Zvarritet miratimi i ligjit për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës

Maqedonia

Zvarritet miratimi i ligjit për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 20:14
Ilustrim

Qeset e plastikës, që mbeten mjeti kryesor për mbajtjen e produkteve ushqimore, e që më pas hidhen në natyrë, ka bërë që organizatat joqeveritare, që kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit, të kërkojnë që të hiqen nga përdorimi.

Por, Ligji për menaxhim të paketimit dhe mbetjet e paketimeve, në bazë të të cilit parashihet zgjidhje për reduktimin në tërësi të qeseve të plastikës, tash e disa muaj ka ngecur në procedurë parlamentare.

Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, në fundit e vitit të kaluar, u zotua se deri më 1 janar, 2021 qeset e plastikës do të hiqeshin nga përdorimi, në bazë të Ligjit për menaxhim me paketim dhe mbetje të paketimeve.

Në bazë të këtij legjislacioni, qeset e plastikës duhet të zëvendësohen me qese bio-degraduese, të cilat kushtojnë 10 denarë (20 centë).

Ndryshe, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, që nga 3 korriku ndalohet shitja e qeseve të plastikës, përkatësisht ndalohet shitja e dhjetë llojeve të plastikës që shërbejnë për një përdorim.

Në dyqanet në Maqedoninë e Veriut, qeset e plastikës kushtojnë 1 ose 2 denarë, por shumica e tyre i japin falas këto qese për qytetarët.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se janë të vetëdijshëm që qeset e plastikës e ndotin mjedisin, duke dëmtuar hapësirat e gjelbëruara. Andaj ata thonë se duhet të shmanget përdorimi i qeseve plastike.

“Jam e bindur se qeset e plastikës bëjnë shumë bërllok në tërë qytetin e Shkupit. Lumi Vardar është i mbushur me qese të plastikës”, thotë Vlladanka, që është pensioniste.

Ndërkaq, Ivani, që është student, thotë se qeset e plastikës duhet zëvendësuar me ato që prodhohen nga letra ose pëlhura, pasi janë më ekologjike.

“Do të duhet të shmanget plotësisht përdorimi i plastikës, duhet të përdoren më shumë qeset e letrës, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e BE-së edhe këtu duhet të aplikohet ky standard edhe te ne”, thotë ai.

Përderisa Arben Kamberi, që punon si shitës në një dyqan ushqimor në Shkup, thotë se kur nuk u japin falas qeset qytetarëve, konsumatorët ikin nga dyqani i tyre dhe zgjedhin ndonjë dyqan tjetër, pasi janë mësuar që ato t’i marrin falas.

“Shumica kërkojnë qese falas. Kur ju them se duhet të paguajnë, ata shkojnë tek ato dyqane që u japin qese falas. Nuk mërziten aq shumë për ambientin”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat