Asaf Ademi: Të gjitha projektet e refuzuara do të shqyrtohen përsëri

Maqedonia

Asaf Ademi: Të gjitha projektet e refuzuara do të shqyrtohen përsëri

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 14:31
Asaf Ademi

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, sot në Berlin, në lidhje me reagimet e opinionit për rezultatet e konkurseve vjetore të Ministrisë së Kulturës, para medieve e dha këtë deklaratë:

Me vëmendje të madhe i ndoqa të gjitha vërejtjet dhe komentet që kanë të bëjnë me rezultatet e publikuara të konkurseve vjetore të Ministrisë së Kulturës. Jehona e madhe ndaj rezultateve të publikuara sugjeron se jemi në vijë me angazhimet tona, në mënyrë transparente dhe raportuese, pa kurrfarë paragjykimesh, të miratojmë program i cili do ta nxis zhvillimin e kulturës në shtet.

Si njeri dhe si ministër thellë i respektoj autorët, artistët dhe institucionet dhe të gjithë ata që veprojnë në sferën e kulturës dhe nuk do të lejoj që këto rezultate të konkurseve vjetore të lënë ndjenjën e hidhur dhe të pakënaqësisë te njerëzit e kulturës. Dua ta informoj opinionin se të gjitha vendimet e aplikacioneve të refuzuara do të anulohen dhe përsëri do të shqyrtohen dhe nëse përcaktohen parregullsi, lista e projekteve të mbështetura do të plotësohet. Me qëllim të transparencës më të madhe të gjithë procesit do të ftohen edhe përfaqësuesit e medieve. Njëherazi, i ftoj të gjithë aplikuesit e prekur, të cilët kanë nevojë, të vijnë në Ministrinë e Kulturës për informata në lidhje me projektet e tyre. Qëllimi ynë është t’i stimulojmë dhe në mënyrë përkatëse ta vlerësojmë kontributin e artistëve, institucioneve të kulturës, sektorin e pavarur kulturor dhe në këtë kuptim mbesim fuqishëm të përkushtuar në përcaktimin tonë, tha Ademi.

Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Berlin, ministri Ademi, do të realizojë më tepër takime pune, ndërsa do të marrë pjesë edhe në premierën e nesërme të filmit të ri maqedonas „Perëndia ekziston, emrin e ka Petrunija“ të Teona Strugar Mitevska që është në seleksionimin kryesor në Festivalin e Filmit në Berlin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat