Sot pritet votimi i Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Sot pritet votimi i Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut

Më: 16 janar 2022 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Sot për në orën 12:00 është caktuar vazhdimi i seancës plenare me pikë të vetme të rendit të ditës – zgjedhja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, diskutimi për programin dhe përbërjen qeveritare zhvillohet dy ditë.

Seanca filloi dje, ndërkaq votimi i Qeverisë së re duhet të bëhet para mesnatës.

Qeveria e re që pritet të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski do të ketë 21 funksionarë. LSDM dhe koalicioni do të kenë 12 ministra, BDI gjashtë dhe Alternativa tre ministra.

Tetë anëtarë aktualë po largohen nga Qeveria, mes tyre edhe kryeministri Zoran Zaev. Nikolla Dimitrov nuk do të jetë më zv. kryeministër për Çështje Evropiane, Radmilla Sheqerinska largohet nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa anëtarë të Qeverisë nuk do të jenë ministri aktual i Shëndetësisë Venko Filipçe, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska, Ministrja e Punës dhe Politika Sociale Jagoda Shahpaska dhe Ministrja e Kulturës Irena Stefoska.

Ministri aktual i Drejtësisë, Bojan Mariçiq (LSDM) duhet të zërë vendin e tyre si zv. kryeministrit për Çështje Evropiane, Slavjanka Petrovska (LSDM) në Ministrinë e Mbrojtjes, Bekim Sali nga Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, ministri aktual i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri (BDI) do të marrë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Jovana Trençevska (LSDM) do të udhëheqë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa Bisera Kostadinovska Stojçevska (LSDM) do ta marrë Ministrinë e Kulturës.

Admirim Aliti nga Alternativa do të jetë personi i parë i MSHIA-së, ndërsa Xhemail Çupi nga kjo parti është propozuar për ministër pa resor në krye të diasporës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat