Gazetaria hulumtuese shënon trend pozitiv, nevojitet edhe shumë për tu bërë

Maqedonia

Gazetaria hulumtuese shënon trend pozitiv, nevojitet edhe shumë për tu bërë

Më: 24 janar 2019 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Gazetaria hulumtuese në Maqedoni shënon trend pozitiv kështu që vitin e kaluar numri i storjeve hulumtuese është rritur në dy për qind për dallim nga viti 2017 kur kjo përqindje ishte 0,8 ose në vitin 2016 kur përqindja ishte vetëm 0,4 për qind. Megjithatë, qëndrimi i gazetarëve dhe përfaqësuesve qeveritarë të cilët sot morën pjesë në debatin për perspektivat e gazetarisë hulumtuese është se duhet të punohet ende në këtë lëmi.

Një nga kushtet për gazetarinë hulumtuese është përmbushur me transparencën e të dhënave nga ana e institucioneve qeveritare, por ende duhet të punohet në ndryshimin e kulturës së sjelljes së institucioneve sepse ka institucione të cilat për shkaqe të ndryshme nuk ua japin gazetarëve të dhënat të cilat i kërkojnë.

“Shkaqet për atë se jo gjithmonë dorëzohen informacione nga ndonjë institucion janë nga aspekte të ndryshme – ndonjëherë është mospasja e  vullnetit, ndonjëherë mospasja e kapacitetit ose mospasja e njerëzve të cilët janë mjaftueshëm të përgatitur për këtë. Por, atë që sot po e bëjmë është ndryshimi i kulturës së sjelljes së institucioneve. Sa më shumë institucione publikojnë të dhëna, aq më pak do të kenë edhe kërkesa për qasje deri në informacione të karakterit publik. Kemi institucione me të cilat nuk duhet të sqarohemi dhe të cilat plotësisht e panë nevojën e shoqërisë dhe aspektin pozitiv të punës së tyre, por ka edhe institucione të cilat ende nuk reagojnë mjaftueshëm mirë gjatë publikimit të të dhënave”, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski.

Sipas tij, procesi i publikimit të të dhënave është procesi i cili do të zgjasë, ndërsa garanci se do të zbatohet Strategjia për të dhëna transparente është ekzistimi i gazetarisë hulumtuese se sa secili vendim qeveritar në letër.

Nga ana tjetër, gazetarët shumë pak i shfrytëzojnë të dhënat transparente të cilat i publikojnë institucionet. Kështu, sipas ministrit për Komunikime, Transparencë  dhe Llogaridhënie Robert Popovski është befasuese ajo që ka shumë pak storje hulumtuese dhe analitike për investitorët e huaj ose për tenderët për të cilat të dhënat janë transparente.

Ajo për çka duhet që seriozisht të punohet, sipas Popovskit, është edukimi medial, ndërsa është e rëndësishme edhe çështja se si të rregullohen mediat sociale.

“Ka kërkesa të ndryshme – nga njëra anë të bëhet njëfarë rregullimi, të tjerë thonë kurrsesi të bëhet kjo, ndërsa nga ana tjetër koncepti i Komisionit Evropian është se duhet me kujdes të punohet në këtë lëmi. Duhet të merremi vesh se a do të bëjmë intervenim në ligj ose nuk do të bëjmë. A do të shkojmë në notifikim dhe do të mbesim këtu dhe Qeveria do ta respektojë atë që shoqatat e gazetarëve do të na e prezantojnë ose nevojitet një hap plus”, tha Popovski.

Që të ketë gazetari profesionale, vlerëson Popovski, nevojitet që të rriten pagat e gazetarëve.

Monitorimi i bërë ndaj raportimit të mediave në periudhën prej vitit 2016 deri në vitin 2018 tregon se është rritur numri i storjeve me tre ose më shumë burime të informacionit, por negative është ajo se më së shpeshti në storjet hulumtuese nuk është konsultuar pala e prekur, që sipas drejtorit të Agjencisë Informative të Maqedonisë Dragan Antonovskit është e palejueshme.

Rezultatet nga monitorimi i bërë tregojnë se në Maqedoni më së shumti storje hulumtuese janë shkruar për politikën dhe ekonominë, ndërsa shumë shpesh artikujt hulumtues janë të inspiruar nga ngjarjet ditore./MIA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat