Rëndohet situata me koronavirusin në Tetovë dhe Gostivar

Maqedonia

Rëndohet situata me koronavirusin në Tetovë dhe Gostivar

Më: 15 gusht 2021 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Ka arritur në tetëdhjetë numri i të shtrirëve në spitalin e Tetovës si pasojë e infektimit me koronavirus. Vetëm 24 orët e fundit, janë pranuar 12 pacientë në gjendje të rëndë, ndërsa pesë persona kanë ndërruar jetë. Drejtori i Spitalit klinik të Tetovës Florin Besimi, gjatë pasdites së sotme, ka thirrur mbledhje urgjente të shefave të reparteve, me qëllim riorganizimin e punës dhe adoptimin e  edhe dy kateve të repartit intern për pacientët e rinj që do pranohen ditëve në vazhdim. Numri i pranimeve parashihet të jetë i madh, thotë koordinatori i kovid qendrës Gzim Nuredini, sepse kontrollet ambulatore kanë tejkaluar 12 persona në ditë, nga të cilët ka edhe në gjendje të rëndë.

Brenda 24 orëve kemi pasur 12 pranime të reja dhe pesë raste që kanë ndërruar jetë, dhe tek pjesa e ambulantes kemi numër të madh të pacientëve që sinjalizon se në të ardhmen do kemi pranime të reja. Situata është vërtetë alarmante se pjesa ambulatore na tregon atë, sepse numri më i madh i pacientëve të rrethit të Tetovës janë me sëmundje kronike që janë edhe të parët që do pranohen në repartet tona.  Ndërsa për fat të keq shtretër të lirë kemi diku edhe pesë. tani jemi para një mbledhje ku do shohim se si do ja bëjmë me repartet tjera të cilat mbase do i bëjmë kovid qendra”, tha Gzim Nuredini. Koordinator i kovid qendrës në spitalin e Tetovës.

Sipas tij pjesa më e madhe e mjekëve kanë ndërprerë pushimet dhe janë kthyer në vendet e tyre të punës. Gjendje e rëndë paraqitet edhe në Gostivar ku përpos repartit infektiv edhe spitali modular është i mbushur me pacientë të infektuar. Nga dita e nesërme përgatitet edhe hapja e repartit intern për të pranuar pacientët me koronavirus. Për dallim nga Tetova, në Gostivar mungon edhe kuadri mjekësor. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se do të ndihmojnë Spitalin Klinik në Tetovë me kuadër po ashtu edhe me kapacitete shtesë për pranimin e të sëmurëve nga koronavirusi.

Nesër, po ashtu pritet të bisedohet në Ministrinë e Shëndetësisë edhe për masa lokale shtesë me qëllim mbrojtjen nga përhapja e virusit. Nga Ministria e Shëndetësisë, apelojnë qytetarët për respektim të masave për mbrojtje personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat