Osmani: Integrimet evropiane ofrojnë mundësi për zhvillim dhe stabilitet

Maqedonia

Osmani: Integrimet evropiane ofrojnë mundësi për zhvillim dhe stabilitet

Më: 28 janar 2020 Në ora: 14:24
Bujar Osmani

Në selinë e UNDP-së në Bruksel, sot u mbajt panel – prezantim i studimit të titulluar “Rruga evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut: Arritja e zhvillimit më të shpejtë, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm”, që paraqet projekt të përbashkët të Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe zyrës së UNDP-së Shkup.

“Qëllimi kryesor i këtij studimi afatgjatë voluminoz është që të sigurohet kornizë për integrim dhe krijim të politikave afatgjate, në kuadër të disa dekadave para nesh, që bazohen në prova empirike, duke pasur parasysh ndikimin e reformave dhe vetë procesin për aderim në BE”, theksoi Osmani në fjalën e tij hyrëse, duke potencuar përmbajtjen e studimit i cili siguron pasqyrë të qartë për potencialet të cilat i hapen vendit në procesin e euro integrimeve.

“Nëse mbështetemi vetëm në trendin e tanishëm në uljen e papunësisë, mund të presim që shkalla e papunësisë në vitin 2035 të zvogëlohet në 14%; por nëse i shfrytëzojmë potencialet që na i ofrojnë integrimet evropiane, ekziston mundësi e realizueshme që papunësia të zvogëlohet në një nivel historik prej vetëm 8%,” theksoi Osmani, duke potencuar disa pjesë të studimit.

“Përmes implementimit të reformave, por edhe përmes shfrytëzimit efikas të fondeve përkatëse evropiane, kemi mundësi reale dhe të prekshme të arrijmë rritje stabile dhe të vazhdueshme të Bruto prodhimit vendor përmes të cilit deri në vitin 2050 mund të arrijmë nivelin mesatar të zhvillimit ekonomik të vendeve – anëtare të BE-së”, theksoi Osmani. “Kjo nuk është periudhë e shkurtë, por zhvillimi stabil do të thotë rritje e vazhdueshme e të ardhurave, avancim i shërbimeve të vendit, shëndetësi më e mirë, arsimim më i mirë – dhe në përgjithësi standard më i mirë për qytetarët”, theksoi Osmani.

Gjetje nga studimi, para mysafirëve të pranishëm u prezantuan nga ana e Fatmir Besimit, Këshilltar për Çështje Ekonomike në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zëvendëskryeministër i mëparshëm për Çështje Evropiane, i cili njëkohësisht është njëri nga autorët.

Në panelin krahas Osmanit fjalën e saj e kishte edhe përfaqësuesja e UNDP-së në Maqedoninë e Veriut, Narine Sahakjan, udhëheqësi i Departamentit për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës pranë Drejtorisë për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerimin e Komisionit Evropian (DG NEAR), Dejvid Kulen, si dhe përfaqësuesi i zyrës së UNDP-së në Bruksel – Tomas Dederuvarder.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat