Mjekësia ligjore: Sazdovski ka ndërruar jetë për shkak të goditjeve

Maqedonia

Mjekësia ligjore: Sazdovski ka ndërruar jetë për shkak të goditjeve

Më: 14 mars 2019 Në ora: 13:51
Nikolla Sazdovski

Me dëgjimin e personit ekspert nga mjekësia ligjore, i propozuar nga Prokuroria për dëshmi shtesë pas rikonstruktimit të ngjarjes, sot në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për rastin e vdekjes së 20-vjeçarit Nikolla Sazdovski.

Eksperti nga mjekësia ligjore tha se pas rikonstruktimit të ngjarjes dhe shqyrtimit të transkripteve, mbetet në qëndrimin se shkaktarë për vdekjen e sazdovskit janë goditjet që ka marrë nga të akuzuarit.

“Tashmë i ndjeri ka vdekur nga goditjet e fuqishme, e jo nga rënia ose goditja e asfaltit ose kutisë, duke pasur parasysh se në trup nuk janë konstatuar lëndime nga rënia në sipërfaqe të forta”, tha dëshmitari.

Avokati i të akuzuarve Naser Raufi, më herët kërkoi që edhe një herë të ftohet për të dëshmuar personi ekspert nga mjekësia ligjore, për të treguar nëse tashmë i ndjeri ka vuajtur ose ka pasur dhimbje gjatë ngjarjes.

Sipas aktakuzës, B.B dhe S.D së bashku me J.L që ndodhet në arrati, më 29 qershor të vitit të kaluar në mënyrë brutale e kanë rrahur Sazdovskin në stacionin e autobusëve në Autokomandë. Nga lëndimet e marra, Sazdovski më 9 korrik 2018 ndërroi jetë në Klinikën për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv.

Të akuzuarit B.B dhe S.D janë në paraburgim në burgun “Shkupi” në Shuto Orizare, ndërsa për të akuzuarin e tretë i cili është i pakapshëm për organet e rendit, është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat