Osmani: Maqedonia e Veriut po bëhet promotori kryesor i vlerave evropiane në rajon

Maqedonia

Osmani: Maqedonia e Veriut po bëhet promotori kryesor i vlerave evropiane në rajon

Më: 6 mars 2019 Në ora: 16:57
Bujar Osmani

Zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, realizoi takim me Sekretarin Shtetëror në Ministrinë për Punë të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Dobran Bozhiç. Në takim u diskutua sfidat e integrimeve euro- atlantike me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë së Veriut, në veçanti në periudhën në prag të samiteve të qershorit, si dhe u hapën temat lidhur me zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor me të cilën forcohet stabiliteti dhe siguria në Union, si dhe për bashkëpunimin rajonal në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është realiteti i ri i Ballkanit: vend që nuk ka çështje të mëdha të hapura, me marrëdhënie stabile ndëretnike dhe kohezion të brendshëm, që tani më është pjesë e iniciativës rajonale për promovim të rregullave evropiane, standarde dhe vlera nëpër gjithë rajonin, me qëllim përfundimtar të sigurojë stabilitet të vazhdueshëm në Ballkan”, theksoi Osmani, si dhe potencoi se ky tregim i suksesshëm duhet të jetë motiv dhe shtytje për vendet e Ballkanit Perëndimor, si aspirant për anëtarësim në BE.

Para takimit me Bozhiç, Zëvendëskryeministri Osmani mbajti takim edhe me Drejtoren e Qendrës Programues për Perspektiva Evropiane, Andreja Dolniçar Jeraj, me të cilën krahas integrimeve euro-atlantike, u hapën tema lidhur me menaxhimin e krizës së migrantëve, rritjes së fundamentalizmit, si dhe luftën për menaxhimin e përhapjes së lajmeve të rreme me të cilat ballafaqohet rajoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat