Kronologji për “kaosin institucional” në Maqedoni - Bota Sot
Kronologji për “kaosin institucional” në Maqedoni

Maqedonia

Kronologji për “kaosin institucional” në Maqedoni

Më: 13 prill 2016 Në ora: 09:57

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, e publikoi vendimin për falje të politikanëve që hetohen nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, por edhe për veprime tjera të jashtëligjshme, në bazë të asaj që njihet si “aferë e përgjimeve”.

Në bazë të këtij vendimi, nga ndjekja e mëtejme janë liruar ish-ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Transportit, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, si dhe shumë politikanë e zyrtarë të tjerë, të dyshuar nga Prokuroria Speciale për shpërdorim të detyrës. Vendimi i presidentit përfshin edhe liderin e partisë opozitare Lidhja Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ky vendim i Ivanov hasi në reagimin të fuqishëm të opozitës dhe rreth tij u prononcuan gati se dhe të gjithë forcat politike në vend.

Lideri i opozitës, Zaev, tha se presidenti është vënë në mbrojtje të, siç u shpreh, kriminelëve, të cilët kanë bërë mashtrime zgjedhore dhe krime tjera të rënda, refuzoi faljen dhe ftoi qytetarët të protestojnë.

“Me këtë vendim është rrënuar marrëveshja politike dhe zgjidhja e vetme në mbrojtje të demokracisë mbetet rruga”, tha Zaev duke kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ivanov.

Kundër vendimit të presidentit Ivanov është shprehur dhe partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është që njerëzit që kanë mbajtur peng Maqedoninë për një vit e gjysmë, që kanë thyer ligjet dhe institucionet e shtetit, patjetër duhet të përgjigjen”, theksohet në reagimin eVMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq, lideri i partisë shqiptare në pushtet – Bashkimit Demokratik për Integrim – Ali Ahmeti e ka quajtur veprim të ngutshëm vendimin e Ivanovit, duke u shprehur i bindur se rruga e vetme për zgjidhjen e krizës në vend mbetet organizimi i zgjedhjeve më 5 qershor.

“Mendoj se vendimi i zotit Ivanov është një vendim i ngutshëm, i pamenduar fare dhe si një vendim i tillë, nga një i ashtuquajtur president jolegjitim, nuk ka legjitimitet, nuk mendoj se e ndihmon zgjidhjen e krizës”, ka deklaruar Ahmeti.
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, vendimin e presidentit Ivanov e ka cilësuar si absurditet, përmes të cilit suspendohet sistemi juridik në Maqedoni.

Kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë janë shprehur edhe partitë e reja shqiptare LR-PDSH, BESA, RDK, të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament.

Në terren fillojnë protestat para Presidencës në Shkup. Protestuesit, përkundër forcave të shtuara policore, kanë hedhur vezë dhe gjësende të forta, duke thyer xhamat e zyrës së Presidencës. Disa qindra qytetarë, në mbështetje të organizatave joqeveritare dhe duke brohoritur “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, “kriminelët pas grilave”, etj., protestuan gjatë tërë mbrëmjes së djeshme kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për amnistimin e të gjithë politikanëve që janë nën hetime nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, por edhe për veprime të tjera të jashtëligjshme.

Protesta ka vazhduar para Qeverisë së Maqedonisë, ku protestuesve u është bashkëngjitur lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Situata është tensionuar kur forcat policore kanë penguar protestuesit të afrohen para selisë së partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, nga radhët e së cilës është zgjedhur presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Nga Prokuroria Speciale Publike thonë se ky vendim i Presidentit Ivanov nuk ka arritur ende zyrtarisht tek ta dhe deri atëherë nuk do ta komentojnë të njejtin.

Paralelisht këtyre protestave, para selisë së opozitës maqedonase, LSDM, dhjetëra protestues, mbështetës të pushtetit, kanë protestuar duke kundërshtuar vendimin për falje të liderit të opozitës, Zoran Zaev.

Të menjëhershme ishin reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim me vendimin e Ivanovit, duke theksuar se me këtë veprim, Maqedonia shmanget nga rruga e integrimeve euroatlantike.

“Vendimi i presidentit Ivanov për faljen e disa funksionarëve ka shkaktuar shqetësim serioz. Ky veprim po bëhet në kohën kur të gjitha partitë duhet të gjejnë mënyrë për zbatimin e Marrëveshjes Politike të Përzhinos (për zgjidhjen e krizës politike). U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’iu ikin rreziqeve që i shembin përpjekjet disavjeçare të shtetit, që me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, synon ta përforcojë sundimin e së drejtës”, theksohet veç tjerash në reagimin e Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, Brukseli ka ritheksuar mbështetjen e plotë ndaj Prokurorisë Speciale Publike dhe nga ky institucion ka kërkuar që të vazhdojë me hulumtimin e krimit nga ana e zyrtarëve të lartë të Maqedonisë.
“Deklarata e presidentit maqedonas ngre brengosje serioze rreth angazhimit të Maqedonisë për sundimin e ligjit“, thuhet në reagimin e parë të ambasadës amerikane në Shkup.

“Nëse vendimi për të falur politikanët ka të bëjë me hetimet rreth dyshimeve nga materialet e përgjuara, atëherë kjo paraqet brengosje serioze. Hetimi i plotë i këtyre rasteve dhe procesi gjyqësor adekuat janë elemente kyçe të marrëveshjes politike“, thuhet në reagimin e ambasadorit britanik në Shkup, Charles Gerrett.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...