Analiza për Kodrën e Diellit, ELEM TURS nuk e ka hapur ende tenderin e premtuar për në muajin mars

Maqedonia

Analiza për Kodrën e Diellit, ELEM TURS nuk e ka hapur ende tenderin e premtuar për në muajin mars

Më: 26 mars 2019 Në ora: 12:00
Kodra e Diellit

Edhe pse u tha se do të hapet gjatë muajt mars, tenderi për kompaninë e cila do ta bëjë analizën e Kodrës së Diellit nuk është hapur ende nga ELEM TURS. Ata premtojnë sërish se i njejti do të hapet gjatë muajt prill, transmeton Portalb.mk.

Problemeve të shumta në Kodrën e Diellit, duket sikur nuk po u gjehet zgjidhje. Tashmë gati katër muaj, të gjitha pyetjet lidhur me problemet e kësaj qendre skijimi marrin të njejtën përgjigje: “pritet analiza e ELEM për Kodrën e Diellit”. Megjithatë ELEM nuk jep shenja se po tenton të gjejë zgjidhje, madje as nuk e ka hapur tenderin për kompaninë që duhet ta bëjë analizën, gjë që premtoi se do ta bëjë gjatë muajt mars.

“Është në procedurë hapja e tenderit. Brenda muajit prill do mbarojë sigurtë. Ka procedura, ELEM duhet ta votojë në këshill drejtues, që të na jepet neve vendim dhe të fillojë procedura e hapjes së tenderit”, tha Xhemail Jusufi, drejtor aktual i ELEM TURS.

Nga ana tjetër nga Inciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” shprehen të revoltuar me autoritetet për mos realizimin e analizës që për shumë kohë thonë se po realizohet, por e njejta ende nuk ka filluar.

“Kryeministri Zaev na tha se analiza duo diligence është në përpilim e sipër dhe analiza për studimin e fizibilitetit poashtu, të njejtën disa herë e ka deklaruar edhe Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ajo kompani që është dashur ta bëjë studimin ende nuk e ka filluar studimin e fizibilitetit dhe këta po na dezinformojnë”, tha Hamdi Sulemani nga Inciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Ndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njejta me të cilat përballet Kodra e Diellit, megjithatë asgjë deri sot nuk është ndërmarrë. Një ndër to është dhe teleferiku me gjashtë ulëse, i cili vazhdimisht është premtuar, por ende nuk është përfunduar. “Kodra e Diellit”, dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë. Në të është investuar në infrastrukturë, ka pasur gara skijimi me garues nga e tërë bota dhe ishte destinacion i preferuar për shumë aplinistë dhe skijator. Sot, ka ngelur vetëm dëshira e madhe e turistëve skijator për ta parë këtë qendër të zhvilluar si dikur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat