Opozita fajëson pushtetin për mosmarrjen e datës për negociatat

Maqedonia

Opozita fajëson pushtetin për mosmarrjen e datës për negociatat

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 15:47
Dimçe Arsovski

Opozita e konsideron si të pritur qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së dhe konkretisht Gjermanisë, për shtyerjen e vendimit për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut. Për opozitaren maqedonase VMRO-DPMNE-ja arsyeja qëndron te paaftësia e kryeministrit dhe qeverisë.

Zoran Zaevi si kryeministër gënjen. I gënjen qytetarët çdo muaj se veç sa nuk kemi marrë datë për fillim të negociatave. Ky është edhe një fakt tjetër se kjo qeveri nuk punon asgjë, se Zoran Zaevi është një nga kryeministrat më të paaftë dhe se i gjithë faji për mos-marrjen e datës për fillim të negociatave si shtet i cili është dashur ta marrë shumë më herët, është te mos-suksesi dhe paaftësia e kryeministrit aktual dhe qeverisë, Zoran Zaevit dhe LSDM-së- deklaroi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Lëvizja Besa shpreson që vendet anëtare do të arrijnë konsenzus në favor të Maqedonisë së Veriut ndërkohë që kërkojnë shpalljen të zgjedhjeve të parakohshme.

Maqedonia e Veriut duhet të marrë datë për negociata, jo për shkak të dështimeve të qeverisë për të zbatuar reformat e shumëpritura për për shkak të përcaktimit evropian të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ne inkurajojmë kryeministrin e vendit që të mbajë premtimin e dhënë dhe menjëherë të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare pas të cilave me siguri do të vijë një elitë politike të cila do të sigurojë të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut- tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Për Aleancën për Shqiptarët ishte shqetësues edhe qëndrimi i Presidentit të Këshillit Evropian për mos-pasjen e konsensusit mes vendeve anëtare për rastin e Maqedonisë së Veriut. Ata thonë se as tani në komunikatën nga kabineti i Merkelit nuk premtohet asgjë.

Të gjithë pajtohen se Maqedonia e Veriut ka bërë punë të madhe në politikën e jashtme dhe fqinjësinë e mirë, ata theksojnë se reformat e brendshme kanë ngecur totalisht. Vetë raporti i progresit vë në dukje se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese, ndërsa pavarësia e gjyqësorit nuk respektohet dhe ndërhyrja politike në të mbetet problem i theksuar. Qytetarët duhen ta kenë të qartë se kjo është arsyeja kryesore e shtyerjes së vendimit për hapje të negociatave- thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Partia e Ziadin Selës, pas këtyre, siç i quan, dështimeve kërkon qeveri teknike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat