Takimi në Tiranë mbeti vetëm fotografi, çfarë po fshehin partitë?!

Maqedonia

Takimi në Tiranë mbeti vetëm fotografi, çfarë po fshehin partitë?!

Më: 5 janar 2017 Në ora: 18:08
Partite shqiptare ne takim me Edi Ramen

Karakteristika e takimit të partive politike shqiptare dhe aleancave në Tiranë, nën organizimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama mbeti vetëm fotografi e shoqëruar me spekulime dhe jo transparencë që nga organizatorët e deri te protagonistët.

Partitë politike pas takimit kanë dhënë qëndrime të ndryshme, fakt ky që edhe më shumë u jep hapësirë spekulimeve. Dokumenti që u përfol mbeti në ajër.

“Mendoj se sipas marrëveshjes së arritur deri më 7 janar ose deri ne këtë fundjavë të gjitha kryesitë e partive politike nënshkruese të atij memorandumi ose asaj platforme të përbashkët duhet të ratifikojnë atë marrëveshje, të dal ose që buron nga partitë politike, duhet të ratifikohet në kryesitë e tyre”, pohon zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

“Aktualisht nuk ka asnjë dokument që të njëjtin ta bëjmë publik. Nuk kemi të bëjmë me asnjë fshehje, këto janë takime konsultative dhe miqësore. Nëse në të ardhmen do të ketë ndonjë vendim i njëjti do jetë publik dhe opinioni do të jetë i informuar me kohë”, tha  zëdhënësi i Lëvizjes Besa Orhan Murtezani.

Njohësit e rrethanave politike kanë komentuar takimin në Tiranë dhe enigmën e dalur nga i njëjti.

“Takimi i partive politike ne Tirane tanimë ka degraduar në foto-sesion të thjeshtë ngase nga ai nuk ka buruar asnjë qëndrim i unifikuar i partive shqiptare pjesëmarrëse në takim. Është krejtësisht e palogjikshme që ai mos të pasohet menjëherë me ndonjë dokument dhe për më tepër për një të tillë nuk duhet pritur me ditë. Kjo më shtyn të dyshoj se takimi ka qene vetëm një formalitet ose se ka ndonjë agjendë tjetër që partitë nuk mund ta thonë haptazi. Kjo poashtu do të thotë se cilido version të jetë i vërtetë, “platforma” që pritet të shpaloset këto ditë del plotësisht irelevante dhe sa për sy e faqe”, deklaroi analisti politik Robert Nesimi.

Edhe pse në parim partitë politike shqiptare janë kundër Gruevskit, një qëndrim i këtillë nuk potencohet se duhet të ketë dalur edhe nga takimet ndërpartiake. Pse partitë janë të mbyllura kur duhet të japin qëndrime politike në interes të opinionit të përgjithshëm?

Bazuar në informacionet e tij, profesori universitar Mersel Bilalli se takimi kishte të bëjë me balancimin e kërkesave të shqiptarëve me qëllim që të mos dëmtohet procesi i demokratizimit, percjell portalb.

“Pasi të jashtmit e dinë mirë se sa mund ndokush ta minoj gjendjen në emër të ndonjë shqiptarizmi, i cili iu la Gruevskit ta nëpërkëmbë gjer në fund. Është një frike pak si tepër e tepruar nga Gruevski dhe kjo hap shume dilema në drejtim të asaj se çfarë borxhi i paskemi këtij personi enigmatik për të cilin lidhen të gjitha këto katastrofa, dështime, montime e manipulime. A thua se edhe ndokush tjetër nga ne është pjesë e këtij zinxhiri, që aq shumë hatër paska një manipulant i pashoq që gjer në palcë nënçmoj dhe degradoj shqiptarët”, tha Bilalli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat