Shërbimet do të digjitalizohen që të kemi administratë më efikase

Maqedonia

Shërbimet do të digjitalizohen që të kemi administratë më efikase

Më: 21 mars 2019 Në ora: 13:25
Debati për reforma në administratë

Administratë publike moderne e drejtuar kah qytetarët, që të shkurtohet koha e pritjes për ndonjë dokument të nevojshëm, digjitalizim të numrit më të madh të shërbimeve, por edhe vendosjen të dokumenteve elektronike, janë në fokus të debatit “Si deri te shërbimet më të qasshme dhe më kualitative të orientuara kah qytetarët”, që është mbajtur sot në Shkup, njofton Portalb.mk.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançeski ka theksuar se përkushtimet e Ministrisë janë që të krijohet administratë profesionale dhe lehtë të qasshme, që të ulet numri i radhëve të pritjes, frustrimet nga proceset e gjata burokratike dhe të shkurtohet koha e shkuarjes nga një institucion në tjetër, që të fitohen të gjitha shërbimet e nevojshme.

Ai ka shtuar se në shekullin XXI, digjitalizimi i shërbimeve është mënyra më e mirë që të ndryshohet dukja e administratës publike, që të afrohen shërbimet te qytetarët, dhe përfundimisht, të kemi administratë që do të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Ministria punon në disa procese paralele të cilat nënkuptojnë modernizim të administratës. Atë e bëjmë me hapjen e sallës për shërbime në Shkup. Më tej, ky projekt do të transferohet edhe në qytetet tjera në vend me hapjen e qendrave “Një pikë për shërbime”. Këto zyra do të jenë vend ku qytetarët do të munden t’i marrin shërbimet prej së paku 9 institucioneve të ndryshme. Këtë vit do të hapim qendra në Kumanovë, Tetovë, Ohër dhe Manastir. Vitin e ardhshëm në qytetet tjera”, tha Mançevski.

Ai paralajmëroi që në periudhën e ardhshme do të lëshohet në përdorim Portali Nacional për e-shërbime, ajo do të thotë që qytetarët do të munden me vetëm disa klikime të fitojnë numër të madh të shërbimeve.

“Deri më tani janë vendosur të dhënat për mbi 900 shërbime nga 192 ligje. Të dhënat do të publikohen në Portalin Nacional për e-shërbime. Përpara se të publikohen këto informata duhet që të verifikohen nga institucioni kompetent”, tha Mançevski.

Ministri gjithashtu foli edhe për Katalogun e shërbimeve, i cili është vegël në të cilin vendosen të dhënat bazë për çdo shërbim dhe se ai është themeli apo hapi i parë për digjitalizimin e shërbimeve.

Riçard Malion nga Ambasada e Britanisë në Shkup, ka theksuar se jeta jonë është e lidhur me shërbimet, ndërkaq digjitalizimi i saj në pjesën më të madhe do ta lehtësojë, pasi që qytetarët kanë nevojë për shërbime të shpejta, dhe me një klik të munden t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme.

Ai tha se Britania e Madhe dhe Maqedonia e Veriut janë bërë pjesë e një partneriteti, të themeluar në vitin 2011, qëllimi i së cilës është që të ketë Qeveri më të hapur e cila do t’u përgjigjet interesave të qytetarëve dhe se Britania do të vazhdojë ta ndihmojë Qeverinë që të ketë qasje më të hapur ndaj shërbimeve publike, dhe ajo është edhe digjitalizimi i saj.

“Më me rëndësi është që qytetarët të kursejnë kohë, ajo është e vetmja diçka që është shumë e çmuar në jetën tonë. Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri Mançevski i ka hapur pikat e para kontaktuese në shkurt, dhe kjo është një valë e re për qasje më të lirë te shërbimet për qytetarët”, tha Malion.

Debati është organizuar nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime (QMN) dhe Asociacioni Zenit në korniza të projektit “Qasja e orientuar qytetare gjatë ofrimit të shërbimeve publike”, financuar nga BE dhe kofinancuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetje të Ambasadës së Britanisë në Shkup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat