VMRO-ja mund ta kushtëzojë mazhorancën me ligjin për amnesti

Maqedonia

VMRO-ja mund ta kushtëzojë mazhorancën me ligjin për amnesti

Më: 6 janar 2018 Në ora: 16:31
Dhuna ne Kuvend

Sjellja e Ligjit për amnisti përmes të cilit do të përfshihen personat e dyshuar për ngjarjet e 27 prillit të përgjakshëm vitin e kaluar, mund të ketë prapavijë politike. Ish gjykatësi Dane Iliev hedh dyshime se opozita me këtë ligj mund të kushtëzojë shumicën për votimin e ligjeve të cilët kërkojnë 2/3 e votave.

"Fillimisht duhet të shqyrtohet përmbajtja e ligjit nëse në shpjegim ka fakte politike apo bëhet fjalë për akt juridik i cili duhet të ndërpresë ndjekjet penale ndaj personave pjesëmarrës në veprën e caktuar penale"- deklaroi Ish gjykatësi Dane Iliev.

Iliev shton se ligji përveç aspektit politik, do të jetë i dëmshëm edhe në aspektin juridik.

"Sjellja e ligjit është e mundur para dhe pas procedurave hetimore. Por, nëse ligji sillet para përmbarimit të procedurave penale si i tillë do të ketë pasoja juridike. Në këtë rast, ligji drejtpërdrejtë do të ndikonte në punën e Prokurorisë Publike respektivisht do të kufizojë përgjegjësinë e saj në vendimet juridike. E njëjta do të ndodhë edhe me Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion"- shtoi Dane Iliev.

Ditë më parë, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski theksoi se subjekti i tij nuk do të propozojë ligj me të cilin do të kërkojë të amnistohen personat e kapur në flagrancë, por thjeshtë një pjesë e të dyshuarve. Në rast se opozita nuk gjen mbështetjen e shumicën parlamentare në ligjin për amnisti, nuk përjashtohet mundësia që Presidenti Gjorge Ivanov të përsërisë abolimin. Amnistinë për të dyshuarit e 27 prillit, Ivanov e kërkoi edhe në paraqitjen vjetore para deputetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat