Papa Françesku përgatitet të vizitojë Maqedoninë e Veriut - Bota Sot
Papa Françesku përgatitet të vizitojë Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Papa Françesku përgatitet të vizitojë Maqedoninë e Veriut

Më: 22 mars 2019 Në ora: 22:17
Papa Françesku

Zyra e shtypit në Selinë e Shenjtë në Vatikan ka publikuar programin për vizitën e Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut. Sipas njoftimit, është parashikuar që më 7 maj, Papa të mbërrijë në Maqedoninë e Veriut, njofton Telegrafi Maqedoni.

Pas pranimit të tij formal, Papa Françesku do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik. Gjatë qëndrimit të tij në vend, Papa do të takohet me udhëheqës fetarë dhe njerëz të varfër.

Në programin për udhëtimin apostolik të Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut, ai parashikohet të shërbejë në liturgji dhe më pas të marrë pjesë në një takim ekumenik dhe ndërfetar me të rinjtë.

Papa do të përfundojë udhëtimin e tij të 29-të apostolik në pasdite më 7 maj, duke mbajtur një takim me priftërinjtë, familjet e tyre dhe hyjnitë dhe pastaj do të kthehet në Romë. Më parë, Papa do të vizitojë Republikën e Bullgarisë dhe qytetet e Sofjes dhe Rakovskit.

Ndërsa, Gazeta Expres ibën të ditur se Sekretari i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Viktor Dimovski, dhe peshkopi i Shkupit në Kishën Katolike, Kiro Stojanov, në konferencën për media në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, njoftuan më shumë detaje mbi vizitën e Papa Françeskut në 7 maj të këtij viti.

Dimovski tha se për herë të parë në historinë e saj, Republika e Maqedonisë së Veriut, qytetarët e saj të besimit katolik, por edhe të gjithë qytetarët në krye me presidentin Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev më 7 maj do të jenë pritës të vizitës së Papa Françeskut dhe delegacionit të lartë nga Vatikani.

“Vizita e parë në Kishën Katolike të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, paraqet nder të madh dhe ka simbolikë të fuqishme. Realizohet në vitin kur shënojmë 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe paraqet konfirmim të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të bazuar në lidhje të rëndësishme historike, vlera dhe tradita shpirtërore”, deklaroi Dimovski.

Më tej shtoi se “vizitën e Papës e shohim si një kontribut të drejtpërdrejt të avancimit të paqes rajonale dhe botërore dhe si mirënjohje për rolin që ka Republika e Maqedonisë së Veriut në këto procese”, theksoi Dimovski.

Sipas asaj që u paralajmërua, Papa Françesku dhe delegacioni nga Vatikani në aeroportin e Shkupit do të mbërrijnë më 7 maj në orët e hershme të mëngjesit, me ç’rast do të organizohet ceremoni përkatëse për mirëseardhje. Ceremonia zyrtare me nderimet më të larta shtetërore do të organizohet në pallatin presidencial në Vodno pas çka do të vijojë takimi me presidentin Gjorge Ivanov.

Më pas, Papa do të realizojë takim me kryeministrin Zaev, pas çka do të vijojë takimi me përfaqësuesit e kreut shtetëror, të shoqërisë civile dhe korit diplomatik në Maqedoninë e Veriut.

Axhenda e vizitës parasheh edhe vizitë të shtëpisë përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup, ku do të ketë takim me liderët e bashkësive fetare si dhe takim me qytetarët e varfër.

Ngjarja qendrore, mesha e shenjtë me të cilën do të kryesojë Papa Françesku, do të mahet në sheshin e Shkupit.

Më pas, Papa do të ketë takime me klerin dhe familjet e tyre si dhe me personat e Kishës Katolike, pas çka vijon përcjellja zyrtare e delegacionit me ceremoni adekuate në aeroportin e Shkupit.

Për vizitën e Papës në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, peshkopi Stojanov theksoi se në këtë vend parashihen dy takime të rëndësishme, me prijësit fetarë dhe të varfërit.

“Konsideroj se ky është një hap i madh për vetëdijësimin se Nënë Tereza është bashkëqytetarja jonë ndërsa vëllezërit dhe motrat tona të varfër pa mos i ndarë sipas përkatësisë fetare dhe etnike, por ashtu siç Nënë Tereza bëri kur udhëtoi nga ky vend në Indinë e largët dhe kujdesej për të gjithë nevojtarët”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...