Me gjasë edhe vetë do të ketë mbetur e habitur nga ndjenjat e veta dhe supozoj se, për një kohë të gjatë, ajo nuk i ka pranuar ato ndjenja. Por, më pas, me gjasë nuk do të ketë mundur ta ruante sekretin. Mesazhet anonime vetëm tregojnë se sa e pafuqishme ishte ajo. Një gjë është e sigurt, e dashur: ajo nuk ka dashur të të lëndonte.

- Këtë e kam të qartë! - bërtita unë. - Por prapëseprapë më duket sikur miqësia jonë ishte një rrenë e madhe. Midis nesh gjërat kurrë më nuk do të jenë sikur që kanë qenë dikur. Nuk e ke idenë se sa më dhemb kjo. Pas kësaj, miqësia jonë ka vdekur! Samiri m'i lëmoi flokët, por nuk tha asgjë. Me gjasë e kishte të qartë që, në atë moment, zhgënjimi im nuk mund të fshihej me asgjë. Athua duhej që kështu të merrte fund miqësia ime me Arianën? Derisa në njërën anë kisha gjetur dashurinë, në anën tjetër e kisha humbur një mikeshë të shtrenjtë.

Fakti që Samiri, në këto momente të vështira, tregonte mirëkuptim për Arianën, vetëm më tërhiqte edhe më shumë kah ai. Ai kishte një karakter aq të mirë dhe ishte aq empatik, saqë, në krahasim me të, vetja më dukej egoiste. Athua, pse unë nuk mund të reagoja si ai? Të mundohesha ta kuptoja Arianën? Por, të gjithë ne jemi të ndryshëm. Ndoshta një ditë edhe do t'i pranoj mesazhet e Arianës si diçka normale dhe do të vazhdoj të shoqërohem me të, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, por tani për tani kjo nuk është e mundur. Ajo që tani më bën të ndihem e gëzuar çdo mëngjes, sa herë që zgjohem, është lidhja ime me Samirin. Ndoshta kjo lumturi do të më japë mjaft fuqi, saqë ta normalizoj raportin e prishur me Arianën. Këtë do ta doja me gjithë qejf, sepse, përkundër të gjithave, shumë më mungon shoqja ime e vjetër! FUND 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat